Resi – Fjala gjallëruese

Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.” (Psalmi 119:153-160).

Parathënie 

Tre herë me rradhë, autori i psalmit na përsërit domosdoshmërinë për gjallërim (“më gjallëro”, thotë ai). Kjo është një temë, të cilës ai i është referuar vazhdimisht në Psalmin 119-ë (shiko vargjet 25-32, 107 dhe 149). Armiqtë po e shqetësojnë akoma dhe ndoshta ngaqë ai ishte i lodhur prej ligësisë së tyre, i lutet Zotit që ta çlirojë dhe ta forcojë.

Më gjallëro sipas fjalës Sate

Autori është i shqetësuar, ngaqë armiqtë i ka gjithmonë afër. Është i mbushur me “pikëllim”, ndaj i lutet Zotit që ta çlirojë. “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:19). Autori na thotë se nuk e ka harruar ligjin e Perëndisë. Ai ishte njëri prej atyre njerëzve të drejtë, të cilëve Zoti iu ka premtuar se do t’i çlirojë prej së ligës. Autori e dinte mirë Biblën dhe ishte i sigurtë se Zoti kishte për t’i mbajtur premtimet. Ata që e marrin seriozisht fjalën e Perëndisë dhe e vënë atë çdo ditë në praktikë, e dinë se dora mbrojtëse e Zotit ka për t’i ruajtur, kurse armiqtë e tyre kanë për t’u shkatërruar. “Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet” (Psalmi 34:20-22). Zoti është avokati ynë, që “mbron çështjen” tonë. Ai ka për t’iu vërtetuar të pabesëve se ata që ecin sipas së vërtetës, janë të justifikuar përpara Tij, kurse ata që jetojnë në mëkat, kanë për t’u ndëshkuar. Vetëm të drejtët kanë “shpëtim”. Autori, ndërkohë që pret ditën e çlirimit, i lutet Zotit që ta gjallërojë, ta shpengojë dhe ta forcojë, me qëllim që t’i qëndrojë Atij besnik. Tek meditojmë mbi fjalën e Perëndisë, do ta shohim se premtimet e Tij janë ato, që na ndihmojnë për të qëndruar vigjilent në shpirt dhe në mendje.

Më gjallëro sipas dekreteve të Tua

Autori ka besim tek “dhembshuria” e Perëndisë. Ai e di se Zoti, që gjithmonë e mban fjalën, as nuk ka për ta harruar, as nuk ka për ta braktisur. Le të sjellim ndërmend vuajtjet e Jobit, i cili, edhe pse përjetoi një pikëllim të madh, prapëseprapë pa se dhembshuria e Perëndisë ishte akoma edhe më e madhe. “Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri” (Jakobi 5:11). Autori i lutet Zotit gjithashtu edhe për fuqinë mbrojtëse të dashurisë së Tij. “Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë” (Psalmi 40:11). Në fakt, ky premtim është privilegji i mrekullueshëm i çdo fëmije të vërtetë të Zotit. “Shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri” (Psalmi 103:4). Problemet e jetës dhe veprat e liga të të pabesëve mund të na shqetësojnë, por, nëse vazhdojmë t’iu zëmë besë fjalëve të jetës, kemi për të përjetuar ringjallje të vazhdueshme dhe fitore personale mbi të gjithë armiqtë. Atëherë asnjë vuajtje apo shqetësim nuk mund të na largojë nga Zoti.

Më gjallëro sipas mirësisë Sate

A nuk pikëllohemi prej mëkateve që shohim sot në shoqëri? Njerëzit janë bërë kaq imoralë dhe të pasjellshëm, ngaqë e kanë hedhur poshtë Perëndinë dhe fjalën e Tij. Duan të bëjnë atë, që iu duket “e drejtë në sytë” e tyre” (Gjykatësve 17:6). Ashtu si autori i psalmit, edhe ne kemi marrë vendim që të mos bëhemi si të pabesët, por përkundrazi t’i besojmë Zotit. Fuqia e fjalës së Tij na ndihmon që ta mposhtim çdo tundim, me të cilin të ligët kërkojnë të na skllavërojnë. I besojmë “mirësisë” së Perëndisë, d.m.th. dashurisë së besëlidhjes, me të cilën Ai na ka bekuar, ndaj edhe jemi të sigurtë se kurrë nuk kemi për t’u shkatërruar, nëse i qëndrojmë afër Atij. Zoti iu është gjithmonë besnik premtimeve të Tij dhe, kur i bindemi fjalës së Tij, marrim fuqi për t’ia përkushtuar jetën tonë përsëri Zotit. Ai është besnik dhe na jep fitoren. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t ‘ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13). Ai ka për të na mbrojtur nga i ligu. “Por Zoti është besnik, dhe ai do t ‘ju forcojë dhe do t’ ju ruajë nga i ligu” (2 Thesalonikasve 3:3). Premtimet e Tij janë gjithmonë të vërteta, ndaj le të kemi besim se ato kanë për t’u bërë realitet edhe në jetën tonë.

Përfundim

Besimi i lëkundshëm nuk ka shpresë tek premtimet e Zotit. Përkundrazi, njeriu me dy mendje shkon drejt dëshpërimit dhe pikëllimit. Duhet t’iu zëmë besë premtimeve të Perëndisë, duke qenë të sigurtë se ato kanë për t’u përmbushur në këtë epokë, ku jetojmë, ashtu siç u përmbushën edhe gjatë gjithë historisë njerëzore. Të ashtu-quajturit “intelektualët” e sotshëm mund ta mohojnë Biblën dhe mund ta konsiderojnë atë si produkt të njeriut primitiv, por ajo është fjala e jetës dhe si e tillë, ajo ka për të rrojtur përgjithmonë. Në një botë të pashpresë, ne kemi kujt t’i shpresojmë. Nëse duam që besimi të na gjallërohet, le ta ripërtërijmë dashurinë tonë për Perëndinë dhe për fjalën e Tij. Besimi është shkëndija, që përhap ringjallje në gjithë  kombin.

Mbrapa

Advertisements