Rruga e pastër

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” (Psalmi 119:9-11).

Parathënie

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh të krishterë, të cilët jetojnë një jetë të pastër dhe të shenjtë. Prandaj edhe vargu i mësipërm iu drejtohet jo vetëm të rinjve, por të gjithë njerëzve. “Këshilla e këtij vargu mund t’iu vlejë shumë atyre, që janë jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar” (citat i marrë nga libri “Shënimet e Barnsit mbi Biblën”). Pastërtia personale është tepër e domosdoshme në një botë, që ia ka përkushtuar veten ofendimit të Perëndisë. Bibla na mëson rreth nevojës për shenjtëri në jetën tonë, ndaj edhe habitemi se pse ka kaq pak njerëz, që ia vënë veshin fjalëve të saj. “Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit” (Psalmi 119:1).

Problemi

Si mund të jetojë njeriu një jetë të drejtë? Bibla na mëson se “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10) dhe se çdo përpjekje për të jetuar një jetë të drejtë krijon vetëm “rroba të ndotura” (Isaia 64:6). A është e mundur, pra, për të jetuar një jetë të pastër, pa i vënë në përdorim mjetet, që na ka siguruar Perëndia? Përgjigja është “jo”, sepse kur nuk jetojmë një jetë të drejtë, ashtu siç na kërkon Perëndia, por përpiqemi ta kënaqim Atë nëpërmjet detyrimeve fetare, atëherë në fakt do të vazhdojmë të privohemi “nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23).

Ilaçi

Ilaçi për zemrën e papastër gjendet tek fjala e Perëndisë. Aty do të gjejmë udhëzimet, që na duhen për ta kënaqur Atë, si edhe fuqinë për të qëndruar të palëkundur, pavarësisht nga tundimet, që mund të na sjellë bota përpara. “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:16-17).

Sjellja e njeriut bëhet gjithnjë e më e degjeneruar, sa më shumë që ai iu largohet urdhërimeve të Perëndisë. Këtë fakt e vëmë re, p.sh. sa herë që shohim lajmet. Po, zemra e njeriut është shumë mëkatare. E prapëseprapë, njerëzit e sotshëm e konsiderojnë veten si të mirë e të sjellshëm. Nuk arrijnë ta kuptojnë se me kalimin e viteve, sipas tyre e mira dhe e keqja kanë marrë tjetër kuptim. Është për të të ardhur keq, që shumica e njerëzve e hedhin poshtë Krishtin, Biblën dhe kishën, ngaqë përpiqen për të ndërtuar një shoqëri të mirë, pa ilaçin, që iua ka siguruar Perëndia. “Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë” (Romakëve 10:3).

Lutja

Autori i Psalmit 119-ë e dinte mirë se si duhej të jetonte njeriu një jetë të perëndishme. Në vend që t’i drejtohej këshilltarëve të kësaj bote, apo në vend që të përpiqej për ta justifikuar veten për mëkatet e tij, ai iu lut Zotit. E kuptoi se jeta nuk kishte për t’iu ndryshuar, po të mos e merrte seriozisht çështjen e pastërtisë. Për më tepër, nuk mund ta ndryshonte dot jetën, pa ia përkushtuar atë plotësisht Zotit. Ndoshta shumica e të krishterëve të sotshëm nuk e pranojnë se kanë nevojë për pastërti personale, ngaqë ose nuk janë të bindur se kanë nevojë për këtë pastërti, ose nuk janë aq të preokupuar për shpirtrat e tyre, sa ta dëshirojnë një pastërti të tillë. Njeriu është i prirur, që të bëjë si t’i thotë mendja e vet, e jo si t’i thotë Zoti. Ndaj edhe duhet t’i lutemi Atij e ta lejojmë Atë, që të na japë shenjtërinë e Tij. “Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroj urdhërimet e tua” (Psalmi 119:176).

Autori i psalmit donte që të ishte i përsosur sipas standarteve të Perëndisë, që t’i bindej me gjithë zemër urdhërimeve të Tij. “Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër” (Psalmi 119:2). Ai e dinte se një jetë, që nuk udhëhiqet prej Biblës, është një jetë, që e lejon vazhdimisht mëkatin ta kontrollojë. Të jetuarit sipas vullnetit të Perëndisë është mëse e domosdoshme. Besimtari i vërtetë do, që ta “pastrojë veten prej çdo ndotjeje të mishit dhe të frymës” (Gjon Uesli). “Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Korintasve 7:1).

Receta

Ashtu siç pret doktori, që ta pijmë ilaçin, që na ka dhënë me recetë, me qëllim që të shërohemi prej sëmundjes fizike, ashtu edhe Perëndia pret që ta pranojmë fjalën e Tij, me qëllim që ta mundim kancerin e quajtur “mëkat”.

T’i “fshehësh” fjalët e Biblës në zemër, do të thotë që t’i ruash ato si gjërat më të çmuara të jetës sate. Por nuk mund t’i ruajmë dot, po qe se nuk e lexojmë dhe nuk e studjojmë vetë fjalën e Perëndisë. Të dëgjuarit e predikimeve në kishë, apo të lexuarit e librave rreth Biblës nuk janë të mjaftueshme, nëse duam që të rritemi në Krishtin. Për më tepër, pastërtia personale nuk vjen nga të mbajturit përmendësh të vargjeve biblike. Ajo që mësojmë nga Bibla, duhet të na transformojë shpirtin, e jo thjesht të na edukojë trurin.

Autori i psalmit na e bën të qartë se çdo mëkat është mëkat i kryer ndaj Perëndisë. Kjo do të thotë se edhe mëkati më i vogël është një ofezë ndaj Tij. “Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë” (Habakukut 1:13). Nëse mëkati mposhtet, duke iu bazuar parimeve të Biblës, atëherë do të ecim përditë si fitimtarë. Mëkati na largon nga fjala e Perëndisë, por fjala e Perëndisë na jep fuqi, për t’u larguar nga mëkati.

Përfundim   

Po t’iu shkojmë pas standarteve të botës, apo të kishave moderne, atëherë nuk do ta besojmë se është e mundur për të jetuar një jetë të pastër e të shenjtë. “Nëse fjala e Perëndisë na është ngulitur në zemër, atëherë do të jemi më në gjendje për t’iu rezistuar sulmeve të Satanait” (marrë nga Shënimet e Biblës Studimore të Gjenevës). Nëse qëndrojmë në Krishtin dhe në fjalën e Tij, atëherë do ta shohim se, jo vetëm që do të jetë e mundur të jetojmë një jetë të pastër, por edhe se do të jetë e mundur për ta përjetuar atë me gjithë lavdinë e saj. “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet” (Kolosianëve 3:16). Thelbi i kësaj çështjeje qëndron këtu: a duam që ta kënaqim me të vërtetë Perëndinë, nëpërmjet pastërtisë së zemrës, apo jo? “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra” (Psalmi 24:3-4).

Mbrapa

Advertisements