Sakrifica e Zotit dhe Darka e Tij e Fundit

Marku na bën, me pak vargje, një përshkrim të parimit të Darkës së Zotit. Për shekuj me rradhë, fjalët e ndodhura në këtë Ungjill lidhur me këtë çështje, si edhe ato të ndodhura në Ungjijtë e tjerë, janë abuzuar, keqpërdoruar dhe keqkuptuar prej degëve të ndryshme të krishtërimit. Darkës së Zotit i ka humbur rëndësia e vërtetë e saj, ngaqë mësues të rremë, me shtesat supersticioze të tyre, e kanë korruptuar këtë parim biblik. Besimtari duhet t’i lërë mënjanë të gjitha ato ç’thonë degët e ndryshme të krishtërimit lidhur me këtë çështje dhe ta studiojë atë që thotë vetë Bibla.

Të shqyrtuarit

Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët. Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë”. Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t’i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?”. Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?”. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak. Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!” (Marku 14:17-21).

Zoti Jezus Krisht i vuri në provë dishepujt e vet, duke i pyetur nëse e meritonin të merrnin pjesë në Darkën e Zotit. Edhe besimtarët e sotshëm, para se të hanë nga buka e të pinë nga kupa, duhet ta shqyrtojnë vetveten, ashtu siç bënë edhe dishepujt: “Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin” (1 Korintasve 11:28-30). Ata që marrin pjesë në Darkën e Zotit në një mënyrë të shkujdesur e të parespektueshme, janë fajtorë, sepse, duke vepruar kështu, ata e mohojnë Krishtin dhe bien menjëherë nën gjykimin dhe zemërimin e Perëndisë: “Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit” (1 Korintasve 11:27).

Përfitimi shpirtëror i Darkës së Zotit varet plotësisht nga mënyra me të cilën merret kjo Darkë. Buka dhe vera nuk kanë aspak fuqi për t’i bërë mirë shpirtit, po qe se nuk vijmë denjësisht dhe me besim përpara Krishtit. Të qënit i padenjë për të marrë pjesë në Darkën e Zotit nuk duhet të bëhet shkak për ta neglizhuar vetë Darkën. Po qe se e shqyrtojmë veten dhe, më pas, e rrëfejmë mëkatin, atëherë nuk ka asgjë që të na pengojë prej ngrënies së bukës dhe pirjes së kupës. Perëndia thjesht i urdhëron besimtarët, që të mos vijnë tek tryeza e Tij në mënyrë fetare, ose pa e vrarë mendjen fare për atë që po bëjnë. Nëse nuk jemi gati për të marrë pjesë në Darkën e Zotit, atëherë nuk jemi gati as të vdesim!

Shembulli

Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im”. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj” (Marku 14:22-23).

Buka përdoret për të na sjellë ndërmend se Krishti u “tejshpua për shkak të shkeljeve tona” (Isaia 53:5) dhe se gjaku i Tij “na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjonit 1:7). Këtu shohim jo vetëm shlyerjen prej mëkatit, por edhe pajtimin e mëkatarit me Perëndinë, sepse Krishti u sakrifikua në vendin tonë dhe u bë garanci për ne.

Kur besimtari merr pjesë në Darkën e Zotit, ai e pranon ligësinë e mëkatit të tij, si edhe faktin se vetëm vdekja sakrifikuese e Krishtit dhe gjaku i Tij faj-shlyes mund ta çlirojnë atë prej gjykimit dhe ndëshkimit. Besimtari, në fillim, para se ta kuptojë çmimin e lartë që pagoi Krishti për shpengimin e tij, duhet ta kuptojë se ai vetë është i pashpresë e i paaftë. Buka dhe kupa janë thjesht për t’i kujtuar besimtarit borxhin e madh, që nuk mundej ta paguante dot vetë, por se Zoti e mbarti mëkatin tonë mbi supet e Tij, në mënyrë që të bëheshim fëmijë të Perëndisë: “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21)… “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetrit 2:24). Mbi të gjitha, mendime të tilla duhet të prodhojnë mirënjohje në zemrat tona për çmimin, që pagoi Shpëtimtari për ne. Në Darkën e Zotit, ne sjellim ndërmend pikërisht këto fakte: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim” (Luka 22:19).

Shpresa

Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë” (Marku 14:24-25).

Vetëm të gjallët hanë e pinë. Prandaj vetëm të krishterët duhet të marrin pjesë në Darkën e Zotit. Ashtu siç një njeri i gjallë ha e pi për të marrë forcë e për t’u freskuar, ashtu edhe besimtari e sheh se besimi i rritet dhe shpirti i freskohet në Darkën e Zotit. Në faqet e Biblës nuk përmendet asnjëherë se buka dhe pija shndërrohen në trupin dhe gjakun e Krishtit, ashtu si me magji. Katolikët, që s’kanë besim të vërtetë, kënaqen, duke besuar në fantazi të tilla. Ngaqë s’ka besim tek Krishti, katoliku kujton se mund të bëjë si t’i dojë qejfi gjatë gjithë javës, mjafton që të shkojë e të marrë pjesë në meshë të dielën. Ata që e bazojnë besimin e tyre në bestytni, gënjejnë vetveten.

Ngrënia e bukës dhe pirja e kupës nuk mund ta shpëtojnë dot shpirtin, apo të na justifikojnë përpara Perëndisë. Ata që nuk janë të shpëtuar e që marrin pjesë në Darkën e Zotit pa u penduar për mëkatet e tyre, do ta gjejnë veten në një gjendje më të keqe shpirtërore sesa më parë. Por, ata që e pranojnë Krishtin me anë të besimit, do ta shohin se iu është forcuar besimi, kur kanë marrë pjesë në Darkën e Zotit: “Sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve” (Mateu 26:28). Nuk mund t’i shohim dot duart dhe këmbët e Krishtit, të shpuara me gozhdë, por të përkujtuarit e Darkës së Zotit na sjell ndërmend çmimin që pagoi Ai për ne. Ata që i binden dhe e ndjekin me besnikëri Krishtin, e presin me padurim ditën, kur do ta festojnë Darkën e Zotit në Qiell: “Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit” (Zbulesa 19:9).

Përfundim

Të shumtë janë ata, që ia kanë kthyer kurrizin Darkës së Zotit. Duke vepruar kështu, ata kryejnë një mëkat shumë më të madh, sesa mëkati që kujtojnë se i pengon së marri pjesë në Darkën e Zotit. Asnjë besimtar nuk duhet ta neglizhojë atë që ka themeluar Zoti si parim për kishën, derisa Ai të kthehet: “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë” (1 Korintasve 11:26). Po qe se nuk po hamë e nuk po pimë me Të në Darkën e Tij këtu në tokë, si, vallë, shpresojmë se do të hamë e do të pimë me Të në Darkën e Tij në Qiell?

Mbrapa

Advertisements