Rilindje personale

Edhe atij, që ka vite në besim, jeta e krishterë mund t’i duket si barrë, jo si bekim. Zakonisht ndjenja të tilla vijnë nga mosbindja dhe mëkati. Është e qartë, pra, se kur dashuria për Perëndinë dhe popullin e Tij na është ftohur, atëherë kemi nevojë për një rilindje personale.

Kemi nevojë, që të na prekë Perëndia

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron” (Isaia 6:1).

Izraeli ishte ambientuar me mbretin Uziah, ndaj edhe vdekja e tij i solli kombit pasiguri. Ishte pikërisht kjo ndjenjë pasigurie, që e bëri profetin Isaia t’i lutej edhe më shumë Perëndisë. Kjo lutje u kthye në një vizion të lavdisë së mahnitshme të Zotit. Po ne, a e ndjejmë të nevojshme, që Perëndia të na e prekë sërish jetën?

Perëndia ynë mbretëron

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”. Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym” (Isaia 6:1-4). 

Uziah vdiq, por Perëndia ishte akoma mbi fronin e Tij, duke punuar për të realizuar planin e Vet. Jeta mund të na sjellë vështirësi nga më të ndryshmet, por nuk duhet ta harrojmë kurrë se Zoti mbretëron. Na duket nganjëherë sikur po shkatërrohemi, por Perëndia është në kontroll. “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmi 46:10).

Po, Perëndia është mbi Fronin e Qiellit, por le të mos e harrojmë kurrë se Ai është absolutisht i shenjtë dhe i pastër. Qëniet ëngjëllore mbuluan fytyrat e tyre në praninë e lavdisë së shenjtërisë së Perëndisë. Themelet e Tempullit Qiellor u dridhën prej fuqisë së Shenjtërisë së Tij. Ç’nënkuptojmë me këtë? Nëse ëngjëjt dhe objektet jofrymore dridhen në praninë e Perëndisë, ne duhet të dridhemi edhe më shumë se ato. Kurrë nuk kemi për të patur një zemër të ftohtë, apo një zemër të ngurtë, nëse besojmë me të vërtetë se Perëndia mbretëron në shenjtëri të lavdishme.

I papastër

Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive” (Isaia 6:5).  

Isaia e kuptoi se në ç’gjendje ishte, vetëm atëherë kur sytë e tij panë Zotin. Ai nuk e krahasoi veten me të tjerët, por, përkundrazi, e pa sesa mëkatar ishte përpara Perëndisë. Nëse duam që të përjetojmë me të vërtetë një rilindje personale, atëherë na duhet ta marrim në konsideratë edhe mëkatin më të vogël të jetës sonë. Vini re se si profeti ia rrëfeu mëkatin e tij Perëndisë dhe e mbajti shënim këtë fakt në librin e tij. Pak rëndësi ka se sa të shenjtë na quajnë të tjerët. Ajo që ka rëndësi, është se sa të shenjtë na konsideron Perëndia.

Pastrimi

Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet” (Isaia 6:6-7).

Perëndia i shfaqi Isaias shenjtërinë dhe lavdinë e Tij, jo për ta shkatërruar, por për ta inkurajuar atë, që t’i afrohej Atij edhe më shumë. Sapo profeti veproi kështu dhe u pendua për mëkatet e tij, Perëndia e bekoi, duke e falur. Pak rëndësi ka sesa mëkatare është jeta jonë. Perëndia ka fuqi për ta na rinovuar prapë. Ata që pendohen, gjithmonë do të pastrohen. “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18)… “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Ai na ka premtuar se do të na shkatërrojë mëkatin, jo neve. “Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona” (Psalmi 103:12).

Dëgjimi i zërit të Perëndisë

Pastaj dëgjova zërin e Zotit” (Isaia 6:8).

Kur na falet mëkati dhe na pastrohet zemra, atëherë e dëgjojmë më mirë zërin e Zotit. Fjala e Tij bëhet sërish më e freskët, më e fuqishme dhe më inkurajuese.

Bindja

Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!” (Isaia 6:8).

Zemrën e kemi gur ndaj Perëndisë, ngaqë nuk i jemi bindur Atij. Bindja besnike na vendos automatikisht mbi shkëmbin e palëkundur të fjalës së Tij. “Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time. Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia. Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit” (Psalmi 40:1-3)… “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb” (Mateu 7:24).

Nëse jemi gati për t’iu përgjigjur thirrjes së Perëndisë, atëherë Ai ka një plan të mrekullueshëm për ne. Do të na vajosë me Frymën e Shenjtë në momentin, kur ia dorëzojmë veten Atij.  

Përfundim                      

A kemi guxim, që t’i afrohemi Perëndisë e ta kërkojmë fytyrën e Tij? A jemi gati, që ta lejojmë Atë, që të na e hetojë zemrën? Do të kemi një rilindje personale, nëse e lejojmë Atë, që të na pastrojë prej gjithçkaje, që është ofenduese ndaj Tij. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” (Psalmi 139:23-24). 

Mbrapa