Sa absurde!

“Dhe derisa të shpëtojmë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij, sepse jo të gjithë kanë besim” (2 Thesalonikasve 3:2).

Parathënie

Gjithmonë kemi për të patur raste, kur do të biem në kontakt me njerëz, që nuk pranojnë të arsyetojnë me ne. Njerëz të tillë bazohen tek doktrinat e tyre (që zakonisht janë doktrina heretike), dhe i dalin në mbrojtje pikëpamjeve të veta, pa marrë parasysh se Bibla thotë se e kanë gabim. Ka nga ata, që kujtojnë se dinë më shumë se të tjerët, duke e konsideruar veten si mësues dhe predikues të talentuar. Nga ana tjetër, ka nga ata, qëllimi i të cilëve është përçarja e kishës, nëpërmjet të argumentuarit për gjëra, që s’kanë vlerë fare. Asnjëri prej këtyre grupe njerëzish nuk ka besim të vërtetë në Krishtin. Gjon Uesli ka thënë: “Jo të gjithë kanë besim – Por të gjithë ata që s’kanë besim, janë, pak a shumë, njerëz të çoroditur e të këqij”.

Të çoroditur

Pse sulmohet krishtërimi, si prej botës fetare, ashtu edhe prej asaj ateiste? Ne predikojmë dashurinë, gëzimin, paqen, normat morale, e mbi të gjitha, shpëtimin nëpërmjet Zotit Jezus Krisht. Armiqtë tanë, po të ishin (siç thonë edhe vetë se janë) njerëz të arsyeshëm, do të ishin gati të na dëgjonin e të mësonin prej nesh. Por, në fakt, njerëz të tillë nuk duan që Perëndia t’iu ndërhyjë në jetët e tyre mëkatare. Jezus Krishti është si ajo drita e shndritshme, që zbulon errësirën në shpirtin e njerëzve. “Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:20). Mëkatarët i kundërvihen gjithçkaje, që iu sjell ndërmend domosdoshmërinë e pendimit. Në vargun e mësipërm, fjala “të çoroditur” ka kuptimin e dikujt, që ka një pikëpamje të kundërt me atë të Perëndisë, një pikëpamje të pasinqertë, ose siç përkthehet edhe në gjuhën greke, njerëz të tillë janë absurdë. Besimi në Biblën është i vetmi ilaç për mësuesit e rremë dhe veprat e tyre.

Të këqij

Vetë universi na vërteton se një mjeshtër dezinjator ka krijuar gjithçka. Por njeriu mëkatar refuzon madje që ta mendojë, qoftë edhe një mendim të tillë. Teoria e evolucionit është produkt i një mendjeje të keqe. Për ata që i besojnë kësaj teorie, të pranuarit e egzistencës së Perëndisë, do të thotë të pranuarit e gjykimit për mëkatin. Njerëz të tillë e bëjnë veten armiq të kryqit të Krishtit. Ata bëjnë të pamundurën për ta penguar përhapjen e Ungjillit, e për t’iu kundërvënë atij. “Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianëve 3:18-19).

Shpëtimi

Të gjithë besimtarët kanë nevojë të shpëtohen e të çlirohen prej njerëzve të tillë. Ata që nuk pranojnë të jenë të arsyeshëm, të ndershëm e të sinqertë, inatosen shpejt, kur iu prezantojmë atë që thotë Bibla, lidhur me një çështje të caktuar. Na i përdredhin fjalët; mundohen të na vënë në lojë, të na denoncojnë para të tjerëve, etj. Prandaj, pra, njerëz të tillë janë të rrezikshëm. Duhet të mënjanohemi prej tyre, sepse thëniet e tyre kundra nesh shpejt mund të marrin formën e persekucionit. Pali e kuptoi se edhe ai vetë kishte nevojë të çlirohej prej atyre, që përpiqeshin për ta penguar atë prej së përmbushurit të detyrës së tij. “Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua, që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t’u pëlqejë shenjtorëve” (Romakëve 15:30-31). Vjen një moment, kur duhet t’iu mënjanohemi njerëzve “të çoroditur e të këqij“, sidomos kur njerëz të tillë fillojnë të thonë gjëra të ndyra rreth Krishtit dhe Biblës. “Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: “Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë” (Veprat e Apostujve 18:6).                

Përfundim

Perëndia i njeh të gjithë ata, që i kundërvihen ligësisht së vërtetës. Ai ka për t’u marrë me ta, kur të qëndrojnë një ditë para Tij, gati për t’u gjykuar. “Sepse ai i njeh njerëzit e rremë; e sheh padrejtësinë dhe e kqyr” (Jobit 11:11). Është shumë e vështirë, kur vjen puna për t’u marrë me ata brenda për brenda kishës, që kapen pas doktrinave të rreme. Duhet ta pranojmë se, pavarësisht nga paraqitja e tyre e jashtme, njerëz të tillë nuk kanë besim të vërtetë në Krishtin e nuk janë të shpëtuar. Në Biblën Studimore të Gjenevës thuhet kështu: “E megjithatë, Kisha nuk ka për t’u shkatërruar kurrë prej turmës së të ligëve, sepse ajo është e themeluar dhe e bazuar tek premtimi besnik i Perëndisë”. “Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë” (Mateu 16:18).

Mbrapa

Advertisements