Rrëmbimi (Pjesa 1)

Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju”.

Parathënie                           

Sa herë që në botë ndodh një ngjarje e rëndësishme (p.sh. një luftë, apo një tërmet), besimtarëve menjëherë iu shkon mendja tek Ardhja e Dytë e Krishtit. Vërtet, lutja jonë duhet të jetë gjithmonë: “Po, eja, ZotiJezus” (Zbulesa 22:20). Si ka për të ndodhur Rrëmbimi i kishës? Kur ka për të ndodhur? A ka për ta përjetuar ky brez Rrëmbimin e kishës, apo një brez tjetër i së ardhmes? Gjatë gjithë historisë njerëzore, besimtarët i kanë varur shpresat tek fakti se Jezusi do të vijë një ditë për t’i marrë e për t’i çuar të Tijët në Qiell. Ka keqkuptime të shumta lidhur me Rrëmbimin, por kjo ndodh ngaqë pastorë të ndryshëm i vënë data kësaj ngjarjeje dhe e shtrembërojnë Biblën. Në këto studime, do t’i hedhim një sy Rrëmbimit, ashtu siç përshkruhet ai në Bibël, pa u munduar për ta përcaktuar se kur ka për të ndodhur. E megjithatë, mund të themi pa frikë se Rrëmbimi është ngjarja më e parë, që ka për të ndodhur në kalendarin profetik të Perëndisë!

Çfarë thotë Bibla?

Tre pasazhe kryesore biblike flasin rreth Rrëmbimit të Kishës: Gjoni 14:1-3, 1 Korintasve 15:50-57 dhe 1 Thesalonikasve 4:13-18. Tek Gjoni 14:1-3 Jezusi iu flet hapur dishepujve (dhe të gjithë lexuesve të Dhiatës së Re) rreth të vërtetës së mrekullueshme të Rrëmbimit. Pali e shtjellon edhe më thellë këtë temë në letrat e tij dhe pikëpamjet e Palit përputhen me mësimet e Jezusit. Le ta krahasojmë, për një moment, Gjonin 14:1-3 me 1 Thesalonikasve 4:13-18:

  1. Zemra juaj mos u trondittë…” (Gjoni 14:1) – “…Të mos trishtoheni…” (1 Thesalonikasve 4:13).
  2. Besoni në Perëndi” (Gjoni 14:2) – “Besojmë” (1 Thesalonikasve 4:14).
  3. Do të kthehem” (Gjoni 14:3) – “Ardhjen e Zotit” (1 Thesalonikasve 4:15).
  4. Do t’ju marr pranë meje” (Gjoni 14:3) – “Do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër” (1 Thesalonikasve 14:17).
  5. Që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3) – “Kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thesalonikasve 4:17).

Ka edhe ngjashmëri të tjera mes këtyre dy pasazheve biblike, por, siç e shohim edhe mësipër, apostulli Pal nuk tha ndonjë gjë tjetër te re përveç atyre që kishte mësuar edhe Jezusi. Tema e Rrëmbimit nuk është një doktrinë e re, e shpikur në shek.XVII-të, apo prej besimtarëve të këtij brezi. Përkundrazi, Rrëmbimi përmendet në shumë vende në Bibël, ashtu siç do ta shohim edhe më poshtë.

Ç’do të thotë fjala “Rrëmbim”?

Ka nga ata, që e mohojnë Rrëmbimin, ngaqë kjo fjalë nuk gjendet në Bibël. Por, sipas këtij argumentimi, ta mohojmë doktrinën e Trinitetit, ngaqë fjala “Trinitet” nuk përmendet në Bibël? Apo ta hedhim poshtë të gjithë Biblën, ngaqë as fjala “Bibël” nuk përmendet në Bibël?!

Fjala “Rrëmbim” ka lidhje me vargun e 1 Thesalonikasve 4:17. “Pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin”. Folja “rrëmbehem” vjen nga greqishtja (“harpazo”), që do të thotë “ta kapësh menjëherë”. Kjo fjalë greke përmendet 13 herë në Dhiatën e Re (shiko Mateu 11:12, 13:19; Gjoni 6:15, 10:12, 28, 29; Veprat e Apostujve 8:39, 23:10; 2 Korintasve 12:2, 4; 1 Thesalonikasve 4:17; Judës 1:23 dhe Zbulesa 12:5). Në secilin prej këtyre pasazheve, fjala “harpazo” do të thotë ose “ta kapësh”, “ ta marrësh me forcë”, ose “ta rrëmbesh”. Tek Veprat e Apostujve 8:39, lexojmë sesi Fryma “e rrëmbeu Filipin”, e çoi rreth 35km më larg në një qytet tjetër dhe eunuku prej Etiopisë nuk e pa më. Pa dyshim se ky rrëmbim nuk është i njëjtë me Rrëmbimin e Kishës, por kjo na tregon se rrëmbimi i shenjtorëve nënkupton lëvizjen e tyre nga një vend në një vend tjetër.

Ç’është Rrëmbimi?

“Rrëmbimi” është faza e parë e Ardhjes së Zotit tonë Jezus Krisht. Ardhja e Tij përbëhet prej dy ngjarjesh, që do të ndodhin brenda 7 vjetëve. Në fazën e parë Zoti vjen për t’i thirrur të Tijët pranë Vetes. Në fazën e dytë, Jezusi kthehet për ta mundur Antikrishtin në betejën e Armagedonit dhe për ta themeluar Mbretërinë e Tij Njëmijëvjeçare.

Rrëmbimi i referohet kohës, kur Krishti ka për t’i ringjallur të drejtët. “Sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thesalonikasve 4:16-17). Ky është transportimi i besimtarëve nga toka për në Qiell. Këtë temë do ta diskutojmë në një studim të ardhshëm.

Jezusi, kur të kthehet, ka për të zbritur nga Qielli i shoqëruar prej shpirtrave të besimtarëve që kanë vdekur dhe Ai Vetë ka për t’i ribashkuar shpirtrat e tyre me trupat e tyre fizikë. Kjo nuk është aspak e vështirë për Perëndinë, sepse, pavarësisht sesa të kalbur mund të jenë trupat, apo edhe kur kockat nuk gjenden më, prapëseprapë Zoti e di ADN-në e secilit prej nesh, sepse na ka krijuar Vetë dhe është në gjendje të na ri-krijojë po prapë! Në momentin kur çdo besimtar do të dalë përpara Zotit, ai do të jetë i veshur me trupin e tij të ri. “Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu. Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore, nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur. Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta” (2 Korintasve 5:1-4). Prandaj edhe Bibla na thotë se, kur Krishti të kthehet për Kishën e Tij, besimtarët kanë për të marrë një trup të përsosur, një trup të pavdekshëm, një trup hyjnor. “Sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë” (1 Korintasve 15:53).  

Përfundim

Rrëmbimi nuk është aspak një rrugë shpëtimi për të krishterët frikacakë. Përkundrazi, është një bekim, që Bariu i Mirë e ka përgatitur për Delet e Tij. Po, besimtarët vërtet kanë për të përjetuar persekutime, para se të vijë Krishti. Bibla na thotë: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). E megjithatë, besimtarët nuk kanë për ta përjetuar ditën, kur Perëndia ka për ta derdhur zemërimin e Tij mbi këtë botë.

Mbrapa