Qëndroji larg së ligës

“Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22).

Parathënie

Besimtari në Zotin Jesus Krisht duhet të jetë në gjendje ta dallojë çdo lloj forme të së ligës, qoftë në të folur, qoftë në vepra, apo në doktrinën biblike. Dhe jo vetëm kaq, por ai duhet t’i mënjanohet të ligës. Në Biblën Studimore të Gjenevës thuhet kështu: “Hiqni dorë madje edhe nga ajo që duket sadopak si e ligë”. Pali i këshillon të krishterët që të mos merren me ato gjëra, që nuk duken të shenjta.

Hiqni dorë

Në hyrje të këtij studimi, kemi zgjedhur shprehjen “qëndro larg”, pikërisht për të treguar atë që vetë Pali kërkon të na shpjegojë në këtë pasazh biblik. Në fjalorin Meriam-Uebster, kjo shprehje përkufizohet në këtë mënyrë: “i larguar apo i distancuar ose nga ana fizike, ose nga ana emocionale”. Pikërisht, pra, kështu duhet të veprojmë edhe ne ndaj së ligës. Këtë kuptim ka edhe shprehja “hiqni dorë”. Për më tepër, kjo shprehje nënkupton abstenim. Tek faqja e internetit http://www.wiktionary.org shprehja “hiqni dorë” përkufizohet kështu: “të qëndrosh larg, ta përmbash veten, sidomos kur bëhet fjalë për oreksin, apo për pasionet dhe epshet”.

Cilës së ligë duhet t’i qëndrojmë larg? Ka nga ata, që thonë se duhet t’i shmangemi çdo lloj forme të së ligës, që vjen si pasojë e tundimit, si p.sh. mendimeve apo veprimeve të këqija. Por, në këtë varg, apostulli i referohet më shumë veprimeve dhe doktrinave (apo mësimeve) të liga të të tjerëve. Kjo pikëpamje përputhet edhe me 1 Thesalonikasve 5:21, “Provoni të gjitha, mbani të mirën“. Pra, apostulli nuk e ka fjalën për ato të liga brenda vetes sonë, nga të cilat, pa dyshim, që duhet të heqim dorë. Ai na thotë se duhet t’i qëndrojmë larg të ligave që shohim tek të tjerët, si p.sh. t’i qëndrojmë larg atyre, që pretendojnë se profetizojnë në emër të Frymës. Në komentimin që i bëjnë Biblës, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun, thonë kështu në lidhje me këtë varg: “Kur e sheh se këta të ashtu-quajtur profetë dhe profecitë e tyre janë të liga, qëndro larg prej tyre, edhe pse ato mund të mos duken të tilla nga paraqitja e jashtme”. “Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira” (1 Korintasve 15:33). I ligu dhe ata që i shkojnë pas atij, kanë si qëllim, që të na e prishin dhe të na e shkatërrojnë besimin tonë. “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10). Ata që e njohin zërin e Krishtit dhe që i bindin Atij, nuk kanë për t’u mashtruar: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).

Siç e përmendëm edhe më lart, ka shumë rëndësi që besimtarët të heqin dorë nga çdo lloj forme e së ligës. Duhet t’i qëndrojmë larg çdo gjëje, që duket se është mëkat, apo që të çon në mëkat, apo që na sugjeron për të kryer mëkat. Ata që nuk pranojnë të ecin në shenjtëri, pa dyshim se nuk kanë dëshirë fare që t’i shmangen tundimit, por, përkundrazi, bien kokë e këmbë në mëkat. Po qe se nuk egziston pendim i vërtetë, pasojat e një mëkati të tillë janë të pamënjanueshme. “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen” (Jakobi 1:14-15). Ky mendim përmendet edhe tek 1 Thesalonikasve 4:3-7, “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë, dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam. Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim“.

Kush mund t’i bindet një urdhërimi të tillë?

Nuk ia vlen që Pali t’iu japë këshillë atyre, që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar, që të heqin dorë nga çdo dukje e ligë, sepse njerëz të tillë nuk janë në gjendje të veprojnë në këtë mënyrë. Pra, ngaqë Pali po iu drejtohet vetëm besimtarëve, duhet të themi se të gjithë ata, që thonë se janë pasues të Krishtit, duhet të ecin në shenjtëri dhe të heqin dorë nga e liga, doktrina e rreme dhe nga gjithçka tjetër, me anë të së cilës djalli kërkon t’i shkatërrojë. “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:8-9). Ai që vazhdon t’i shkojë së ligës sipas qejfit, e vërteton se nuk e njeh mirë Perëndinë. “Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë” (3 Gjonit, vargu 11). Perëndia do që të pendohemi, nëse biem në tundim. “Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq… Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:16, 18).   

Përfundim

Në një komentim që i bëjnë Biblës, ca interpretues thonë kështu: “Mbani (shtrëngoni) fort të mirën, por mbajeni veten larg nga çdo lloj e lige, që kërkon të duket si një përfaqësim i vërtetë i Frymës”. Këtë kuptim ka edhe vetë letra e 1 Thesalonikasve. Si besimtarë që jemi, e kemi për detyrë që t’i shmangemi së ligës, pavarësisht nga format e ndryshme, që mund të marrë ajo. Prandaj, pra, edhe vargu i këtij studimi përputhet mirë me thirrjen e Palit për të ecur në shenjtëri. “Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm”. Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Korintasve 6:17-7:1).

Mbrapa

Advertisements