Pyetja e Davidit

“Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: “O mbret, o imzot!”. Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul. Davidi i tha Saulit: “Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: “Davidi kërkon të të bëj keq?”. Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: “Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit”. Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën! Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje. Ashtu si thotë proverbi i lashtë: “Ligësia vjen nga të liqtë”. Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje. Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht? Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua”” (1 Samuelit 24:8-15).

Parathënie

Edhe pse Davidit i erdhi keq, që ia kishte prerë qoftë edhe sadopak mantelin mbretit Saul, prapëseprapë ai ishte në gjendje ta përdorte këtë situatë, për t’i treguar mbretit se nuk ishte armiku i tij e nuk ia donte të keqen. Pyejta, që bëri Davidi, ishte në vetvete një ligjëratë prej oratori, e mbushur plot me mençuri. Nëpërmjet saj, ai ishte në gjendje t’i tregonte Saulit se e kishte gabim, që e trajtonte Davidin si tradhtar.

 

Respekti

Davidi iu përkul Saulit, gjë që tregon se ai kishte një respekt të madh për mbretin, të cilin e konsideronte si të vajosurin e Perëndisë. “Davidi e quan Saulin ‘atë’, ngaqë ai nuk ishte thjesht mbreti dhe ati i kombit, por edhe vjerri i tij. Një baba duhet të ketë dhembshuri ndaj të birit. Nuk është një gjë e natyrshme për një princ, që të kërkojë t’i shkatërrojë shërbëtorët e tij, ashtu siç nuk është e natyrshme që një baba t’i shkatërrojë fëmijët e vet” (Mateo Henri).

Kjo nuk do të thotë se Davidi nuk ia vuri re Saulit mëkatin dhe ligësinë e tij, por se ai besonte se ishte Perëndia Ai, që e kishte bërë Saulin mbret. Davidi iu drejtua Perëndisë, që të bëhej gjykatës mes atyre të dyve dhe që të hakmerrej për ligësinë e Saulit.

Edhe pse mund të mos biem dakort me udhëheqësit e korruptuar të kombit tonë, prapëseprapë jemi thirrur, që t’i nderojmë ata dhe të lutemi për ta. “Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia. Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin. Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen” (Romakëve 13:1-4)… “Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder” (1 Timoteut 2:1-2).

Qortimi

Davidi u tregua trim, kur e qortoi mbretin, që po e trajtonte si armik. Ai përdori një fjalë të urtë, për ta përshkruar Saulin si të ligë. Me pak fjalë, pra, Sauli po e shkatërronte vetveten, duke pasur qëllimeve të liga ndaj Davidit.

Ai i thotë Saulit se e kishte gabim, që kujtonte se Davidi po thurte komplot për ta rrëzuar nga froni. I sugjeron mbretit se ai po iua vinte veshin dëshmitarëve të rremë, në vend që të dëgjonte zërin e Perëndisë dhe zërin e arsyes. Davidi i thotë mbretit se sa të lehtë e kishte patur për ta vrarë, se këtë donin edhe ca nga njerëzit e tij. Por ai vetë nuk donte ta shkatërronte mbretërinë. Duke i cituar mbretit këto fakte, Davidi po thoshte se ai ishte i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave, që i ishin bërë.

Copa e mantelit në duart e Davidit ishte provë e mjaftueshme për Saulin, që të bindej se nuk ishte aspak e arsyeshme, që ta trajtonte Davidin kaq ashpër, duke i shkuar nga pas sikur të ishte qen. Tek vargu 11, Davidi përdor fjalën “shiko”, për t’ia paraqitur hapur Saulit faktet, ashtu siç vepron edhe një gjykatës i mirë. E gjitha kjo për t’i treguar Saulit se Davidi nuk kishte mëkatuar ndaj tij, qoftë me mendime, qoftë me fjalë, apo me vepra. Edhe pse Davidi ishte i hidhëruar prej të ligave, që i kishte bërë Sauli, prapëseprapë ai e lë hakmarrjen në dorë të Perëndisë. “Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën” (Romakëve 12:19-21).

Kërkesa

Davidi e krahasoi veten me një qen e me një plesht, dy krijesa këto që, në ato kohë, konsideroheshin si kafshë të ndyra. Në këtë mënyrë, Davidi po përpiqej ta ndihmonte Saulin, që ta kuptonte se sa qesharak ishte fakti që ai, mbreti i Izraelit, po i turrej mbrapa një njeriu si Davidi. Në fund të ligjëratës së tij, Davidi iu lut Perëndisë, që të vazhdonte ta çlironte prej kthetrave të Saulit. Ndoshta e kuptoi se mbretit shumë shpejt do t’i ndërrohej mendja dhe do t’i turrej përsëri Davidit për ta vrarë. Një lutje e tillë ishte një kërkesë, që i drejtohej edhe Saulit. A nuk po e kuptonte dot ai se ishte çmenduri t’i turrej Davidit nga pas?    

Përfundim

Pa dyshim që Davidi shpresonte se Sauli do ta linte rehat, por fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Qeveritë e liga nuk bëhen kurrë shokë me popullin e Perëndisë. Prandaj, pak rëndësi ka se sa herë iu drejtohemi atyre për ndihmë, prapëseprapë ato do të na turren mbrapa për të na sulmuar. Kjo histori na tregon se edhe kur politikanët mëkatojnë pa masë, ne prapëseprapë duhet të lutemi për ta, t’i respektojmë postet që mbajnë dhe të mos hakmerremi kurrë kundër tyre. Si Davidi, ashtu edhe ne, e dimë se Perëndia ka për t’i gjykuar armiqtë tanë, po qe se nuk pendohen. Ashtu siç e ka thënë edhe Gjon Uesli, shprehja “të më japë hak” do të thotë se “Perëndia do të hakmerret, nëse ti vazhdon të thurësh plane të liga kundra meje, për të më shkatërruar”.

Mbrapa

Advertisements