Profeti Më i Madh dhe Njerëzit Mosbesues

Parathënie

Marku na paraqet pritjen që iu bë Jezusit, kur u kthye në Nazaret. Banorët e qytetit duhet të kishin dëgjuar për të gjitha ato mrekulli, që kishte bërë Jezusi në mbarë krahinën e Galilesë. Por bashkëqytetarët e Tij nuk e pranuan, edhe pse Ai ishte njëri prej tyre. Sjellja e tyre kundrejt Jezusit ilustron faktin se sa ligësisht reagojnë njerëzit, sa herë që përmendet emri i Shpëtimtarit.

Ofendimi

Pastaj doli prej andej dhe erdhi në vendlindjen e tij, dhe dishepujt e vet e ndiqnin. Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: “Nga i vijnë këtij këto? Vallë ç’dituri është kjo që i është dhënë? Dhe si kryhen këto vepra të mëdha nëpërmjet dorës së tij? A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?”. Dhe skandalizoheshin për shkak të tij” (Marku 6:1-3).

Banorët e Nazaretit e njihnin Jezusin dhe e kishin parë tek rritej, që kur ishte fëmijë. Si kishte mundësi që ky, që kishte jetuar në qytetin e tyre prej 30 vjetësh, të ishte Mesia, Shpëtimtari i botës? Ç’të drejtë kishte Ai që të vinte tek ata dhe t’iu mësonte atyre rreth Mbretërisë së Perëndisë? Do ta pranonin, po të ishte i pasur, apo prift, por Ai ishte thjesht një zdrukthëtar i zakonshëm.

Nazareti, si qytet, ishte i privilegjuar dhe i bekuar prej Perëndisë. Për tre dekada me rradhë, Shpëtimtari kishte ecur në rrugët e tij. Njerëzit duhet ta kenë ditur se djali Jezus ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë – Ai kurrë nuk bëri sherr me njeri, por jetoi një jetë të pafajshme. Problemi qëndronte këtu: ata nuk mund të shikonin përtej nivelit të mishit. Ky djalë, të cilin e njihnin, po iu thoshte se duhej të pendoheshin. Mençuria, mësimet dhe mrekullitë e Jezusit ishin të pamohueshme, e megjithatë, ata i mbyllën ligësisht zemrën, sytë dhe veshët e tyre ndaj Atij. U ofenduan prej Tij.

Edhe sot ndodh e njëjta gjë. Është po aq e vështirë edhe sot, që t’i bindim ata me të cilët jemi rritur. Kombi ku jetojmë, dikur ishte një komb i fuqishëm, sepse u themelua mbi parime të perëndishme. Por shumica e njerëzve sot ofendohen prej Biblës dhe kur përmendet Jezus Krishti. Edhe njerëzit e ditëve tona, ashtu si ata nga Nazareti, kanë vetëm përçmim për Krishtin. Ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë (qoftë edhe vetëm fare) për Krishtin dhe për të vërtetën, edhe pse mund të jetë e vështirë. Edhe Krishtin  e përçmuan: “Kujtoni fjalën që ju thashë: “Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti”. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën” (Gjoni 15:20).

Zanati

A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?”. Dhe skandalizoheshin për shkak të tij. Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet” (Marku 6:3-4).

Jezusi kishte si zanat zdrukthëtarinë, jo argjendarinë. Ai bënte gjëra prej druri, jo prej ari. Ai, që, me duart e Tij, krijoi universin dhe të gjitha gjërat në të, ishte gati që ta kalonte pjesën më të madhe të jetës së Tij tokësore si një zanatçi i thjeshtë e i përulur. “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 19:1)… “Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu” (Psalmi 8:3)… “Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të” (Kolosianëve 1:16)… Ai “e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit” (Filipianëve 2:7). Nuk është për t’u habitur që Pali shkruan se Krishti “duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju” (2 Korintasve 8:9). Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai kishte njohur veç varfëri. E përuli Veten, me qëllim që ata që e ndjekin, të jetojnë dhe të mbretërojnë përgjithnjë me Të.

Varfëria nuk është mëkat. Rrallëherë i zgjedh Perëndia për punën e Tij ata, që janë të famshëm e të fuqishëm: “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Korintasve 1:26-29). Enët, në të cilat e hedh Ai lavdinë e Tij, janë zakonisht prej balte, jo prej metali të çmuar: “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne” (2 Korintasve 4:7). Po ta vizitonim dyqanin e Jezusit, do të shikonim një burrë, duke punuar e derdhur djersë për të fituar bukën e gojës, jo për të blerë unaza për vete. Të shkuarit pas Jezusit nuk ka të bëjë fare me pasurinë, shëndetin apo shkollimin e dikujt. Edhe kur kujtojmë se kemi “dy dërrasa mangët”, Zdrukthëtari mundet që të na përdorë e të nxjerrë diçka të bukur prej nesh.

Rezultati

Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë vepër të pushtetshme, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart. Dhe çuditej për mosbesimin e tyre; dhe dilte nëpër fshatra përreth e i mësonte” (Marku 6:5-6).

Banorët e Nazaretit kishin një “zemër të ligë mosbesimi” (Hebrenjve 3:12). Zoti nuk mund të bënte shumë mrekulli në mes tyre, me përjashtim të shërimit të disa të sëmurëve. Kjo ilustron faktin se mosbesimi na grabit bekimet më të mëdha që Perëndia është gati për të na dhënë. Mosbesimi i mbyll kanalet e hirit dhe mëshirës së Tij. A do të habitet Krishti me mosbesimin dhe zemër-ngurtësinë që do të gjejë në kishë, kur të kthehet? “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8).

Ishte mosbesimi ai, që e shkaktoi Adamin të mëkatojë. Mosbesimi gjendet tek ata, që ia vënë veshin djallit, jo Zotit. Mosbesimi bën që njerëzit të jenë të denjë për në Ferr, jo për në Parajsë: “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18). Mosbesimi nuk ka të bëjë vetëm me zemrën, por ndikon gjithashtu edhe në mënyrën se si jetojmë. Mosbesimi është ajo këmbëngulje e ligë, që nuk është gati që t’i pranojë mësimet e thjeshta e të qarta të fjalës së Perëndisë. Duhet të tregohemi vazhdimisht vigjilentë ndaj mosbesimit, “duke qëndruar të patundur në besim” (1 Pjetrit 5:9) dhe duke qenë “të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit” (1 Korintasve 15:58). 

Përfundim

Mëkati i mosbesimit rritet gjithnjë e më shumë në zemrën e atyre, që e mohojnë dhe e neglizhojnë Biblën. Duhet që t’i kërkojmë vazhdimisht Zotit që të “na e [shtojë] besimin” (Luka 17:5). Banorët e Nazaretit nuk mund të merrnin bekime, sepse ia kishin mbyllur zemrat Krishtit. Sa bekime humbasim edhe ne, pikërisht për të njëjtën arsye?

Mbrapa

Advertisements