Sheba i vrarë

“Joabi kaloi në të gjitha fiset e Izraelit deri në Abel dhe në Beth-Maakah. Të gjithë Berejtë u mblodhën dhe i shkuan pas. Shkuan pastaj të rrethojnë Sheban në Abel të Beth-Maakahut dhe ndërtuan kundër qytetit një ledh prej dheu që ngrihej pranë mureve; tërë njerëzit që ishin me Joabin përpiqeshin të dëmtonin muret për t’i rrëzuar. Atëherë një grua e urtë thirri nga qyteti: “Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, i thoni Joabit të afrohet, sepse dua t’i flas!”. Kur iu afrua, gruaja e pyeti: “A je ti Joabi?”. Ai u përgjigj: “Jam unë”. Atëherë ajo i tha: “Dëgjo fjalët e shërbëtores sate”. Ai u përgjigj: “Po dëgjoj”. Ajo vazhdoi: “Dikur e kishin zakon të thonin: “Do t’i kërkojmë këshillë Abelit,” sepse kështu problemi ishte i zgjidhur. Jemi në një nga qytetet më paqësore e më besnike të Izraelit; dhe ti kërkon të shkatërrosh një qytet që është një nënë në Izrael. Pse kërkon të shkatërrosh trashëgiminë e Zotit?”. Joabi u përgjigj: “Qoftë larg, larg meje mendimi i shkatërrimit dhe i shkretimit. Punët nuk qëndrojnë kështu; një njeri nga krahina malore e Efraimit i quajtur Sheba, bir i Bikrit, ka ngritur dorën kundër mbretit, kundër Davidit. Më dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti”. Gruaja i tha Joabit: “Ja, koka e tij do të hidhet nga muri”. Atëherë gruaja; me urtësinë e saj, iu drejtua tërë popullit; kështu ia prenë kokën Shebas, birit të Bikrit, dhe ia hodhën Joabit. Ky urdhëroi t’i bien borisë dhe të gjithë u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në çadrën e vet. Pastaj Joabi u kthye në Jeruzalem pranë mbretit. Joabi ishte në krye të gjithë ushtrisë së Izraelit; Benajahu, bir i Jehojadit, ndodhej në krye të Kerethejve dhe të Pelethejve. Adorami merrej me haraçet; Jozafati, bir i Ahiludit, ushtronte funksionin e kançelierit; Sheva ishte sekretar; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinj; dhe Ira i Jairit ishte kryeministri i Davidit” (2 Samuelit 20:14-26).

Parathënie

Tani që Amasa vdiq, Joabi dhe Abishai iu vunë punës, për ta kapur Shebën dhe për t’i dhënë fund kryengritjes. Pasi grumbulluan një ushtri të madhe (sepse nuk e dinin se sa i fuqishëm ishte Sheba), u nisën drejt qytetit të fortifikuar të Abelit, i cili ndodhej në kufi me Sirinë.

Muri

Sheba e kishte zgjedhur mirë vendstrehimin e tij, sepse Abeli mbrohej prej një muri të fortë, që nuk mund të shkatërrohej dot, pa u përdorur një forcë e madhe. Shumë komentatorë të Biblës besojnë se vargu i parë i studimit tonë ka të bëjë me Shebën e jo me Joabin. Kjo do të thotë se Sheba kishte shkuar nga fisi në fis, duke u përpjekur për të grumbulluar sa më shumë njerëz, që ta mbështesnin në kryengritje, para se të ndalonte në Abel me një grup të vogël ushtarësh. Fatmirësisht për Joabin dhe Abishain, revolucioni i Shebës nuk kishte patur aq shumë sukses, sa ai i Absalomit. Ka të ngjarë që Sheba të ketë qenë duke u fshehur në Abel, për t’i shpëtuar ushtrisë së Izraelit. E megjithatë, ushtria e Joabit e rrethoi qytetin dhe u mundua, me aq sa kishte fuqi, ta shkatërronte murin.

Gruaja

Në Abel ndodhej një grua e mençur, që ndoshta ishte gjykatësja e qytetit, apo drejtuesja e tij. Ajo e kuptoi se muri më në fund do të shëmbej dhe ndoshta të gjithë banorët e qytetit do të vriteshin, ngaqë kishin strehuar një të arratisur. I tha Joabit se Abeli njihej për mençurinë e tij si qytet dhe se, kur dikush kishte një problem për ta zgjidhur, vinte në fillim tek qyteti i Abelit për t’i kërkuar këshillë. Gruaja i tha Joabit se debati me tyre mund të zgjidhej me paqe, jo me luftë. Po qe se Abeli do të shkatërrohej, atëherë Izraeli do të humbiste një nga thesaret e tij. Kjo grua deklaroi se Abeli ishte qytet paqësor dhe besnik, dy cilësi këto të rralla e të çmuara për çdo qytet. Iu lut Joabit, që të tregohej i mëshirshëm me banorët e pafajshëm brenda mureve të qytetit, duke e paralajmëruar gjithashtu se do të vepronte kundra Perëndisë, nëse do ta sulmonte Abelin. Ndoshta kjo grua e urtë e bazoi lutjen e saj tek Ligji i Përtërirë 20:10, “Kur t’i afrohesh një qyteti për ta sulmuar, do t’i ofrosh së pari paqen”.

Joabi i premtoi asaj se nuk kishte si qëllim për t’i vrarë të pafajshmit, së bashku me fajtorët, por ishte në kërkim vetëm të një njeriu, që kishte ngritur krye kundra mbretit. I vuri një kusht: ose banorët e Abelit i dorëzonin Shebën, ose ai do ta sulmonte qytetin. Ndoshta Sheba i kishte gënjyer këta banorë, duke iu thënë se nuk kishte bërë ndonjë krim. Ka të ngjarë që Abeli të ketë qenë qytet strehimi, ndaj edhe Sheba shkoi atje. Por Joabi po iu thoshte banorëve të Abelit se drejtësia duhej vënë në vend.

Gruaja e urtë ra dakort me fjalët e Joabit dhe, pasi u këshillua me popullin, vendosi që t’ia dorëzonte Joabit Shebën, të cilit ia prenë kokën dhe ia hodhën nga muri. Kjo e kënaqi pa masë Joabin dhe i solli fund kryengritjes.    

Përfundim

Joabi u bë kryekomandant i ushtrisë dhe “Davidi nuk kishte rrugëdalje tjetër, veçse ta kënaqte Joabin, ngaqë nuk guxonte ta ndëshkonte për vrasjet që kishte kryer, sepse, po të vepronte kështu, mbreti do të vinte në rrezik sigurinë e vendit dhe do t’i hapte rrugë luftës civile” (Adam Klark), ose, siç e thotë edhe Gjon Uesli: “Mbreti do ta vinte vendin në rrezik, po ta shkarkonte Joabin nga detyra”. Në vargjet e fundit të këtij studimi vëmë re të përmendur një listë emrash, të atyre që u ngritën në pozitë në qeverinë e Davidit. Të njëjtën listë e gjejmë të përmendur edhe tek 2 Samuelit 8:15-18 dhe 1 Mbretërve 4:1-6.

Mbrapa

Advertisements