Qëndrimi pranë plaçkave

“Pastaj Davidi arriti te dyqind njerëzit që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar pas Davidit që ai i kishte lënë në përruan e Besorit. Këta i dolën para Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kështu Davidi iu afrua atyre dhe i përshëndeti. Atëherë tërë njerëzit e këqij dhe të poshtër që kishin shkuar me Davidin filluan të thonë: “Me qenë se këta nuk erdhën me ne; nuk do t’u japim asgjë nga plaçka që kemi shtënë në dorë, përveç grave dhe fëmijve të secilit; t’i marrin dhe të ikin!”. Por Davidi tha: “Mos u sillni kështu, o vëllezërit e mi, me atë që Zoti na ka dhënë duke na mbrojtur dhe duke vënë në duart tona bandën që kishte ardhur kundër nesh. Po kush do t’ju dëgjojë në këtë propozim? E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t’i ndajmë pjesët bashkë”. Qysh prej asaj dite u veprua kështu; Davidi e bëri atë statut dhe normë për Izraelin deri në ditën e sotme” (1 Samuelit 30:21-25)

 Parathënie   

Davidi dhe 600 burra të tjerë i kishin ndjekur Amalekitët këmba-këmbës, por, kur arritën tek përroi i Besorit, dyqind prej tyre ishin aq të lodhur, saqë nuk mund të luftonin dot më (1 Samuelit 30:10). Katërqind ushtarët e tjerë e vazhduan akoma luftën kundër armikut dhe “Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën” (vargu 17). Jo vetëm që iua rimorën Amalekitëve gjithçka që ata iua kishin vjedhur por, në fakt, Davidi dhe ushtarët e tij morën me vete edhe një plaçkë të madhe lufte. Fatkeqësisht, ca prej ushtarëve të Davidit, edhe pse ishin treguar të guximshëm gjatë luftës, u konsideruan si të padenjë, për shkak të sjelljes së tyre të keqe ndaj dyqind njerëzve të tjerë, që kishin qëndruar në kamp për të ruajtur plaçkat. Ata thanë, p.sh. se të dyqindtët ishin frikacakë dhe dembelë, ndaj edhe nuk meritonin asgjë nga plaçka e luftës. Davidi iu doli në mbrojtje këtyre dyqind vetave, duke deklaruar se ata që kishin ruajtur mallin e Izraelit e meritonin shpërblimin, po aq sa edhe ata që kishin luftuar në betejë. Një deklaratë e tillë u bë statut në Izrael dhe egziston si ligj edhe sot e kësaj dite.

Talentat e përdorura

Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë. Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë” (Luka 12:47-48).

Statuti i Davidit bazohet tek parimi, që gjendet në shumë shëmbëlltyra të “Mbretërisë së Qiellit”, të shpjeguara prej Zotit Jezus Krisht. Perëndia na kërkon që ta bëjmë atë, që Ai na vë si detyrë përpara dhe më pas, na bekon. Tek shëmbëlltyra e talentave (shiko Mateun 25:14-30), vëmë re se shërbëtorëve të ndryshëm iu dhanë përkatësisht një, dy dhe pesë talenta. Secilit prej tyre i duhej ta përdorte atë që i ishte dhënë “sipas zotësisë së tij” (Mateu 25:15) – as më pak, as më shumë sesa aq. Ata me dy dhe pesë talenta i dyfishuan paratë e tyre, kurse ai me një talent u tregua dembel. Ne zakonisht e përqëndrojmë më shumë vëmendjen tek veprimi i shërbëtorit të ligë dhe të pabesë, por nuk duhet ta neglizhojmë faktin se dy të tjerët, pavarësisht nga shuma e ndryshme përfundimtare e talentave të tyre, morën prapëseprapë të njëjtin shpërblim dhe të njëjtën lavdërim. “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21, 23). Këta dy shërbëtorë, ashtu si edhe dyqind njerëzit e Davidit, bënë të pamundurën me atë që kishin. Nuk ishin treguar aspak përtacë, as neglizhues, as indiferentë, por, në fakt, i ishin bindur plotësisht të zotit të tyre. Perëndia ndëshkon vetëm atë, që është i pabindshëm dhe dembel. “Flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh” (Mateu 25:30). Jezusi nuk na e toleron përtacinë, sidomos kur kemi mundësi për t’i shërbyer Atij me tërë forcën tonë!

Talentat e bekuara

Kështu, pra, ata që qëndruan pranë plaçkave, do të merrnin saktësisht të njëjtin bekim si ata që luftuan në betejë. Nganjëherë një vendim i tillë mund të mos na duket i drejtë. Por le ta marrim në konsideratë shëmbëlltyrën e vreshtit (shiko Mateu 20:1-16). Vreshtari pajtoi me mëditje punëtorë, për t’ia punuar vreshtin gjatë orëve të caktuara të ditës. Secili prej tyre ra dakort të punonte për një denar në ditë. Por, kur ata që kishin punuar për një kohë më të gjatë sesa të tjerët, e panë se secili mori të njëjtën pagë, filluan të ankohen, ngaqë prisnin më shumë. Ah, qënia njerëzore, sa shpejt shfaq ndjenja mendjemadhësie dhe smire!

A vërtet kujtojmë se jemi të denjë për të marrë bekimet e Perëndisë, ngaqë kemi bërë më shumë për Të, sesa të tjerët? Mbretëria e Perëndisë ka rregulla të tjera! Edhe pse në parajsë do të ketë nivele të ndryshme shpërblimi, prapëseprapë secili prej nesh do të ndihet përjetësisht i lumtur me atë që do të na japë Zoti. E pse nuk e vëmë, pra, në praktikë po të njëjtin parim edhe këtu në tokë? Ai që pendohet dhe kthehet tek Krishti qoftë edhe një minutë para se të vdesë, është po aq i denjë për Mbretërinë e Perëndisë sa edhe ai, i cili i ka shërbyer Zotit për dekada me rradhë. Si shërbëtori me dy talenta, ashtu edhe ai me pesë, përjetuan të njëjtin nivel gëzimi. Ne të gjithë do të marrim “denarin” e shpërblimit tonë në Qiell!

Fakti që kujtojmë se meritojmë të marrim më shumë sesa të tjerët, tregon se kemi lakmi në zemër dhe se dëshirojmë që të na lavdërojnë. Nuk duhet të sillemi kështu, nëse duam të jemi të dobishëm për Krishtin. “Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim” (Luka 17:10). Për më tepër, duhet t’i shërbejmë Zotit pa e krahasuar vazhdimisht veten me besimtarët e tjerë. Perëndia nuk e pranon kurrë atë që thotë: “Unë jam më i mirë se shoku”. Kur Jezusi i tha Pjetrit, që t’ia kulloste delet (Gjoni 21:15-19), Pjetri, duke vështruar Gjonin, iu përgjigj: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?” (Gjoni 21:21). Ndoshta Pjetri donte ta dinte nëse të tjerët ishin po aq të denjë sa edhe ai, kur vinte puna për të punuar për Perëndinë. Jezusi e qortoi Pjetrin, duke i thënë: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!” (Gjoni 21:22). Le të bëjmë, pra, atë që na thotë Zoti, sepse aq na kërkon Ai, as më shumë, as më pak.

Përfundim                    

Secili prej nesh luan një rol të rëndësishëm në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Krishtit. Askush nuk është më i rëndësishëm për Zotin sesa të tjerët. Dikush predikon fjalën, një tjetër shërben nëpër tryeza, por le të mos mendojmë kurrë se jemi më të mirë sesa të tjerët, apo se meritojmë më shumë bekime. Mund të qëndrojmë pranë plaçkave, por jemi po aq të rëndësishëm për rritjen e Mbretërisë, sa edhe ata që shkojnë për të luftuar në betejë.

Mbrapa