Rrëmbimi (Pjesa 3)

Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Korintasve 15:51-57).

Parathënie                           

Besojmë se një ditë Zoti Jezus Krisht ka për t’u kthyer përsëri në tokë, për t’i ri-bashkuar besimtarët e vdekur me trupat e tyre, si edhe për t’i thirrur pranë Vetes besimtarët që janë akoma gjallë. Kjo ngjarje, e quajtur “Rrëmbim”, ka për të ndodhur shumë shpejt, sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Është për t’u habitur që të krishterët e sotshëm, edhe pse e dinë se Rrëmbimi ka për të ndodhur, as nuk e vrasin mendjen fare për të, as nuk po bëjnë përgatitjet e duhura. Por Zoti ka për të ardhur, pavarësisht nëse jemi gati ne apo jo!

Kush ka për t’u rrëmbyer?

Bibla na e bën të qartë se vetëm besimtarët që janë gjallë në kohën e ardhjes së Krishtit, kanë për t’u rrëmbyer prej Tij. Rrëmbimi nuk është për besimtarët e periudhës para Ditës së Pentikostit, sepse Kisha e Krishtit ishte themeluar, kur Fryma e Shenjtë u derdh mbi 120 vetët (Veprat e Apostujve 2:3). Pagëzimi i parë me Frymën e Shenjtë ishte provë se besimtarët tanimë ishin bërë anëtarë të Trupit të Krishtit (ose të Kishës). “Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë” (1 Korintasve 12:13). Mund të na duket e pabesueshme që besimtarët e Dhiatës së Vjetër nuk përfshihen në ngjarjen e Rrëmbimit, por tek 1 Thesalonikasve 4:16-17 na thuhet hapur se kush ka për t’u rrëmbyer. “Sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin”. Shprehja “në Krishtin” na tregon qartë se kush ka për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Kështu pra, vetëm besimtarët, që kanë jetuar që nga Dita e Pentikostit e deri më sot, kanë për t’u rrëmbyer. Jezusi ka për të ardhur vetëm për Kishën e Tij, për Nusen e Tij, për ta shoqëruar Atë për në Qiell. ]

Po besimtarët e Dhiatës së Vjetër?

Ç’ka për t’iu ndodhur atyre, që kanë jetuar para Ditës së Pentikostit? E dimë se Ardhja e Krishtit përfshin dy faza: e para është Rrëmbimi, e dyta është shfaqja e Tij aktuale dhe fizike në tokë në fund të periudhës 7-vjeçare të diktaturës së Antikrishtit. Pikërisht pra, në këtë moment, kur Krishti fillon mbretërimin e Tij 1000-vjeçar, besimtarët e Dhiatës së Vjetër kanë për t’u ringjallur, d.m.th. shpirtrat e tyre kanë për t’u ri-bashkuar me trupat e tyre. “O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste. Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot. Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë. Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit” (Isaia 26:16-19). Profeti Daniel na thotë po të njëjtën gjë rreth ringjalljes, që ka për të ndodhur pas një periudhe të vështirë për Judenjtë. “Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë. Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme. Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë” (Danieli 12:1-3).

Nuk mund ta neglizhojmë faktin se kjo ringjallje e besimtarëve ka për të ndodhur pas periudhës më të keqe që kanë përjetuar ndonjëherë Judenjtë. Vini re gjithashtu se gjatë kësaj kohe, kryeengjëlli Mikel ka për t’i dalë përzot popullit të Danielit (Judenjve). Kjo ngjarje, pra, nuk është njëlloj si Rrëmbimi.

Ja si kanë për t’u zhvilluar ngjarjet nga ana kronologjike: Rrëmbimi, pastaj vuajtjet e Judenjve nën regjimin e Antikrishtit, Ardhja e Dytë aktuale e Krishtit, ringjallja e besimtarëve të Dhiatës së Vjetër dhe, më në fund, themelimi i Mbretërisë 1000-vjeçare të Krishtit.

Ç’ndodh gjatë Rrëmbimit?

Sa ka për të zgjatur Rrëmbimi? “Në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi” (1 Korintasve 15:52). Në greqisht, fjala “moment” është “atomos”, prej nga rrjedh edhe fjala “atom”. Kjo fjalë nënkupton diçka, që nuk mund të ndahet dot. Rrëmbimi, pra, ka për të ndodhur shumë shpejt, madje më shpejt sesa brenda një sekonde! Pali thotë “sa hap e mbyll sytë”, për të na treguar se hapja dhe mbyllja e syve është gjëja më e shpejtë që mund të bëjë trupi i njeriut. “Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet. Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet. Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet” (Luka 17:34-36).

Rrëmbimi, pra, ka për të ndodhur aq shpejt, saqë as syri i njeriut nuk ka për ta parë, as kamerat televizive s’kanë për ta fotografuar dot. Askush nuk ka për të parë trupa që fluturojnë drejt Qiellit. Besimtarët kanë për ta kuptuar mirë se ç’po iu ndodh, ngaqë kanë për ta dëgjuar zërin e Krishtit tek i thërret pranë Vetes. Edhe pse kjo ngjarje nuk ka për t’u parë me sy njerëzorë, prapëseprapë efektet e saj kanë për t’u ndjerë nga të gjithë. Rrëmbimi ka për ta shkundur botën, por Antikrishti nuk ka për ta pranuar si të vërtetë.       

Përfundim

Rrëmbimi ka për të ndodhur një ditë – ndoshta në një të ardhme të largët, ose ndoshta gjatë kohës që jemi gjallë. A jemi gati për t’u rrrëmbyer prej Zotit, kur Ai të vijë për t’i marrë të Tijët për në Qiell? Nëse jemi gati, atëherë nuk kemi për t’u habitur! Le të mos i përngjajmë kishës së sotshme, që është me të vërtetë budallaqe, duke besuar se Rrëmbimi nuk ka për të ndodhur fare. “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni’’ (Mateu 24:44).

Në studimin tonë të ardhshëm dhe të fundit mbi temën e Rrëmbimit, do t’i hedhim një sy faktit se pse kjo ngjarje quhet një mister.

Mbrapa