Rëndësia e Ungjillit

Teksti i studimit: Nehemia 8:1-9

Parathënie   

Sot, ungjilli i Krishtit sulmohet nga të gjitha anët, por më e keqja është se ky ungjill shtrembërohet prej atyre, që duhet ta predikojnë dhe ta vënë atë në praktikë! Themeli i besimit të krishterë është Bibla e Shenjtë. Çfarëdo lloj themeli tjetër është thjesht herezi!

Kur banorët e Judës u kthyen në Jeruzalem, e gjetën qytetin e tyre të dashur komplet të shkatërruar dhe menjëherë iu vunë punës për ta rindërtuar. Por puna më e rëndësishme nga të gjitha nuk ishte vetëm rindërtimi i mureve mbrojtëse, por rindërtimi i themeleve shpirtërore. Prandaj edhe u mblodhën së bashku, për ta dëgjuar priftin Ezdra tek predikonte fjalën e Perëndisë. Predikimi i tij i bindi dhe i bekoi, ndaj edhe filluan ta adhuronin dhe ta lavdëronin Zotin. “Dhe tërë populli u përgjigj: “Amen, amen,” duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit” (Nehemia 8:6). Predikimi i së vërtetës i bëri njerëzit që ta adhuronin Perëndinë.

Në këtë studim, do t’iu hedhim një sy disa prej arsyjeve se përse është kaq i rëndësishëm Ungjilli për brezin tonë, ashtu siç ishte dikur edhe në ditët e Nehemias.

Ungjilli i jep lavdi Perëndisë

Ungjilli i Krishtit nuk është thjesht lajm i mirë. Ai është e vërteta absolute, që e shpëton shpirtin e njeriut prej mëkatit dhe mallkimit. Ja se si përmendet për herë të parë Ungjilli në Dhiatën e Re: “Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull” (Mateu 4:23). E shohim, pra, se sa shumë lavdi merr Perëndia, kur njerëzit çlirohen prej lloj-lloj formash skllavërie, nëpërmjet predikimit të fjalës së Zotit.

Gjithçka që bëjmë, duhet ta bëjmë për lavdinë e Perëndisë. Kjo do të thotë se duhet ta nderojmë dhe ta lavdërojmë Atë gjithmonë e, sidomos, kur e predikojmë dhe e ndajmë me të tjerët fjalën e Tij. Nëse një pastor është mendjemadh dhe ka qejf të duket, atëherë predikimin ai e përqëndrohet vetëm tek vetja e tij, tek planet dhe qëllimet e tij, etj. Krishtin e vë në plan të dytë, e konsideron të parëndësishëm në krahasim me vetveten. Por njeriu i vërtetë i Perëndisë nuk predikon për vetveten. Përkundrazi, ai iu flet dëgjuesve të tij rreth Atij, që është një gjendje t’iua shpëtojë shpirtin. E gjithë lavdia, pra, sado e vogël që të jetë, duhet t’i jepet Perëndisë, jo vetvetes. “Që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht” (Romakëve 15:6).

Ungjilli zbulon Jezusin

Perëndia Atë lavdërohet më shumë, atëherë kur Ungjilli i Krishtit predikohet besnikërisht me fuqinë e Frymës. Ata që na dëgjojnë tek predikojmë apo tek flasim për Zotin, nuk duhet të mblidhen thjesht për t’u argëtuar me shaka të ndryshme, por, përkundrazi, duhet të vijnë për të parë Jezusin. “Zot, duam të shohim Jezusin” (Gjoni 12:21). Pastori e ka për detyrë t’i drejtojë njerëzit tek Krishti. Zotin e shohin të gjithë, atëherë kur pastori nuk duket fare. “Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem” (Gjoni 3:30). Predikimi i fjalës së Perëndisë nuk ka të bëjë fare me oratorinë, apo përdorimin e mirë gramatikor të gjuhës, apo me shkollimin e pastorit. Përkundrazi, predikimi i vërtetë fillon me vajosjen e pastorit me Frymën e Shenjtë. Po nuk thamë së bashku me apostullin Pal se “unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua” (Galatasve 2:20), atëherë nuk jemi në gjendjen e duhur shpirtërore, për të predikuar fjalën e Perëndisë.

Nëse kemi si qëllim që t’iua zbulojmë Jezusin të tjerëve, atëherë Zoti ka për të na bekuar dhe ka për të na dhënë sukses në punën tonë. Këtë qëllim kishin edhe apostujt, misjonarët dhe ungjillorët e dikurshëm, prandaj edhe arritën rezultate. “Që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës, që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit” (Efesianëve 3:5-6). Sa më shumë që t’iu tregojmë të tjerëve për Krishtin dhe sa më pak që t’iu tregojmë atyre rreth vetes sonë, aq më shumë mundësi do të kenë ata për të besuar tek Ai. “Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata. Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:3-5).

Ungjilli ka kuptim

Nëse predikojmë rreth vetes sonë, do të vijë dita, kur ata që na dëgjojnë, do të na kapin mat dhe do të fillojnë të mërziten me ne. Por, nëse iu tregojmë atyre për Jezusin, do të fillojnë ta kuptojnë se për Kë e kemi fjalën dhe do të duan të shpëtohen. Nga natyra, njeriu nuk është në gjendje ta kuptojë të vërtetën pa ndihmën e Frymës së Shenjtë. “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur” (Efesianëve 4:17-19). Sapo pastori fillon e predikon rreth Jezusit, drita e Ungjillit ia ndriçon zemrën mëkatarit, i cili fillon ta kuptojë më së miri fjalën e Perëndisë. “Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:6). Kështu, pra, Fryma e Shenjtë vepron drejtpërsëdrejti në shpirtin e njeriut. “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë” (Gjoni 16:13).

Ungjilli të motivon

Ungjilli ka si qëllim jo vetëm që t’i informojë të tjerët rreth Zotit dhe Shpëtimtarit Jezus Krisht, por edhe që t’i mësojë ata se si të jetojnë për Perëndinë. Fjala e Perëndisë kërkon një përgjigje prej atyre, që e dëgjojnë – jo thjesht një tundje të kokës, por një vënie në praktikë të asaj që dëgjojmë. Engjëlli, që i foli Kornelit, i tha që ta thërriste Pjetrin, me qëllim që ai t’i thoshte se çfarë duhet të bënte (Veprat e Apostujve 10:6). Ndoshta nuk na pëlqen të na thonë të tjerët se ç’duhet të bëjmë, por këtë detyrë ka Ungjilli i Krishtit. Predikimi i vërtetë gjithmonë na nxit, për të hequr dorë prej atyre gjërave, që janë të neveritshme për Zotin. “Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët,” dhe: “Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit” (2 Timoteut 2:19). Fjala e Perëndisë kurrë nuk na jep leje për t’u treguar dembelë në jetë. Perëndia kurrë nuk e pati në plan, që njerëzit e Tij të rrinin gjithmonë ulur e të mos bënin asnjëfarë pune. Pak rëndësi ka sesa të rinj apo sesa të vjetër jemi. Perëndia e ka një punë për ne. Jezusi 12-vjeçar tha: “Më duhet të merrem me punët e Atit tim” (Luka 2:49). Ungjilli na thotë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20).     

Përfundim                                         

Ç’rëndësi ka, pra, Ungjilli? Ai është metoda, që përdor Perëndia, për t’ia shpëtuar shpirtin njeriut. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Ungjilli, në vetvete, nuk shpëton dot askënd, por e drejton mëkatarin tek i Vetmi Ai, që mund ta çlirojë. Në të njëjtën kohë, Ungjilli i vënë në praktikë, i shpëton besimtarët prej kurtheve të panumërta të armikut, i cili përpiqet për të na e shkatërruar besimin. Me pak fjalë, pra, nëse Ungjilli nuk predikohet, atëherë njerëzit nuk shpëtohen dhe shenjtorët nuk rriten “në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetrit 3:18). “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).

Mbrapa