Saulit i falet jeta

“Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: “Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit”. Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra. Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës). Njerëzit e Davidit i thanë: “Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: “Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash””. Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit. Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit. Kështu u tha njerëzve të tij: “Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit”. Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij” (1 Samuelit 24:1-7).

Parathënie

Sauli, pasi i dëboi filistenjtë prej Izraelit, u nis përsëri në kërkim të Davidit. Nuk duhet ta imagjinojmë mbretin Saul si një njeri të dobët, që nuk është në gjendje ta komandojë një ushtri të tërë. Le të mos e harrojmë faktin se ai sapo i kishte mundur filistenjtë, ndaj edhe s’ishte as i dobët, as i paaftë. Por kjo s’do të thoshte se Perëndia ishte me të. “S’është e thënë që suksesi njerëzor të jetë vërtetim i miratimit hyjnor” (autori Artur Pink).

Lajmi

Sauli, sapo e mori vesh se ku po strehohej Davidi, u nis së bashku me 3 mijë vetë në kërkim të 600 vetëve të Davidit. E shohim, pra, se sa i vendosur ishte Sauli. Engedi nuk ishte një zonë e lehtë për t’u kaluar. Përkundrazi, ishte terreni më i vështirë e më i ashpër në të gjithë Izraelin. Siç e ka thënë edhe autori R. P. Smith, ky fakt “na tregon urrejtjen e pamasë, që Sauli kishte për Davidin”. Ndoshta Sauli kujtoi se, ngaqë sapo i kishte mundur filistenjtë, do ta mundte tani edhe Davidin. Po ta kishte gabim, atëherë pse nuk e lejoi Perëndia, që ai të vritej në fushën e betejës kundër filistenjve? Por Sauli e harroi faktin se gjyqi nuk vjen menjëherë. “Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen” (Predikuesit 8:11).

Shpella

Kur arriti në Engedi, Sauli shkoi për të dalë jashtë (për të kryer një nevojë natyrale) në një nga shpellat atje. Nuk e dinte se kjo ishte pikërisht shpella, ku ishin fshehur Davidi dhe njerëzit e tij. Disa komentues të Biblës kanë sugjeruar se Sauli “shkoi për të fjetur” në shpellë. “Sauli ishte njeri i ushtrisë dhe nuk e kishte problem të flinte përjashta me ushtarët e tij. Për më tepër, është mëse e mundur që ai të kishte qenë i lodhur, fillimisht prej së luftuarit kundër filistenjve, e së dyti, kundër Davidit. Ndaj edhe kishte nevojë për gjumë. Perëndia e lejoi atë gjithashtu, që të hynte në këtë shpellë, me qëllim që Davidi të kishte rast t’ia shfaqte Saulit dhe tërë Izraelit karakterin e tij të pastër” (Gjon Uesli). Kjo ide e ‘shkuarjes së Saulit për të fjetur në shpellë’ e ka prejardhjen tek këshilla, që Naomi i dha Ruthit lidhur me Boazin: “Kur të shkojë të shtrihet, kqyr vendin ku shtrihet; pastaj shko aty, zbulo këmbët e tij dhe shtriu edhe ti” (Ruthit 3:4). Por është për t’u theksuar se shprehjet që përdoren në këto dy pasazhe biblike, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Ka të ngjarë, pra, që Sauli t’i ketë mbuluar këmbët me mantelin, që kishte veshur, me qëllim që të mos dukej, kur po kryente një nevojë natyrale. E njëjta shprehje përdoret edhe tek Gjyqtarëve 3:24 prej shërbëtorëve të Eglonit, ndërsa ata prisnin që ai të dilte jashtë dhomës, ku po krynte një nevojë natyrale të tijën.

Mund të na duket çudi se si Sauli nuk ishte në gjendje t’i vinte re 1200 palë sy, që po e shikonin brenda shpellës. Por “shpellat janë të errëta, si nata… Sauli nuk mund të shihte dot asgjë, përveç errësirës së papërshkrueshme” (R. P. Smith). Ata që ishin në shpellë, mund ta shihnin qartë se ç’po bënte mbreti, ngaqë sytë i kishin të drejtuara tek hyrja e shpellës, nga vinte edhe drita. Kështu pra, në këtë situatë, Sauli gjendej në duart e Davidit, i varur tek mëshira e tij.

Këshilla

Njerëzit e Davidit i thanë atij se Perëndia i kishte premtuar se do t’ia dorëzonte një ditë armikun në dorë. Mos, vallë, Zoti po i jepte Davidit një rast të mirë dhe një rrugë të kollajshme për t’u bërë mbret? Gjithmonë ka për të egzistuar një rrugë, që të çon drejt “suksesit të menjëhershëm”, por, në më të shumtën e rasteve, kjo rrugë “nuk është rruga e drejtë” (autori Çarls Çapman). Me të njëjtin tundim e tundoi edhe Satanai Zotin Jezus: “Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, dhe i tha: “Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron” (Mateu 4:8-9).

Tundimi ishte tepër i fortë, ngaqë Davidi kishte 600 vetë, që po e përkrahnin e po e inkurajonin, që ta vriste Saulin. Jo vetëm kaq, por këta burra i cituan Davidit fjalë nga vetë Bibla, për ta bindur atë se ky moment ishte planifikuar me kohë prej Perëndisë. Edhe Satanai është gati ta citojë Biblën, por duke e shtrembëruar, me qëllim që t’i përputhet planeve të tij të liga: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: “Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur” (Mateu 4:6). Davidi, i ndodhur nën një presion shumë të madh, e kishte tani në dorë për ta vrarë, apo jo Saulin.

Manteli

Ka të ngjarë që, tek po i afrohej këmba-dorës Saulit, Davidit t’i ishte ndërruar mendja. Ndaj edhe ai ia preu mbretit vetëm cepin e mantelit. Ndoshta e kuptoi se nuk i bihet dot shkurt rrugës së suksesit! Madje edhe një veprim i tillë e trishtoi shumë Davidin. Kjo na tregon se sa shumë më i trishtuar do të ishte ndjerë ai, po ta kishte vrarë Saulin. Njerëzve të tij s’do t’iu vinte keq fare për një vrasje të tillë, ngaqë s’ishte një krim i madh. Por, siç e ka thënë edhe Mateo Henri: “Është gjë e mirë, që na copëtohet zemra, kur kryejmë mëkate, që të tjerëve mund t’iu duken të parëndësishme. Kjo tregon se ndërgjegjen nuk e kemi të fjetur, por e kemi zgjuar, e kemi të butë. Kjo lloj ndërgjegjeje do të na bëhet mjet i parandalimit të mëkatave edhe më të mëdha”.

I vajosuri

Davidi iua rrëfeu gabimin e tij njerëzve, që e rrethonin. Por ata po tregoheshin akoma të gatshëm për ta hequr qafe njëherë e mirë Saulin. Davidi mundi, që t’iua qetësonte gjakrat. Siç mund ta marrim edhe vetë me mend, kjo lloj bisede e ndezur duhet të jetë zhvilluar pak a shumë me shenja gishtash, jo me fjalë, që të mos i dëgjonte Sauli. Davidi arriti që t’i bindte njerëzit e vet, duke iu thënë se Sauli ishte akoma “i vajosuri” i Perëndisë, përsa kohë që Perëndia po e lejonte të ishte mbret. “Mos prekni të vajosurit e mi” (Psalmi 105:15). Folja “i ndali” (1 Samuelit 24:7) e ka prejardhjen tek fjala “shaca”, që në gjuhën hebraishte do të thotë “ta ndalosh fuqimisht”. E shohim, pra, se si Davidi nuk i la njerëzit e tij, që të vepronin si t’iu donte qejfi.

Përfundim

Sauli u ngrit, që të dilte nga shpella. Kjo do t’i kishte zemëruar tej mase njerëzit e Davidit, por ai vetë e dinte se Perëndia nuk kishte plan, që ai (Davidi) të ishte njeriu, që do ta vriste Saulin. Patjetër që Davidi do të kishte arritur një sukses të madh, po ta kishte vrarë Saulin. Por nuk duhet të justifikohemi, duke thënë se qëllimi që kemi, është i mirë dhe i drejtë, pavarësisht se mjetet, që përdorim, për t’ia arritur medoemos atij qëllimi,  janë të padrejta e të këqija. Të shumtë janë ata besimtarë, që kryejnë veprime nga më të ndryshmet, si e si për të patur sukses në jetë. Ata kujtojnë se e kanë Perëndinë me vete. Madje citojnë edhe vargje nga Bibla, për të bërë, që t’iu duken edhe më të shenjta veprimet e tyre. Por, si Davidi, ashtu edhe ne, duhet t’i nënshtrohemi udhëheqjes së Perëndisë. Përndryshe, do ta shkatërrojmë si veten, ashtu edhe ata, që na rrethojnë. Është për t’u theksuar se Davidi shkroi psalmet 57 dhe 142, për të përkujtuar këtë ngjarje në shpellë.

Mbrapa

Advertisements