Pushimi (Prehja)

“Kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet” (2 Thesalonikasve 1:7).

Parathënie

Vetëm ata, që janë në Krishtin, arrijnë të gjejnë prehje në momente të vështira. Armiqtë tanë do të shkatërrohen përjetësisht, por ne do të shijojmë prehje (pushim) të vërtetë në Qiell: “Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: “Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin” (Zbulesa 14:13).

Jeta nuk është e lehtë

Në këtë jetë, është e mundur që të kemi paqen e Perëndisë, “që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (Filipianëve 4:7). Por vetëm në Qiell do të mund të kemi atë paqe, që është e përjetshme. Prandaj pra, edhe besimi dhe dashuria këmbëngulëse janë elementë kaq të rëndësishëm në jetën e krishterë, sepse pa to, kjo paqe mund të humbasë përjetë. “Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë” (Hebrenjve 4:1). Ata, që qëndrojnë të patundur dhe vazhdojnë të ecin me Krishtin, pavarësisht nga vuajtjet dhe përndjekjet që kalojnë, do të kenë prehje të përjetshme në praninë e Zotit. Në atë vend pushimi, nuk do të ketë më as frikë, as torturë, as vuajtje, as persekucion, sepse “Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4).

Fillimi i prehjes sonë të përjetshme ka të bëjë gjithashtu edhe me fillimin e periudhës më të vështirë e më të tmerrshme, që ka parë ndonjëherë bota. “Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!” (Mateu 24:21).

Zbulimi i Perëndisë

Gjithçka do të ndryshojë, kur Jezusi të kthehet, për ta marrë popullin e Tij në Qiell e për të jetuar përjetë me Të atje. Ai do të vijë me engjëjt e Tij, për t’i thirrur shenjtorët e Vet, si edhe për të vënë në zbatim fazat përfundimtare të shpërthimit të zemërimit të Perëndisë. Pali e ka fjalën këtu për “Ditën e Zotit“, të cilën ai e ka përmendur edhe më parë tek 1 Thesalonikasve 5:4. Përsa i përket zbulimit të Krishtit, rëndësi për t’u theksuar këtu kanë engjëjt, roli i të cilëve është i dyfishtë: “Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh” (Mateu 13:49-50)…“Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet” (Mateu 25:31)…”Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë” (Marku 8:38). Engjëjt e Krishtit janë “të fuqishëm”, ngaqë janë ngarkuar me përgjegjësi të veçantë prej Perëndisë, për ta zbatuar gjykimin e Tij mbi të ligët. Libri i Zbulesës na i përshkruan me hollësi aktivitetet e ndryshme të engjëjve në ditët e fundit të botës.

Këtu e kemi fjalën për Ardhjen e Dytë të Krishtit, para se Ai të mbretërojë për 1000 vjet mbi tokë. Fjala “shfaqet” (në vargun në hyrje të këtij studimi) nuk është e njëjtë me fjalën “Parousia”, që ka të bëjë me kthimin e Krishtit për t’i marrë (për t’i rrëmbyer) të Tijët në Qiell, por ngjason më shumë me fjalën “Apokalips”, d.m.th. me ardhjen e vërtetë dhe aktuale të Zotit në tokë.

Përfundim

Bibla Studimore e Gjenevës i konsideron këto ngjarje si “një përshkrim shumë të lavdishëm të ardhjes së dytë të Krishtit, që do t’i japë fund si vuajtjeve të atyre që e duan Perëndinë, ashtu edhe triumfit të të ligëve”. Miliona besimtarë kanë vuajtur e kanë vdekur për kauzën e Krishtit dhe sot në botë ka me mijëra të tjerë, që akoma po vuajnë e po vdesin. Ata gjetën prehje në Krishtin, madje edhe para se t’ju varrosej trupi në varr dhe tani janë të kënaqur me prehjen e tyre të përjetshme në praninë e Tij. “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar” (2 Korintasve 4:8-9).

Mbrapa

Advertisements