Punë e mirë

“E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj, duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj, për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani, duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:3-6).

Parathënie

Ka nga ata teologë dhe komentatorë të Biblës, të cilët e konsiderojnë apostullin Pal si një njeri strikt e me karakter të ashpër. Por letra e tij drejtuar kishës së Filipianëve nuk na e vërteton një ide të tillë. Përkundrazi, ai na paraqitet si një njeri i Perëndisë, plot dashuri, që kujdeset për fëmijët e Zotit dhe dëshiron më të mirën për ta. Çfarëdo që të thonë dijetarët, siç do ta shohim prej këtij studimi dhe prej studimeve të tjera të ardhshme, Pali shkëlqen me një karakter si ai i Krishtit.

Falenderimi

Pali e lavdëron Perëndinë për kishën në Filipi, sa herë që i kujton anëtarët e saj në lutje. Po ne, kur lutemi, sa herë i sjellim ndërmend të gjitha veprimet e liga, që na kanë bërë të tjerët, apo fjalët e këqija që mund të na kenë thënë dikur? Ndoshta, në vend që t’i bekojmë këta njerëz, lutemi që zemërimi i Perëndisë të derdhet mbi ta. Pali, sa herë që i kujtonte besimtarët në Filipi, e lavdëronte Zotin dhe i kërkonte Atij, që t’i bekonte ata me bollëk. Kështu lutej ai edhe për bashkësitë e tjera. “Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj” (Romakëve 1:9)… “Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona, duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë” (1 Thesalonikasve 1:2-3)… “E falenderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju” (Kolosianëve 1:3).

Fjala ‘kujtoj’ nuk do të thotë thjesht ‘sjell ndërmend’, por ka kuptimin e një lutjeje. Pali, jo vetëm që i përmend rrethanat, në të cilat ndodhet kisha e Filipianëve, por edhe lutet për ta individualisht, duke e përmendur secilin me emër. Ky veprim, së bashku me fjalën “gëzim”, na tregon se Pali ndjente kënaqësi kur lutej dhe nuk e konsideronte lutjen si barrë apo si punë të lodhshme. Vëmë re gjithashtu se fjala “gëzim” është një nga karakteristikat e veçanta të kësaj letre, ashtu siç është edhe fjala ‘dashuri’ në letrën drejtuar Efesianëve. Pali nuk kishte asnjë arsye pse të ndjente dhimbje për kishën e Filipianëve. Përkundrazi, ai ndjente gëzim të madh, duke e ditur se ata e donin Zotin. Në greqisht, fjala ‘gëzim’ (‘kara’) do të thotë ‘lumturi e brendshme, kënaqësi e thellë’. Apostulli ishte i interesuar personalisht për Filipianët, ngaqë ai vetë kishte qenë përgjegjës për transmetimin e mesazhit të shpëtimit në Filipi. Ai lutej që ata të kishin dashuri, maturi shpirtërore dhe pastërti morale. Edhe ne duhet ta konsiderojmë gëzim të madh shpëtimin e të tjerëve, sepse kështu e konsiderojnë atë edhe banorët e tanishëm të Qiellit. “Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:10).

Edhe neve na nevojitet mbështetja e besimtarëve të tjerë, ashtu siç iu nevojit edhe apostullit Pal. A shpenzojmë kohë në lutje, për ta falenderuar Perëndinë për njëri-tjetrin? Nuk jetojmë në boshllëk, ndaj edhe na duhet pjesa tjetër e trupit të Krishtit, nëse duam të rritemi e të begatohemi në Zotin. “Duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë… Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!” (Kolosianëve 1:12, 3:15). Këtë lloj falenderimi nuk e kuptojnë siç duhet ata, të cilët e lënë pas dore “të mbledhurit bashkë” me besimtarët e tjerë të krishterë (Hebrenjve 10:25).

Pjesëmarrja

Pali ishte shumë i gëzuar, ngaqë e dinte se këta të krishterë kishin besim. Sa herë që merrte lajm lidhur me punën që bënin ata për përhapjen e ungjillit, ai ndihej sikur zinxhirët e burgut po i këputeshin një nga një! “Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur” (Fjalët e Urta 25:25). Edhe pse të ardhmen e kishte të pasigurtë, edhe pse priste që të dilte në gjyq, prapëseprapë, Pali shkroi një letër shumë inkurajuese dhe, duke vepruar kështu, ai e ndau gëzimin e tij me të gjithë kishën. Po ne, a jemi një burim gëzimi për të tjerët?

Fjala “pjesëmarrje” shpreh faktin se bashkësia e krishterë është më shumë sesa një titull, që i vëmë kishës, apo më shumë sesa një takim biblik i mesjavës. Pali ndihej i lidhur ngushtë shpirtërisht me besimtarët Filipianë, edhe pse kishte vite, që nuk i kishte parë me sy, edhe pse ndodhej i larguar me kilometra larg prej tyre. Ishte ungjilli i Krishtit ai, që i bashkonte. Të krishterët janë të bashkuar me Atin (1 Gjonit 1:3), me Birin (1 Korintasve 1:9) dhe Frymën e Shenjtë (2 Korintasve 13:14). Kjo fjalë ka kuptimin “ta kesh gjithçka të përbashkët”. Pa dyshim që besimtarët i kanë më shumë gjërat e përbashkta me vetë Krishtin sesa me dikë tjetër! Nuk duhet të egzistojë bashkësi e krishterë, aty ku nuk gjendet Krishti. Shkurtimisht, pra, jeta jonë është e lidhur ngushtë me Frymën e Krishtit. “Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin” (1 Gjonit 1:7). Siç do ta shohim edhe në një studim të ardhshëm, kisha e Filipianëve e mbështeti gjithashtu edhe financiarisht Palin, ndaj edhe ata ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. “Ndihmoni për nevojat e shenjtorëve” (Romakëve 12:13)… “Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët” (Veprat e Apostujve 2:44)… “Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç’kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta” (Veprat e Apostujve 4:32).

Besnikëria

Kishin kaluar dhjetë vjet, që nga dita kur ungjilli ishte predikuar për herë të parë në Filipi, por besimtarët atje po i shërbenin akoma Zotit dhe kishës së Tij. Kisha i kishte mbetur besnike Krishtit dhe ishte gati ta mbështeste punën e Palit. Ai ishte i bindur se zelli i tyre ndaj Zotit do të vazhdonte të rritej dhe se Perëndia do të vazhdonte t’iu jepte edhe më shumë fuqi. Perëndisë nuk i mungon fuqia. Ai është mëse në gjendje t’i bëjë të përsosur në Krishtin të gjithë ata që i nënshtrohen Atij. Kisha e sotshme ndoshta nuk ka qejf të dëgjojë t’i flitet rreth temës së shenjtërisë, por pa shenjtëri, nuk ka as fitore, as bekim. “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim” (Judës 1:24)… “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj” (1 Thesalonikasve 4:3).

Në vargun 6 të këtij studimi, na ofrohet një e vërtetë e rëndësishme, e cila neglizhohet prej shumë vetave. Pjesa përfundimtare e punës së Perëndisë është çlirimi (ose shpengimi) fizik i trupit në ditën e Krishtit. Kjo punë, pra, mund të përfundohet vetëm kur të vijë Krishti. “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore”. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Korintasve 15:51-57). Kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk po punon tani tek ne. Ai vepron tek ne, me qëllim që ne ta kryejmë vullnetin e Tij dhe t’i përngjajmë imazhit të Birit të Tij. “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij” (Romakëve 8:29). Shprehja “do ta përfundojë deri në” ka kuptimin “do ta përsosë deri në”. Kjo do të thotë se puna e Perëndisë vazhdon derisa “të vijë përsosmëria” (1 Korintasve 13:10). Autori i Psalmit 138 shkruan kështu: “Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë” (Psalmi 138:8). Le të jemi të sigurtë se Perëndia gjithmonë e përfundon punën e nisur, sepse a nuk është Jezusi “kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Hebrenjve 12:2)? Kur zhdekurajohemi, le ta sjellim ndërmend faktin se Perëndia na ka zgjedhur në skuadrën e Tij dhe se Ai kurrë nuk heq dorë prej nesh. “I cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit” (1 Korintasve 1:8)… “Që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit” (Filipianëve 1:10).  

Besimi që kishte Pali tek besimtarët në Filipi, nuk bazohej vetëm tek puna e Perëndisë tek ta, por përfshinte gjithashtu edhe zellin dhe sakrificën e besimit, që kishin treguar ata vetë (Filipianëve 1:7, 4:15-18). Kështu, pra, e shohim se besnikëria jonë ndaj Perëndisë rrjedh nga fakti se jemi të shpëtuar, sepse Ai nuk mund të veprojë e të punojë tek ata, të cilët e hedhin poshtë hirin e Tij. “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13). 

Përfundim   

Ata që i shërbejnë Zotit me besim dhe bindje, kanë për ta parë se puna e tyre ka për të arritur përsosmërinë e saj. Por rezultatin përfundimtar të punës sonë nuk do ta shohim pa ardhur Krishti dhe pa e themeluar Ai Mbretërinë Mijëvjeçare të Tij. E megjithatë, fakti se po i shërbejmë Atij dhe se po punojmë për Të, duhet të vihet re mirë, para se të vijë Ai vetë. Shpëtimi nuk është diçka statike, apo një vepër e fjetur e Perëndisë. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë të mbështetemi tek Ai, derisa Ai vetë ta përsosë atë, që ka nisur tek ne. Perëndia ynë besnik nuk ka për të na harruar. Ai nuk ka për t’u mërzitur me ne, as nuk ka për të hequr dorë prej nesh. “Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle” (Psalmi 121:4). Çfarëdo që të bëjmë, le ta bëjmë si shërbim dashurie dhe gëzimi për Zotin. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). Le t’i mbajmë gjithashtu në lutje edhe bashkë-besimtarët e tjerë, duke i mbështetur ata, ashtu siç na drejton Zoti.

Mbrapa

Advertisements