Sadei – Fjala pastruese

Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. (Psalmi 119:137-144).

Parathënie 

Mënyra sesi sillemi tregon konsideratën që kemi për fjalën e Perëndisë. Jeta e atyre, që e lënë Biblën të zërë pluhur mbi tavolinë, është e ndotur me pisllëkun e botës. Por ata që e lexojnë, e studjojnë dhe e vënë në praktikë Biblën, e kanë mendjen të pastër. Autori i psalmit e vuri re se Bibla e mbante larg prej mëkateve të atyre, që e rrethonin.

I drejtë

A e njohim mirë karakterin e Perëndisë? Është Bibla ajo që na e shfaq Krishtin. Gjatë gjithë faqeve të saj, mësojmë sesi Perëndia është i drejtë, ndaj gjithçka që bën Ai, rrjedh prej këtij fakti. Fjala “i drejtë” do të thotë se Zoti është një Perëndi që e mban besëlidhjen. “Dekretet” e Tij janë të drejta, fjalët e Tij janë “me drejtësi dhe me besnikëri të madhe”. Ka nga ata, që thonë se Bibla që kemi sot nuk është kopja origjinale, por Perëndia e ka ruajtur mirë fjalën e Tij. “Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë. Ti, o Zot, do t ‘i mbrosh dhe do t’ i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë” (Psalmi 12:6-7). Ata që e mohojnë të vërtetën, thonë gjithashtu se Perëndia nuk është në gjendje ta mbrojë fjalën e Tij prej duarve të të ligëve, apo ta ruajë atë si testament besnik për popullin e Vet. Por po nuk e patëm sot fjalën e Zotit, është e pamundur për të patur një marrëdhënie me Të, apo për t’u shpëtuar. Po nuk e patëm fjalën e Zotit, atëherë emri i Tij nuk është më i fuqishëm. “Ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër” (Psalmi 138:2).

E pastër

Autori i psalmit e pa se ligësia shoqërore vinte si rrjedhim i braktisjes së Biblës. Ai popull, që e hedh poshtë Perëndinë e Qiellit, ka vetëm Ferrin për shok! “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17). Ata që e urrejnë Zotin, kujtojnë se e kanë prejardhjen prej kafshëve, ndaj edhe shpeshherë sillen si kafshët. Le ta harrojë bota fjalën e Zotit, por ne le të kemi edhe më shumë “zell” për Të. Nëse jemi vërtet të përkushtuar ndaj Biblës, do të duam që t’iu tregojmë të tjerëve rreth saj. Nëse besojmë vërtet se fjala e Zotit është “e pastër”, d.m.th. se ajo është besnike në gjithçka që thotë, atëherë do ta duam, do ta lexojmë dhe do ta predikojmë edhe më shumë atë. Pastërtia e fjalës së Zotit reflekton pastërtinë e autorit të saj. “Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai” (Fjalët e Urta 30:5). Bota le të na tallë dhe le të na përçmojë, ngaqë besojmë tek Zoti, por ne le të mos e kompromentojmë besimin tonë, apo të vërtetën.

E përjetshme

Mësimet dhe filozofitë e njerëzve ndryshojnë me kalimin e kohës dhe një ditë atyre iu vjen fundi. Teoria e evolucjonit, p.sh. edhe pse ka evoluar brez pas brezi, është po aq qesharake sa në fillimet e saj. Kurse fjala e Perëndisë nuk ndryshon kurrë, por ka për të rrojtur gjatë gjithë përjetësisë. Ajo i ka mbijetuar urrejtjes së paganëve, zjarreve të udhëheqësve fetarë, ligësive të njerëzve të ndryshëm dhe të ashtu-quajturve “kritikëve” të saj. “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Luka 21:33). Fjala e Perëndisë reflekton karakterin dhe cilësitë e Tij. “Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia” (Psalmi 90:2). Ajo që është “e përjetshme”, duhet të jetë “e vërteta”, ndaj edhe duhet të jetojmë sipas parimeve të së vërtetës. Ata që veprojnë kështu, kanë për t’u pastruar dhe për t’u shenjtëruar prej fuqisë së Biblës. “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). “Ankthi dhe shqetësimi” mund të na pushtojnë, por duhet ta ruajmë “gëzimin” që gjejmë tek fjala e Perëndisë. Dhimbjes dhe vuajtjes ka për t’i ardhur fundi një ditë, ndaj nuk ia vlen ta hedhim poshtë besimin tonë tek Perëndia i drejtë, besnik dhe i përjetshëm. Ajo që na nevojitet, është të udhëhequrit prej Frymës së Shenjtë gjatë gjithë problemeve me të cilat ballafaqohemi në jetë.

Përfundim

Perëndia që na shpëtoi me anë të Krishtit, ka për të na ruajtur, për të na bekuar dhe për të na i dhënë paqe shpirtit. Si fjala e shkruar (Bibla), ashtu edhe Fjala e Gjallë (Krishti) janë dy shprehje të plota të karakterit të Perëndisë. Ai është pikërisht ashtu siç thotë fjala e Tij. As nuk ka për ta thyer, as nuk ka për ta ndryshuar fjalën e Vet. Ne i besojmë, pra, një Zoti që është përjetësisht besnik. Djalli dhe të ligët nuk duan që ne të kemi një bekim të tillë. Por le ta shtrëngojmë fort këtë të drejtë hyjnore. “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23).

Mbrapa

Advertisements