Qëndroni të patundur!

“Por tani që u kthye Timoteu prej jush dhe na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se ju ruani gjithnjë një kujtim të mirë për ne dhe keni mall të madh që të na shihni, sikurse edhe ne t’ju shohim juve, prandaj, o vëllezër, ne u ngushëlluam për ju, me gjithë pikëllimin dhe vuajtjet tona, për hir të besimit tuaj, sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin. Sepse çfarë falënderimi mund t’i drejtojmë Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin që ndiejmë për shkakun tuaj përpara Perëndisë sonë, duke u lutur shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj?” (1 Thesalonikasve 3:6-10).

Parathënie

Ka me dhjetëra revista misionare, që paraqesin problemet dhe vështirësitë e të krishterëve në vendet komuniste, myslimane dhe katolike. Por, edhe pse mund të lexojmë rreth vuajtjeve të tmerrshme që po kalojnë këta besimtarë për shkak të Krishtit, prapëseprapë, inkurajohemi kur e shohim se sa të vendosur janë ata për të jetuar për Zotin, madje edhe atëherë kur vetë jeta e tyre është në rrezik. Arsyeja pse gëzohemi nuk është vuajtja, apo persekucioni, por besimi, që duron deri në fund.

Besimi durimtar

Palit iu bë zemra mal, kur mori vesh se të krishterët thesalonikas po vazhdonin në besim, pavarësisht nga persekucioni që po përjetonin. Nga ana mishore, nuk arrijmë ta kuptojmë dot se si mund të gëzohej Pali, duke e ditur se ata që i donte, po vuanin kaq shumë. Por, nga ana shpirtërore, e kuptojmë se ai u gëzua, ngaqë durimi i tyre në periudhë vuajtjeje tregonte se ata ishin të krishterë të vërtetë. Me shprehjen “Tani rrojmë me të vërtetë”, Pali e ka fjalën për freskimin shpirtëror, që i solli lajmi se besimtarët po qëndronin të patundur në Zotin dhe nuk po e kompromentonin besimin. “Aq shumë i donte ai ata, saqë arriti të thoshte se lajmi i mirë që mori prej tyre, ia përtëriu shpirtin!” (Nga Dhiata e Re e Popullit). “Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur” (Filipianëve 4:1).

Kur i ngushëllojmë ata që vuajnë, ne thjesht ndajmë me ta ngushëllimin që kemi marrë vetë nga Perëndia: “Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:3-4).

Lëvduar qoftë Perëndia!

Pali e lavdëroi Perëndinë për besimin e patundur të besimtarëve, që po vuanin. Kishte qenë tepër i shqetësuar, para se të merrte vesh rreth durimit të tyre (shiko 1 Thesalonikasve 3:1). Por, tani, zemrën e kishte të mbushur me falenderim ndaj Zotit, tek i kujtonte ata çdo ditë në lutje.

Po neve, a na bie ndër mend që të lutemi për besimtarët, që persekutohen në mbarë botën? A na bie ndër mend që të lutemi për ata besimtarë, që vuajnë madje edhe në vendin tonë? Është mëkat, po të mos lutemi për ata që vuajnë! “Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju” (1 Samuelit 12:23). Duhet të lutemi që këta besimtarë të vazhdojnë të qëndrojnë të fortë në besimin e tyre në Krishtin: “Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 20:32). Vetë fjalët e Krishtit na e ilustrojnë faktin se duhet të lutemi për besimin e të tjerëve: “Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu” (Luka 22:31-32).

Besimi i pjekur

Apostulli mezi priste që t’i shikonte besimtarët thesalonikas, që t’i inkurajonte edhe më shumë në besim. Fjala “plotësoj” (në vargun 10) ka kuptimin e pjekurisë në Krishtin – do të thotë “të pajis, të rregulloj e të furnizoj”. Kjo fjalë është e ngjashme me fjalën “ndreqnin”, që gjendet në tekstin në greqisht të Markut 1:19, “Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë“. Kjo na sugjeron, pra, se asnjë besimtar nuk është aq i fortë në besim, saqë të mos ketë më nevojë për mësim e korrigjim. Gjon Uesli ka thënë: “Shën Pali e dinte, pra, se ata, që janë në shkëmb, kanë nevojë të mësohen prej të tjerëve”.

Pa dyshim, besimtarët thesalonikas u inkurajuan shumë prej letrave që iu kishte shkruar Pali. Në të njëjtën mënyrë, edhe në të shkuarën, letrat e besimtarëve ishin burim gëzimi e ngushëllimi për ata që persekutoheshin në vendet e huaja. Ashtu siç u futën kontrabandë letrat e Palit drejtuar besimtarëve thesalonikas, ashtu edhe letrat dhe dhuratat e të krishterëve në mbarë botën arritën tek vëllezërit dhe motrat e tyre të burgosur në burgjet e komunistëve.

Përfundim                      

Nuk mjafton vetëm që t’iu mësojmë të tjerëve të vërtetën që thotë Bibla. Duhet gjithashtu që t’i mbështesim ata si në lutje, ashtu edhe me fjalë inkurajuese. Askush nuk arrin të ketë një besim të përsosur në këtë botë, sepse vazhdimisht rritemi në njohurinë e Zotit. Besimi i gjithsecilit prej nesh transformohet nga dita në ditë, tek vazhdojmë të ecim pa u lëkundur me Krishtin. Të gjithë ne, si besimtarë, rritemi “nga besimi në besim” (Romakëve 1:17). Prandaj, le të mos harrojmë të lutemi për njëri-tjetrin, si edhe për besimtarët e tjerë në vendet e largëta: “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58).   

Mbrapa

Advertisements