Sfida

“Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut. Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve. Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina. Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë. Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi; në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri. Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij. Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: “Pse keni dalë për t’u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje. Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni”. Pastaj Filisteu shtoi: “Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: “Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!”. Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe” (1 Samuelit 17:1-11).

Parathënie

Filistenjtë ishin bërë si halë në sytë e izraelitëve, sidomos për faktin se izraelitët, në kundërshtim me urdhërin e Perëndisë, s’kishin arritur t’i dëbonin kurrë këta armiq prej Tokës së Premtuar. Në këtë studim lidhur me jetën e Davidit, vëmë re një gjigand me emrin Goliath, si edhe sfidën, që i paraqiti ai ushtrisë së mbretit Saul. Si pasojë, Sauli u frikësua, në vend që të kishte besim tek Perëndia. “Kur të shkosh në luftë kundër armiqve të tu dhe të shikosh kuaj, qerre dhe njerëz në një numër më të madh se ato që ke ti, mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, që të bëri të ngjitesh nga vendi i Egjiptit, është me ty. Kështu, në çastin kur do të jeni duke filluar betejën, prifti do të dalë përpara dhe do t’i flasë popullit dhe do t’i thotë: “Dëgjo, Izrael! Sot jeni gatitur për t’u ndeshur me armiqtë tuaj; zemra juaj të mos ju ligështohet; mos kini frikë, mos e humbni dhe mos u trembni para tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që ecën me ju për të luftuar për ju kundër armiqve tuaj dhe për t’ju shpëtuar” (Ligji i Përtërirë 20:1-4). Problemi qëndronte këtu: Zoti nuk ishte me Saulin. “Ndoshta Filistenjtë e kishin marrë vesh se Samueli e kishte braktisur Saulin dhe se vetë Sauli nuk ishte më i denjë si mbret. Armiqtë e kishës tregohen vigjilentë, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë në kurriz të popullit të Perëndisë dhe nuk ka përfitim më të madh për ta, sesa atëherë kur kisha vepron në mënyrë të atillë, saqë Fryma e Perëndisë dhe profetët e Tij e braktisin” (Nga Gjon Uesli). 

Kampioni prej Gathi

Është interesant fakti se, edhe pse fjala “kampion” përdoret disa herë në Bibël, në këtë pasazh, ajo ka një kuptim të caktuar, që do të thotë: “ai që qëndron në mes”. Kampioni i filistenjve ishte ‘arma e tyre më e mirë’ për shkatërrimin njëherë e përgjithmonë të Izraelit. Ata i kishin varur shpresat tek gjigandi Goliath. Kishin besim se tani madje as fuqia e ushtrisë më të bashkuar të Izraelit nuk do t’i mundte dot. Edhe Sauli ishte dakort me këtë mendim.

Goliathi, supermeni i filistenjve, rridhte prej një familjeje gjigandësh, me prejardhje nga Anakitët e kohës së Jozueut. Edhe pse Jozueu vrau shumë prej tyre, prapëseprapë disa arritën të shpëtonin e të banonin në Gath, Ashod dhe Gaza (Jozueu 11:22). Goliathi ishte gati 3m i gjatë. Pamja e tij e jashtme i futi frikën Saulit dhe ushtrisë së tij. Goliathi i ktheu ata në një turmë frikacakësh. Armatura e tij e llustruar mirë      prej bronzi vetëtinte nën dritën e diellit. Izraelitët u tmerruan nga madhësia e ushtës, shpatës dhe parzmores së tij.

Sfida

Goliathi i propozoi një sfidë Izraelit: n.q.s. luftëtari më i guximshëm i tyre do ta mundte, atëherë çdo filiste do të bëhej shërbëtor i Izraelit. Por, nëse ndodhte e kundërta, atëherë ata do t’i shërbenin filistenjve. Ushtria izraelite i kishte humbur fare shpresat, ngaqë e dinte se nuk mund ta mundte dot Goliathin. Gjigandi dilte çdo ditë, duke përsëritur sfidën e tij. Por askush prej izraelitëve, qoftë edhe njëherë të vetme, nuk i doli atij përpara.

Pse nuk dilte Sauli përpara të gjithëve, për të luftuar kundër armikut të Perëndisë, që kishte sfiduar Atë dhe popullin e Tij? Sauli, që “që nga supet e lart, ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë” (1 Samuelit 9:2), e kishte humbur besimin tek Zoti. A nuk ishte ai një luftëtar trim e, si rrjedhojë, një kandidat i përshatshëm për t’u ballafaquar me Goliathin? Por Sauli dridhej brenda tentës së tij, “i shtangur nga frika”. E dinte se do të vdiste menjëherë, po ta pranonte sfidën e Goliathit. Kishte mundësi t’i lutej Perëndisë në ato momente, por lutja s’ishte më pjesë e kujtesës së tij. Frika e tij ishte ngjitëse, ashtu si një virus, dhe, shumë shpejt, u përhap në tërë kampin. Mbreti Saul nuk ishte më një drejtues i denjë i Izraelit.

Përfundim 

Mëkati sjell frikën dhe frika ia zë vendin besimit, atëherë kur njeriu i var shpresat tek forcat e veta, apo tek aftësitë e dikujt tjetër, në vend që të shpresojë tek Perëndia. “I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan” (Fjalët e Urta 28:1). Kur frika zë rrënjë në zemrat tona, Satanai na paraqitet me Goliathin e tij, për të na bërë skllevërit e vet. Mbreti Saul nuk ishte njeri i besimit, por i një mendjeje të sëmurë, të shtangur nga frika. Pali na thotë se biografi të njerëzve të tillë ndodhen në Bibël, si paralajmërim për të gjithë besimtarët. “Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë” (1 Korintasve 10:11-12)…”Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7). Nuk është për t’u habitur, pra, kur Pali na inkurajon, që ta veshim “gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11), me qëllim që Satanai të mos na gjejë të pambrojtur.

Mbrapa

Advertisements