Punoni!

“Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.” (Filipianëve 2:12-13).

Parathënie

Ky pasazh biblik përshkruan pasojat, që ka hiri shpëtues në jetën e shpëtimtarit. Edhe pse jemi të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë, është sjellja jonë e drejtë dhe e perëndishme ajo, që e vërteton se jemi vërtet të shpëtuar. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:8-10). Prandaj, pra, shpëtimi nuk është kurrë një përvojë e fjetur apo e plogët, por përkundrazi, është një punë (vepër) e gjallë dhe e fuqishme, e cila e transformon besimtarin, ndërsa ai rritet në besim, duke i përngjarë gjithnjë e më shumë Krishtit. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10.10).

Punoni!

Folja “punoj” rrjedh nga fjala greke ‘katergazathe’, që do të thotë “puno derisa ta mbarosh punën”. Puna, me të cilën jemi angazhuar ne, nuk është e përfunduar, po nuk qe komplet e përsosur. Nuk e kemi fjalën këtu rreth ‘përsosshmërisë pa mëkat’. E megjithatë, është gabim kur një besimtar është i kënaqur me të metat e veta! Duhet të synojmë drejt përsosshmërisë, që në momentin kur fillojmë ta ndjekim Zotin Jezus Krisht. Është e çuditshme, pra, që të shumtë janë ata, që e pranojnë Krishtin si Shpëtimtar, por nuk e ndjekin Atë si Zot!

Askush nuk mund të punojë për shpëtimin tonë. Perëndia nuk na ka premtuar se do të na e jetojë Ai jetën tonë, ndërkohë që ne vazhdojmë të mëkatojmë në këtë botë. Shpëtimi është diçka, që e marrim prej Perëndisë dhe e vëmë në praktikë në mënyrë personale, me anë të besimit dhe bindjes ndaj Tij. Duhet të jemi të zënë me punën e Perëndisë. Shumicës së besimtarëve iu thuhet se po e pranuan Krishtin, nuk ka asgjë që të mund t’iua marrë (ose heqë) dot shpëtimin. Iu thuhet se mund të bëjnë si t’iu dojë qejfi dhe se Perëndia e ka për detyrë që t’i pranojë në Mbretërinë e Tij të Shenjtë. Për njerëz të tillë, të qënit ‘i rilindur’ është fundi i gjithçkaje, kurse Bibla thotë se ky është vetëm fillimi! Vetëm “ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:13). Të sugjerosh se “një herë i shpëtuar, gjithmonë i shpëtuar” është njësoj sikur të sugjerosh se Perëndia të shpëton gjysma-gjysma e jo plotësisht. Disa teologë kalvinistë thonë se Pali thjesht po i  kërkonte kishës filipiane që të punonte për zgjidhjen e problemeve të veta, por një interpretim i tillë i këtij pasazhi është mëse i gabuar. Mësues të tillë duket sikur kanë frikë t’i përmendin veprat, ndërkohë që ato janë pjesë përbërëse dhe e nevojshme e përvojës së krishterë. Duhet “të punojmë” për shpëtimin nëpërmjet bindjes së përditshme.

Shprehja “me frikë e me dridhje” nuk është një thirrje për të të ngjallur tmerrin, tek i bindemi rregullave të panumërta. Përkundrazi, ky është një paralajmërim, që të mos merremi me punët e botës, të cilat na bëjnë armiq të Perëndisë. “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4). Duhet ta dimë mirë të vërtetën dhe ta vëmë atë në praktikë. “Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat” (Jakobi 4:17). Jeta e krishterë nuk është fushë me lule, por ka plot vuajtje e vështirësi gjatë rrugës sonë të shenjtërisë. “Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë” (1 Pjetrit 1:17). Ndoshta njëra nga arsyet pse të krishterët nuk e shohin të domosdoshme që “të punojnë për shpëtimin e tyre me frikë dhe dridhje”, është fakti se ata nuk “dridhen” nga fjala e Perëndisë (Isaia 66:2). Le ta kemi, pra, atë frikë të shenjtë, kur mëkatojmë dhe nuk e zbatojmë vullnetin e Perëndisë për jetën tonë. “Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë” (Hebrenjve 4:1).

Këtu e shohim qartë doktrinën biblike të vullnetit të lirë, sepse nuk është Perëndia Ai, që punon për shpëtimin tonë, por përkundrazi, Ai na jep mundësinë për ta vënë në praktikë shpëtimin në jetën tonë të përditshme. Vetëm ata, që janë të vendosur për të jetuar në mënyrë të perëndishme, vetëm ata kanë jetë të përjetshme. Shkurtimisht, pra, “besimi pa vepra është i vdekur” dhe “sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:20, 26). Duhet të kemi frikë dhe të dridhemi, kur mendojmë se mund ta kemi mohuar apo çnderuar Zotin në ndonjë farë mënyre, apo qoftë edhe sadopak. “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë” (Titit 2:11-12)… “Që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 1:7).

Vënia në praktikë

Jemi thirrur që ta vëmë në praktikë, atë që na jep Perëndia. “Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht, ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen” (Hebrenjve 13:20-21). Nuk mund ta mohojmë dot të vërtetën se hiri i Perëndisë vepron në jetën e çdo besimtari të vërtetë. Folja “vepron” në fjalinë e sapopërmendur rrjedh nga fjala greke “energon”, d.m.th. energji. Është Perëndia Ai, që na e ngroh zemrën dhe na nxit me anë të Frymës së Tij të Shenjtë, që t’i bindemi dhe të synojmë drejt shpëtimit të plotë. Të shumtë janë ata, që pikërisht lidhur me këtë çështje, nuk pranojnë ta dëgjojnë zërin e Tij. “Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja” (Hebrenjve 3:7-8)… “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot,” që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit” (Hebrenjve 3:12-14).

Kur Perëndia na kërkon që të bëjmë diçka, Ai gjithmonë na jep hir dhe fuqi të mjaftueshme për ta kryer atë detyrë. Por e kemi ne vetë në dorë t’i bindemi, ose jo Atij. Zoti hidhërohet shumë, kur i sheh të Tijët, tek nuk pranojnë ta ndjekin Frymën e Shenjtë. “Sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:13-14). Perëndia kurrë nuk na detyron me zor për të bërë atë që nuk duam ta bëjmë. ‘Hiri i pareziztueshëm’ nuk është një doktrinë biblike. “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi. Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit” (Titit 3:5-8). Puna e hirit të Perëndisë brenda nesh është gjithmonë e kufizuar prej mungesës së mosbesimit dhe të bashkëpunimit nga ana jonë. Dëshira dhe vënia në praktikë varen nga ne. “Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:1-2)… “Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi” (1 Gjonit 2:27). 

Përfundim                                       

Është ngushëllim, kur e dimë se Perëndia merakoset për ne dhe dëshiron që të jemi aktivë në çdo aspekt të jetës. Vetëm në këtë mënyrë e lavdërojmë dhe e nderojmë vërtet Atë. Ç’do të ndodhte, po qe se të krishterët do ta lejonin vërtet Krishtin, që të ishte “kreu dhe plotësonjësi” i besimit të tyre (Hebrenjve 12:2)? Jo vetëm që jeta e tyre do të transformohej, por ata do të bëheshin gjithashtu edhe shembull për të tjerët. “Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd” (Psalmi 110:3)… “Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit” (1 Thesalonikasve 1:11).

Mbrapa

Advertisements