Pyetja

Të paktën tre herë në Dhiatën e Re na bëhet një pyetje e rëndësishme lidhur me shpëtimin dhe jetën e përjetshme. Çdo herë përgjigja është pothuajse e njëjtë, duke na treguar kështu mënyrën e vërtetë të marrjes së shpëtimit. Kur kësaj pyetjeje i jepet një përgjigje tjetër, ndryshe nga ajo e Dhiatës së Re, atëherë shpëtimi nuk mund të merret dot. Detajet që e rrethojnë një pyetje të tillë, na tregojnë gjithashtu edhe arsyet që e pengojnë njeriun prej së përjetuarit të jetës së përjetshme.

Çfarë duhet të bëjmë?

Atëherë e pyetën: “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?” (Gjoni 6:28).

Së pari, vini re se si e formulojnë pyetjen Judenjtë. Teologjia e tyre, ashtu si të gjitha teologjitë e tjera të botës, bazohet tek veprat që duhet të bëjë njeriu, për ta kënaqur perëndinë e tij, d.m.th. judenjtë janë mëse të bindur se duhet të bëjnë patjetër diçka, me qëllim që të marrin jetën e përjetshme. Prandaj edhe ata i përgjigjen pyetjes së mësipërme, duke na e tërhequr vëmendjen tek Ligji, ose më saktë, tek zbatimi pikë-për-pikë i Ligjit të Moisiut. Feja e tyre e ka bazën, pra, thjesht tek të bindurit pa besim, për të blerë prej Perëndisë shpëtimin, që Ai e ofron falas! Duke patur parasysh këtë fakt, e kuptojmë se sa shumë të drejtë ka i Gjithëpushtetshmi të dëshpërohet, kur sheh njerëz, që mundohen ta blejnë atë, për të cilën Ai vetë dha “djalin e Tij të vetëmlindur” (Gjoni 3:16). Gjithashtu e vëmë re nga mënyra e të pyeturit se judenjtë e kishin hedhur poshtë me kohë idenë se shpëtimi është një dhuratë falas e hirit të Perëndisë. Sipas tyre, shpëtimi mund të arrihej vetëm nëpërmjet kryerjes së veprave të mira. Një jude tjetër, një farise i të njëjtit besim, e dinte mirë se si mund të shpëtohej njeriu. Apostulli Pal na deklaron tek Titit 3:5-6, “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë”. Pse nuk kanë vlerë veprat e mira? Veprat shkaktojnë mendjemadhësi, duke i dhënë kështu mundësinë djallit për t’ia vjedhur lavdinë Perëndisë dhe drejtësinë e vërtetë mëkatarit. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Në fakt, atyre që punojnë për t’u shpëtuar, Bibla iu thotë se të gjitha veprat e tyre të drejta dhe të mira janë si rroba të ndotura në sytë e Perëndisë (shiko Isaia 64:6).

Përgjigja që Jezusi i jep pyetjes së judenjve është jashtëzakonisht e shkurtër dhe e fuqishme. “Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar” (Gjoni 6:29). “Thjesht besoni”, – tha Ai. Ndoshta ata prisnin një fjalim lidhur me rëndësinë e Ligjit, por, përkundrazi, Krishti iu foli rreth besimit. Punë më të lehtë sesa kjo nuk kishte! Judenjtë do të ishin bërë me krahë, po qe se Krishti do t’iu kishte thënë që të bënin një listë të gjatë veprash të mira, apo të luteshin me orë të tëra. Por jo – “thjesht besoni tek Unë”, iu tha Ai. Ç’gjë e trishtuar është, pra, kur sheh njerëz që janë shumë fetarë, tek punojnë aq shumë për ta kënaqur Perëndinë, por një ditë kanë për ta kuptuar se e kanë hedhur poshtë të vetmin Shpëtimtar! Vetëm besimi e kënaq Perëndinë, sepse ai që beson, e pranon se mënyra e Tij e shpëtimit është absolutisht më e mira. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Judenjtë, për shkak të fesë, nuk i dhanë dot përgjigje pyetjes së tyre.

Pasaniku

“Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?” (Marku 10:17).

Kjo pyetje është pothuajse e njëjtë si ajo e para, por në këtë rast, Zoti Jezus i jep asaj një përgjigje pak më të gjatë, që në thelb është pothuajse e njëjtë si e para. Jezusi e pyeti djaloshin se ç’njohuri kishte rreth Ligjit të Moisiut dhe nëse e zbatonte atë apo jo. Ky njeri pa dyshim që mundohej të jetonte sipas standarteve të fjalës së Perëndisë, ndaj edhe Jezusi e përgëzon atë për këtë fakt. Nuk ishte në të njëjtin nivel me drejtuesit fetarë, sepse ata thjesht kishin njohuri rreth Biblës, kurse ai me gjithë zemër i vinte në praktikë ato që lexonte. E megjithatë, edhe pse e dinte se jetonte një jetë të drejtë, prapëseprapë e kuptonte se i mungonte diçka. Duke bërë një pyetje të tillë, ai e kishte kuptuar se thjesht të bindurit ndaj Ligjit nuk ia plotësonte dot të gjitha nevojat shpirtërore. Të jetuarit e një jete kaq shembullore nuk i sillte dot shpëtimin.

Sigurisht që Jezusi mund t’i kishte dhënë këtij djaloshi po të njëjtën përgjigje, që iu dha edhe drejtuesve fetarë, por kjo do të thoshte se Ai po e neglizhonte problemin e tij – arsyen që e pengonte atë prej marrjes së shpëtimit. Problemi i judenjve ishte feja. Problemi kryesor i këtij djaloshi ishte pasuria. Pasuria që kishte, po e pengonte së hyri në Mbretërinë e Perëndisë. “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq” (Marku 10:21). A e shihni, pra, se të dyja përgjigjet janë në fakt të njëjta? Judenjve iu tha të besonin tek Ai, pasanikun e thirri që ta ndiqte. Mos, vallë, ky i dyti duhe të bënte diçka për t’u shpëtuar? Jo, sepse problemi i tij nuk ishte thjesht se kishte pasuri, por se pasuria e kishte bërë skllav të sajin. “Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri” (Marku 10.22). Ajo “gjë” ishte e mjaftueshme për ta larguar prej besimit në Jezusin.

Ç’duhet të bëj unë?

Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?” (Veprat e Apostujve 16:30).

Një pyetje e tillë doli nga zemra e një njeriu, që ishte gati për ta zbatuar çfarëdolloj përgjigje që do të merrte. Ai ishte gati madje për ta dhënë edhe jetën e vet, ndaj edhe ishte gati për të marrë atë që e dinte se vërtet i nevojitej. “Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur” (Veprat e Apostujve 16:27). S’kishte nevojë për fenë – Roma ishte e mbushur me fe nga më të ndryshmet. As për pasuri, sepse si do ta kuptonte se sa shumë pasuri i duheshin për ta bërë të lumtur?

Përgjigja që mori, e drejtoi tek i vetmi Ai, që mund t’ia shpëtonte shpirtin. “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Veprat e Apostujve 16:31). Vini re përsëri të vërtetën e thjeshtë që Pali dhe Sila i thanë rojtarit të burgut. Thjesht besimi në Krishtin ishte mëse i mjaftueshëm për t’u shpëtuar. Nuk i thanë që t’i zbatonte të gjitha ligjet e judenjve, apo që t’iu jepte para për ta blerë jetën e përjetshme. Ç’vepër mund të kryente ai, për të treguar se ishte penduar me të vërtetë për mëkatet? Thjesht i thanë që të besonte. “Vetëm ki besim!” (Marku 5:36) – kjo shprehje është themeli i shpëtimit. Gjithçka tjetër është mohim i hirit falas dhe të pamerituar, që na ofron Perëndia.

Përfundim                    

Pse iu themi mëkatarëve që të bëjnë diçka për t’u shpëtuar? Shko në kishë, bëj një lutje, bindju urdhërimeve, etj. etj. Asnjëra prej këtyre veprave nuk mund ta shpëtojë dot njeriun prej mallkimit. Bibla na e bën të qartë se ç’përgjigje duhet t’iu japim atyre që na bëjnë një pyetje të tillë. Duhet t’iu themi që të besojnë në Jezus Krishtin. Po, vërtet që më pas duhet të jetojnë një jetë plot bindje ndaj Tij, por në fillim duhet të besojnë. Nëse dikush nuk e do Perëndinë, atëherë nuk ka sesi t’i bindet Atij me gjithë zemër. Ç’duhet bërë për t’u shpëtuar? Absolutisht asgjë! Pse? Sepse Perëndia ka bërë gjithçka për ne në Krishtin. Kur nuk e besojmë këtë fakt, por thjesht jetojmë një jetë të mbushur me vepra të mira për ta merituar jetën e përjetshme, atëherë e quajmë Perëndinë gënjeshtar dhe të pabesë. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:1-2).

Mbrapa