Regjistrimi i mallkuar i popullsisë

“Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: “Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës”. Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: “Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhe bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj”. Joabi iu përgjigj mbretit: “Zoti, Perëndia yt, ta shumëzojë popullin njëqind herë më tepër nga ç’është dhe sytë e mbretit, të zotërisë tim, të mund ta shohin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron një gjë të tillë?”. Megjithatë urdhëri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit. Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në Aroer, në të djathtë të qytetit që ishte në mes të luginës së Gadit dhe në drejtim të Jezerit. Pastaj shkuan në Galaad dhe në vendin e Tahtim-Hodshit; pastaj vajtën në Dan-Jaan dhe në rrethinat e Sidonit. Shkuan edhe në kalanë e Tiros dhe në të gjitha qytetet e Hivejve dhe të Kananejve, dhe arritën në jug të Judës, deri në Beer-Sheba. Kështu përshkuan tërë vendin dhe mbas nëntë muajsh e njëzet ditë u kthyen përsëri në Jeruzalem. Joabi i dorëzoi mbretit shifrën e regjistrimit të popullsisë: kishte në Izrael tetëqind mijë njerëz të fortë, të aftë për të përdorur shpatën, por njerëzit e Judës ishin pesëqind mijë” (2 Samuelit 24:1-9).

Parathënie

2 Samuelit 22 i përngjan Psalmit 18-të, në të cilin Davidi e lavdëron Perëndinë, që e ka çliruar prej duarve të armikut. Kapitulli 23 i 2 Samuelit fillon me një himn të shkurtër adhurimi, të quajtur me emrin “fjalët e fundit të Davidit” (vargjet 1-7). Kjo duhet marrë në mënyrë simbolike. Këto fjalë janë mendimet e mbretit, lidhur me faktin se si duhet të sillet një mbret ideal. I përngjajnë mbretërimit të Mesias. Pjesa tjetër e kapitullit 23 përmban një listë të emrave të ushtarëve trima e guximtarë të Davidit. Kapitulli 24 na përshkruan zemërimin e Perëndisë ndaj Izraelit dhe numërimin, që Davidi i bëri popullsisë.

Urdhëri

Kjo ngjarje ka mundësi të ketë ndodhur atëherë, kur Izraeli ishte në kohë paqeje e qetësie, duke i dhënë kështu mundësi Davidit, që t’i hidhte një sy ushtrisë së tij. Pa dyshim, ai kishte besim se po tregohej i zgjuar, ngaqë sipas tij, ai po bënte përgatitje për mbrojtjen e ardhshme të popullit të tij, ndaj edhe i dha urdhër Joabit të shkonte e ta numëronte popullsinë e vendit. Nuk donte t’ia dinte shumë se sa banorë kishte Izraeli, por përkundrazi, donte të kishte një forcë sa më të madhe ushtarake. Kështu pra, në fakt, ky nuk ishte një regjistrim i popullsisë, por thjesht një listë rekrutimi, një thirrje nën armë. Në shumën përfundimtare përmblidheshin vetëm ata burra, që mund të përdornin shpatën. Gjithashtu fakti që Davidi i dha urdhër Joabit, komandantit të ushtrisë, që të shkonte e t’i numëronte njerëzit, na vërteton se ky ishte thjesht një rekrutim për në ushtrinë e Izraelit. 

Në vargun e parë të këtij pasazhi na thuhet se Perëndia ishte i zemëruar me popullin e Izraelit, por nuk na thuhet se për ç’arsye. Ka mundësi që ata të kishin mëkatuar dhe të mos i ishin bindur Perëndisë. “Perëndia është një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit” (Psalmi 7:11). Gjykimi i Perëndisë u shfaq në faktin se Ai e lejoi Davidin ta regjistronte popullsinë. Po të lexojmë 1 Kronikasve 21:1, do të shohim se Perëndia e lejoi Satanain, që ta frymëzonte Davidin për të marrë një vendim të tillë të ligë. “Por Satanai u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit”. Nuk mund ta mohojmë faktin se një tundim i tillë i djallit nuk do të ishte kthyer në mëkat, po qe se Davidi nuk do të ishte treguar krenar e mendjemadh. Vini re se si ai thotë: “Dua ta di se sa njerëz kemi”. Fajin e ka, pra, vetë Davidi, jo djalli. Siç do ta shohim edhe më poshtë, Davidi e dëshironte një veprim të tillë.

Shtangia

Në Bibël, Joabin shpesh e shohim të na paraqitet si njeri mizor. E megjithatë, këtu ai tregohet vërtet i mençur. U përpoq ta binte mbretin se regjistrimi i popullsisë ishte një vendim i gabuar, por nuk ia vuri kush veshin. Kur Joabi, që ishte vetë njeri i ligë, e konsideronte këtë vendim si diçka të ligë, atëherë kjo ishte vërtet diçka shumë e ligë! Joabi madje e qortoi mbretin, që dëshironte të bënte diçka të tillë të marrë. I tha se nuk kishte asnjë arsye pse të regjistrohej popullsia, kur Perëndia ishte në kontroll të gjithçkaje. Me guxim të madh, Joabi iu drejtua mbretit: “Pse e bën fajtor Izraelin?” (1 Kronikasve 21:3). E dinte se ky veprim s’kishte për të sjellë bekimin, por gjykimin e Perëndisë. Davidi po ia grabiste lavdinë Zotit, ngaqë po i varte shpresat tek fuqia njerëzore, jo tek Perëndia. Mos vallë, e kishte harruar se ç’kishte shkruar dikur tek Psalmi 20:7? “Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë”.

Joabi nuk e bindi dot Davidin, që të ndrronte mendje. Në vargun 4, na thuhet se edhe udhëheqës të tjerë të ushtrisë, ndoshta të nxitur prej Joabit, u përpoqën ta ngrinin zërin e të flisnin kundër këtij vendimi. E shohim, pra, se Davidi nuk iua vuri veshin këshillave të mençura, por ishte i vendosur për ta çuar deri në fund dëshirën e tij.

Detyrimi

Davidi dha urdhër që dëshira e tij të vihej pikë për pikë në zbatim. Mund të nxjerrim si konkluzjon, pra, se ai iu dha urdhër ushtarëve të tij, që të mëkatonin, duke vepruar kundra ndërgjegjes së tyre. Davidi iu dha urdhër atyre të mëkatonin për hatër të tij! Kështu pra, i ranë vendit lart e poshtë, duke numëruar burrat, që ishin të aftë për shërbim ushtarak. Ka mundësi që edhe Davidi të ketë patur ca rezerva lidhur me këtë regjistrim, sepse i vuri një limit moshës së personave, që do të thirreshin për në ushtri. “Por Davidi nuk bëri regjistrimin e atyre që ishin më pak se njëzet vjeç, sepse Zoti i kishte thënë që do ta shumëzonte Izraelin si yjet e qiellit” (1 Kronikasve 27:23).

U deshën pothuajse 10 muaj për ta regjistruar të gjithë popullsinë e aftë për luftë. Joabi u kthye tek mbreti me një shifër, por kjo nuk ishte shifra e saktë. “Joabi, bir i Tserujahut, kishte filluar regjistrimin e popullsisë por nuk e kishte përfunduar; prandaj zëmërimi i Zotit goditi Izraelin” (1 Kronikasve 27:24). Siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm, Perëndia ndërhyri, duke e gjykuar popullin. Për më tepër, Davidi as që nuk e mbajti fare shënim numrin e të regjistruarve! “Numri i të regjistruarve nuk u përfshi në Kronikat e mbretit David” (1 Kronikasve 27:24).

Përfundim

Të gjithë ne bëjmë nganjëherë gjëra të marra. Nuk pranojmë t’i vëmë në zbatim udhëzimet e qarta të fjalës së Perëndisë, apo këshillën e mençur të të tjerëve. Davidi dëshironte ta regjistronte popullsinë, por ky veprim doli thjesht një humbje kohe dhe humbje jete, sepse shumë njerëz vdiqën si pasojë.

Mbrapa

Advertisements