Pse urrehen të krishterët?

Jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta. Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren” (1 Gjonit 3:12-13) .

Parathënie

Nuk është gjë e mirë të të urrejnë e të të përbuzin të tjerët. Por, le të mos harrojmë se pavarësisht sesa na urren bota, Perëndia na do më shumë se ç’mund ta imagjinojmë dot në këtë jetë.

Armiqtë tanë

Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren” (Gjoni 15:19).

Nuk është gjithmonë e mundur ta gjykosh drejt karakterin e një njeriu thjesht nga shokët e miqtë, që e rrethojnë. Por, karakterin e tij mund ta gjykojmë shumë mirë, duke parë se kush janë armiqtë e tij. Bota mëkatare do të vetët, por i urren të gjithë ata, që e ndjekin me të vërtetë Zotin Jezus Krisht.

Ka të krishterë, që habiten, kur i urrejnë të tjerët. Kërkojnë që të duhen, të nderohen e  të respektohen, ngaqë janë qytetarë të mirë, paqedashës e mirëbërës. Por, nëse bota e urreu dhe e vrau Mjeshtrin tonë, atëherë pse duhet t’i kërkojmë asaj, që të na trajtojë neve më mirë? “Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush” (Gjoni 15:18). Bota, siç e shau Jezusin, ashtu do të na shajë edhe neve: “I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!” (Mateu 10:25).

Armiqtë tanë mund të ndodhen gjithashtu edhe midis atyre të ashtu-quajturve ‘të krishterë’. Ishin pikërisht drejtuesit fetarë ata, që ishin përgjegjës për persekutimin dhe vdekjen e Shpëtimtarit. Përpara atyre, që e kishin urryer dhe mohuar vetë Krishtin, Stefani e përmblodhi mirë këtë çështje, në momentin kur po e gjykonin për ta vrarë: “Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmëronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës” (Veprat e Apostujve 7:52).

Mënyra se si sillet bota

Vitet kalojnë, por të persekutuarit e njerëzve të Perëndisë mbetet po ai. I njëjti persekutim ndodhi edhe në fillimin e historisë botërore, kur Kaini vrau vëllanë e tij, Abelin. Pse e urrente kaq shumë vëllanë e vet Kaini? Ngaqë Abeli donte t’i shërbente Zotit e t’i bindej Atij besnikërisht. “Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: “Fitova një burrë nga Zoti”. Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. Atëherë Zoti i tha Kainit: “Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh”. Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau” (Zanafilla 4:1-8). Këtu përmblidhet e tërë historia e Izraelit, e botës dhe e kishës së rreme. “Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar!” (Mateu 23:37).

Pse na urrejnë?

Gjon Uesli, në komentimin, që i bën vargut në hyrje të këtij studimi, thotë kështu: “Kaini ishte nga i ligu – kjo na tregon se ai ishte një fëmijë i djallit, ngaqë vrau vëllanë e vet. E për ç’arsye e vrau? Ngaqë kishte bërë faj? Jo, përkundrazi, ngaqë kishte bërë mirë”.

Bota nuk e çan shumë kokën, nëse e quajmë apo jo veten ‘të krishterë’, përsa kohë që nuk e vëmë në praktikë atë, që besojmë. Krishtërimi i vërtetë i vë njerëzit në pozitë. “Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju” (1 Pjetrit 4:4)… “Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:20). Bota e sheh besimin tonë si kërcënim ndaj veprimeve të tyre mëkatare. Prania jonë i duket asaj si qortim ndaj mëkatit dhe si paralajmërim i gjykimit, që po afron.

Përfundim   

S’ka besimtar të vërtetë (qoftë sot, qoftë në të shkuarën), që s’ka përjetuar urrejtje, kundërshtime, mohime dhe armiqësi për kauzën e Krishtit. Sapo flasim hapur për Zotin, e ndjejmë dhe e kuptojmë zemërimin e Satanait dhe të atyre, që paguhen prej tij. Duhet të gëzohemi, kur e dimë se jemi mes një shoqërie të mirë, kur ballafaqohemi me persekucionin: “Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:12).

Mbrapa