Sameku – Fjala gjykuese

Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd. Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde. Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim. Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time. Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t ‘i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi. Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër. Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua. Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua (Psalmi 119:113-120).

Parathënie  

Fjala e Perëndisë hidhet poshtë prej botës së sotshme, prej medias dhe fatkeqësisht edhe brenda për brenda kishës. Në vargjet e mësipërme, autori i psalmit na flet rreth ndëshkimit, që marrin “njerëzit e këqij”, ata që “largohen nga statutet e Zotit”, gënjeshtarët dhe “të pabesët”. Një ndëshkim të tillë marrin të gjithë ata, që nuk e nderojnë dhe nuk e respektojnë Perëndinë.

Gënjeshtarët

Autori i psalmit thotë se i urren ata që gënjejnë, ngaqë ai vetë e do fjalën e Zotit. Ka të ngjarë që këtu ai t’iu referohet atyre, që lëkunden “midis dy mendimeve” (1 Mbretërve 18:21), që janë të pasigurtë për t’i besuar asaj që thotë Bibla, apo asaj që thotë bota. Njerëz të tillë, nga njëra anë flasin gjuhën e Perëndisë, nga ana tjetër flasin gjuhën e botës. “Një njeri me dy mendje [është] i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta” (Jakobi 1:8). Ata që e duan Biblën, nuk janë me dy mendje. Bibla është themeli i fortë, mbi të cilin ngremë jetën. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb” (Mateu 7:24).

Streha

Fjala e Perëndisë është “streha” dhe “mburoja” jonë. Psalmi 28:7 thotë se “Zoti është forca ime dhe mburoja ime”, ndaj edhe nuk mund ta hedhim dot poshtë fjalën e Tij. Fjala e Zotit na e mbron mendjen dhe shpirtin nga të gjitha sulmet që hasim në këtë botë, përsa kohë që i besojmë Atij. Prandaj edhe autori i psalmit iu thoshte armiqve të tij që të largoheshin. Madje edhe vetë Zoti Jezus Krisht, i Cili e mundi çdo tundim me anë të Biblës, tha: “Shporru, Satan” (Mateu 4:10).

Autori i psalmit nuk mbante shoqëri me ata, që ngrinin krye kundra fjalës së Zotit, apo e tallnin atë. Ai nuk e humbiste kohën me diskutime të gjata me ata, që e kundërshtonin Biblën. Një fjalë e urtë thotë: “Më thuaj me kë rri, të të them se cili je”, prandaj edhe nuk duhet t’i kemi për miq “njerëzit e këqij”, sepse ata kanë për të na e dëmtuar besimin tonë tek Zoti. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Duhet të jemi në kontakt me botën, vetëm me qëllim për ta ndarë me të tjerët Ungjillin e shpëtimit. Kur i bindemi së vërtetës dhe e vëmë atë në praktikë, kemi për ta parë se fjala e Perëndisë na forcon kundra sulmeve të djallit. Ata që veprojnë kështu, kurrë nuk kanë frikë prej atyre që i tallin, kurrë nuk kanë turp për besimin e tyre tek Krishti. Zoti ka për të na “përforcuar” dhe për të na mbrojtur gjatë gjithë vështirësive dhe tundimeve në këtë botë. Mund të sulmohemi nga të gjitha anët, por Ai ka për të na çliruar prej atyre, që e urrejnë Atë dhe fjalën e Tij.

Shkatërrimi

Po afron dita e gjyqit për të gjithë ata që e urrejnë Perëndinë, fjalën, apo kishën e Tij. Gjykimi i Zotit mund të derdhet mbi njerëz të tillë madje edhe sa janë gjallë, por s’ka dyshim se ky gjykim ka për të ardhur patjetër, kur ata të qëndrojnë një ditë përpara fronit të Zotit. Të gjithë ata që nuk besojnë tek Perëndia, po nuk u penduan dhe nuk u kthyen tek Krishti, kanë për të patur takim një ditë me zemërimin e Tij! E ashtu-quajtura “zgjuarsi” e tyre ka për t’u dukur vërtet ashtu siç është: budallallëk. Po ata, që nuk janë aq abuzues ndaj Krishtit, ç’fat do të kenë? Edhe ata kanë për t’u hedhur poshtë prej Zotit dhe kanë për t’u mohuar përjetësisht prej Tij. “Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm” (Zbulesa 19:15). Këtu përfshihen gjithashtu edhe ata, që “largohen nga statutet” e Zotit, apo që e mashtrojnë kishën me mësime të rreme. “Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21:8). Ata që e urrejnë Biblën, apo që e shtrembërojnë atë, kanë për të patur të njëjtin fat. Kanë për t’u hedhur poshtë si të padobishëm, si fundërrina.

Vetëm ata që e duan Perëndinë dhe fjalën e Tij kanë për t’i shpëtuar shkatërrimit, që po afron. Ata nuk kanë për të qenë të pranishëm me të pabesët dhe nuk kanë për të përjetuar ndëshkimin e tyre të përjetshëm. Autori i psalmit thotë se i dridhet mishi përpara shenjtërisë dhe gjykimit të Zotit. A nuk është më mirë të dridhemi përpara Tij këtu në tokë, sesa në ditën e gjykimit? “Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë:”Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund të shohim gëzimin tuaj”. Por ata do të jenë të shushatur” (Isaia 66:5). Madje edhe demonët dridhen sot. “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Vetëm mëkatarët dhe ata që e hedhin poshtë Biblën, nuk dridhen. “Nuk ka druajtje të Perëndisë para syve të tyre” (Romakëve 3:18). Po qe se Zoti nuk ka për ta ndëshkuar botën, që e hedh Atë poshtë, atëherë kjo tregon se Ai nuk ka respekt për vetë fjalën e Tij.

Përfundim

Autori i psalmit, pra, na zbulon fatin e përjetshëm të atyre, që e nderojnë Perëndinë dhe të atyre që e urrejnë Atë. Ai na thotë qartë se ka vetëm dy rezultate të mundshme, që dalin prej mënyrës sesi jetojmë këtu në tokë. Në sytë e Perëndisë, si ata që janë me dy mendje, ashtu edhe ata që e sulmojnë hapur Atë, janë njëlloj – të denjë për të marrë të njëjtin ndëshkim. “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46). 

Mbrapa

Advertisements