Qofi – Fjala forcuese

Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.” (Psalmi 119:145-152).

Parathënie  

Në këtë pasazh, autori i psalmit i lutet tre herë Zotit. Ai ka besim se Perëndia do t’i përgjigjet dhe do ta çlirojë prej problemeve, nëse autori i vë në zbatim urdhërimet e Tij.

Kërkesa ndaj Perëndisë

E shohim se lutja e autorit është shumë emocjonale. Nuk është lutje fetare, apo formale, por një lutje që del nga zemra. Ai i lutet Perëndisë që ta dëgjojë, që t’i përgjigjet dhe t’i shpjegojë se përse po vuante një persekutim kaq të madh në jetë. Duket sikur po i thoshte Zotit: “Zot, jam treguar besnik ndaj fjalës Sate, por pse po vuaj kaq shumë? Kur do të më çlirosh?” Edhe ne nganjëherë jemi lutur kështu, kur jemi ballafaquar me vështirësi të ndryshme. E megjithatë, autori nuk po i kërkon llogari Zotit. Përkundrazi, ai është i vendosur për të vazhduar për të jetuar sipas fjalës së Tij. Pyetjet e tij nuk dalin prej një zemre mëkatare apo të pabindur, por prej një zemre që është e përkushtuar ndaj Zotit. Ai dëshiron që Perëndia të ndërhyjë dhe ta shpëtojë prej vuajtjes. Me siguri që kishte kohë që vuante dhe që i lutej Zotit. Në fakt, ankthi e linte pa gjumë. Po ne, si veprojmë në një situatë të tillë? A merakosemi gjithë natën? Autori i psalmit vërtet që nuk mund të flinte dot, por, në vend që të merakosej, ai meditonte mbi fjalën e Zotit, sepse e dinte se Perëndia do t’i përgjigjej. “Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur, duke thënë:“Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri. Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë:”Ma jep të drejtën para kundërshtarit tim”. Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete:”Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s ‘kam respekt për asnjeri, duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë” ”. Dhe Zoti tha:“Dëgjoni ç ‘thotë gjykatësi i padrejtë. Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? Po, unë ju them se ai do t’ ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:1-8).

Prania e Perëndisë

Zoti iu përgjigjet lutjeve tona, jo sipas fjalëve që themi, apo në bazë të situatës fizike ku ndodhemi, por sipas “mirësisë” dhe “dekretit” të Tij. Autori i kishte armiqtë “afër vetes”,  por ai ka besim gjithashtu se Zoti i ishte “afër” për ta çliruar. Është pikërisht një siguri e tillë – prania e Perëndisë, që na e largon çdo lloj frike, që vjen prej atyre që duan të na shkatërrojnë. “Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?” (Psalmi 118:6)… “Sepse vetë Perëndia ka thënë:“Nuk do të të lë, nuk do të të braktis ”. Kështu mund të themi, me plot besim:“Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç ‘do të më bëjë njeriu?” (Hebrenjve 13:5-6). Perëndia është besnik dhe fjalës së Tij duhet t’i zëmë besë. “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë” (Numrave 23:19), ndaj edhe le të mbështetemi tek ky fakt se Ai gjithmonë ka për t’i qëndruar besnik fjalës së Tij. A është e mundur që t’i përkasësh Zotit, por të mos i besosh fjalës së Tij? A është e mundur të jesh besimtar, por të mos kesh praninë e Zotit në jetën tënde? Ka nga ata të krishterë, që duan ta kenë Zotin me vete, por nuk duan t’i binden fjalës së Tij. Ka të tjerë, që e lexojnë dhe e studjojnë Biblën, por duken sikur janë bosh dhe iu mungon prania e Frymës së Shenjtë. Në fakt, të dyja këto aspekte janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Perëndia nuk gjendet aty, ku fjala e Tij mohohet apo hidhet poshtë. “Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu” (Osea 4:6)… “Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit” (Gjoni 12:48). Autori i psalmit besonte se premtimet e Perëndisë ishin “të vendosura” (apo të themeluara) “përjetë”. Një shprehje e tillë gjendet edhe tek vargu 89-ë: “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë”. Kjo do të thotë se fjala e Perëndisë është përjetësisht e pandryshuar. Ajo nuk ndryshon as me kalimin e kohës, as për shkak të mendimeve të njerëzve. Ajo nuk i përshtatet ideve të ndryshme fetare, por është një themel konstant dhe absolut, mbi të cilin çdo besimtar mund ta ngrejë jetën e vet. E si mund të kishin besim tek ajo fjalë, nëse ajo do të ndryshonte vazhdimisht? “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë” (Isaia 40:8).

Përfundim

E shohim qartë, pra, se kujt i kishte zënë besë autori, pavarësisht nga vështirësitë që po kalonte. Edhe sot, është pikërisht i njëjti Perëndi dhe e njëjta fjalë e Tij, që nuk ndryshojnë, ndaj edhe kemi besim tek Zoti. “Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im” (Isaia 12:2)… “Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti” (Psalmi 56:3). Vetëm Ai është themeli ynë i patundur. “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë” (Psalmi 18:2).

Mbrapa

Advertisements