Respekt Ndaj Drejtuesve

“Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush” (1 Thesalonikasve 5:12-13).

Parathënie

Ka mundësi që Pali të kishte marrë vesh se disa prej besimtarëve thesalonikas ishin zemëruar me drejtuesit e kishës së tyre. Këto vargje na tregojnë se ndoshta pastori i kishës së Thesalonikut iu kishte tërhequr vërejtjen disa individëve të caktuar, apo kishte korrigjuar ndonjë gabim, të sjellë brenda kishës prej mësuesve të rremë. Apostulli bën thirrje për unitet, mbështetje dhe respekt. Nëse këta besimtarë nuk janë në gjendje t’i zbatojnë udhëzimet e apostullit, atëherë më mirë të gjejnë një vend tjetër adhurimi, sesa të qëndrojnë në këtë kishë.

Disiplina

Ka raste kur, për të mirën e të gjithë kishës, mësimi i rremë dhe sjellja e gabuar duhen korrigjuar në mënyrë strikte. Në raste të tilla, ai besimtar që ka mëkatuar, mund t’i kundërvihet pastorit, apo drejtuesve të tjerë. Disiplina në kishë nuk ka për të qenë asnjëherë një gjë e këndshme, sidomos për njeriun, që është thirrur për ta vënë në zbatim këtë disiplinë. Por disiplina është e vetmja mënyrë për ta restauruar përsëri unitetin dhe paqen e vërtetë brenda përbrenda bashkësisë. Bibla na mëson se atyre, që janë vënë në poste drejtuese, iu është dhënë autoriteti dhe përgjegjësia për ta mbajtur kishën nën funksion, ashtu siç e ka planifikuar edhe Zoti.

Pali përdor fjalën “qortoj“, për të shprehur domosdoshmërinë e udhëzimit, të udhëheqjes dhe të disiplinimit në kishë. Drejtuesit duhet që, jo vetëm t’i mësojnë e t’iu predikojnë besimtarëve, por edhe t’i paralajmërojnë ata, kur largohen nga e vërteta biblike, apo kur sillen në mënyrë të gabuar. “Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij” (Veprat e Apostujve 20:28). Pali kreu një rol të tillë si drejtues, për tre vjet me rradhë. “Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot” (Veprat e Apostujve 20:31). Por, një disiplinë e tillë duhet të zbatohet me dashuri e butësi, sepse pastori duhet ta kuptojë se edhe ai vetë është thjesht një shërbëtor i Zotit. “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij” (1 Timoteut 2:24-26).

Në studimin tonë të ardhshëm, do t’i kthehemi përsëri temës së disiplinës.

Të shikuarit më nga afër

Shumica e të krishterëve e matin suksesin e një pastori thjesht vetëm nga predikimi i tij të dielën, por nuk e dinë sesa mund e djersë derdh ai, duke studiuar e duke u përgatitur gjatë gjithë javës. Gjithmonë, ka nga ata njerëz, që kujtojnë se mund ta bëjnë vetë më mirë punën e pastorit. Ky lloj arsyetimi ka qenë shkaku i përçarjes së shumë kishave, sepse ata që kanë dashur pushtet, kanë shkaktuar prishjen e harmonisë dhe kanë krijuar mungesën e besnikërisë ndaj udhëheqjes së kishës.

Prandaj nevojitet respekti dhe dashuria në kishë. Drejtuesi i kishës nuk meriton të nderohet, ngaqë është i famshëm, apo ngaqë është me pozitë, por thjesht për faktin se ai mëson dhe predikon fjalën e Perëndisë. Vini re shprehjen “për veprën e tyre“, që na tregon se bashkësia e krishterë ka nevojë që ta shikojë më nga afër punën e pastorit, e jo thjesht ta vlerësojë atë vetëm nga mënyra sesi predikon ai të djelën. S’ka dyshim, pra, se ata që mundohen për Zotin, e meritojnë respektin tonë. “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre…Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi” (Hebrenjve 13:7, 17). Tek 2 Timoteut 2:6, Pali e portretizon pastorin si një bujk punëtor: “Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve“… “Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim” (1 Timoteut 5:17). Është e vërtetë se ka shumë drejtues, që udhëheqin kisha, jo nga dashuria për Krishtin dhe kishën e Tij, por për të përfituar para, famë, apo pozitë. Lidhur me këta njerëz, Gjon Uesli ka thënë kështu: “Oh ç’fatkeqësi, kur njeriu i hyn punës së drejtuesit, pa patur as dhuntinë, as hirin për ta kryer një detyrë të tillë! Pse i futet kësaj pune, atëherë? Për para? Si? Mos, vallë, do ta shesë ai, si shpirtin e vet, ashtu edhe shpirtrat e deleve të tufës së tij? S’ka fjalë që të mund ta përshkruajnë një të mjerë të tillë”. “Ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën” (1 Pjetrit 5:2-3).

Paqja

Paqja dhe uniteti nuk gjenden aty, ku mungojnë dallimet, konflikti, apo keqkuptimi, por tek respekti reciprok ndaj njëri-tjetrit. “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” (Amosit 3:3). Kur kisha e vë në zbatim predikimin dhe mësimin e fjalës së Perëndisë, atëherë ajo do të ketë paqe, harmoni dhe stabilitet. Vargu, të cilin e citojmë shpesh, ka vlerë të veçantë këtu: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Ashtu siç e ka thënë edhe Mateo Henri, kjo nuk do të thotë që “ta bëjmë një sy qorr, kur dikush mëkaton”, por përkundrazi, “të tregohemi të duruar e ta mbajmë nën kontroll inatin e zemërimin”. “Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!” (Marku 9:50).

Përfundim                      

Kisha, që nuk e respekton dhe nuk e vlerëson pastorin dhe ata, që e drejtojnë, shumë shpejt do të shkatërrohet. Një bashkësi, që nuk pranon të mësohet, të udhëhiqet e të korrigjohet prej pastorit, i vë minat dhe e shkatërron punën e tij të të zbatuarit të përgjegjësive të dhëna prej Perëndisë për atë bashkësi.

Mbrapa

Advertisements