Sheba rebel

“Ndodhej aty një keqbërës i quajtur Sheba, bir i Bikrit, një Beniaminit, i cili i ra borisë dhe tha: “Nuk kemi asnjë pjesë me Davidin dhe asnjë trashëgimi me birin e Isait! O Izraelitë, secili të shkojë në çadrën e vet”. Kështu tërë njerëzit e Izraelit e braktisën Davidin për të ndjekur Shebin, birin e Bikrit. Por njerëzit e Judës mbetën të bashkuar me mbretin e tyre dhe e shoqëruan nga Jordani deri në Jeruzalem. Kur mbreti David hyri në shtëpinë e tij në Jeruzalem, i mori të dhjetë konkubinat që kishte lënë për të ruajtur shtëpinë dhe i vendosi në një banesë të mbikqyrur; ai i mbante ato, por nuk hynte te ato; kështu ato mbetën të mbyllura deri ditën e vdekjes së tyre, në një gjendje vejërie. Pastaj mbreti i tha Amasas: “Më mblidh njerëzit e Judës brenda tri ditëve dhe ti vetë të jesh këtu”. Amasa u nis, pra, për të mbledhur njerëzit e Judës, por vonoi tej afatit të caktuar. Atëherë Davidi i tha Abishait: “Sheba, biri i Bikrit, do të na bëjë më keq se Absalomi; merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe që të mos shtjerë në dorë qytete të fortifikuara dhe të na shpëtojë”. Nën komandën e tij shkuan njerëzit e Joabit: Kerethejtë, Pelethejtë dhe tërë njerëzit më trima; dolën nga Jeruzalemi për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit” (2 Samuelit 20:1-7).

Parathënie   

Historia e rebelimit të Shebës kundra Davidit është një pasazh i futur mes dy pasazheve të tjera, të cilat, në pamje të parë, na duken sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por autori i librit të 2 Samuelit i ka shkruar ngjarjet në mënyrë kronologjike, ndaj edhe i shohim këto histori të rradhitura njëra pas tjetrës në këtë kapitull. Në këtë studim, pra, ballafaqohemi në fillim me kryengritjen e Shebës, pastaj shohim se si u soll Davidi me konkubinat e tij.

Debati

Davidi sapo e kishte marrë veten prej kryengritjes së Absalomit, kur, papritur, i del përpara një kryengritje tjetër. Në studimin tonë të kaluar, vumë re se sa të përçara ishin fiset e Izraelit dhe të Judës lidhur me kthimin e mbretit në Jeruzalem. Por nuk kaloi shumë kohë dhe fiseve të Izraelit iu kthye mendja! Davidit, pra, i duhej ta shtypte sa më shpejt këtë kryengritje të re, sepse, përndryshe, ajo do t’i shkaktonte atij edhe më shumë dëm sesa kryengritja e Absalomit. Ka të ngjarë që Sheba të ketë qenë i pranishëm, atëherë kur Izraeli u ngrit kundër Judës (në kapitullin e mëparshëm) dhe, ngaqë nuk mori përgjigjen e dëshiruar prej Davidit, Sheba vendosi të themelonte një shtet të pavarur të Izraelit, jashtë kontrollit të mbretit.

Sheba na përshkruhet këtu si një “keqbërës”, gjë që do të thotë se ai ishte një njeri i ligë dhe i pavlefshëm, që dinte të sillte vetëm përçarje. Është për t’u theksuar fakti se Izraeli ishte gati sërish për t’i shkuar pas një karakteri të tillë të paperëndishëm. “Vërtet që nuk kemi shumë njohuri rreth këtij njeriu, por prapëseprapë e shohim se ai duhet të ketë qenë një njeri me aq autoritet dhe influencë të madhe, saqë ishte në gjendje të shkaktonte një kryengritje kaq të befasishme” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Izraelitët i kishin harruar, me sa duket, të 20 mijë vetët që kishin vdekur gjatë kryengritjes së mëparshme (2 Samuelit 18:27). Sheba ishte prej fisit të Beniaminit, një fis ky akoma besnik ndaj dinastisë së Saulit, një fis që nuk pranonte ta kishte Davidin si mbret. Është për t’u theksuar se Sheba nuk e konsideronte të ligë dhe të paperëndishme mënyrën me të cilën Sauli e kishte drejtuar kombin, sa qe gjallë. Ka të ngjarë që Sheba, jo vetëm që donte të krijonte një shtet të pavarur, por gjithashtu i konsideronte dhjetë fiset e Izraelit si një racë e veçantë, ndryshe nga ato të Judës. Tek 2 Samuelit 19:43, fiset e Izraelit thanë se atyre iu takonin “dhjetë pjesë” të mbretit, kurse tani ata nuk donin t’ia dinin fare për të! Nga njëra anë janë gati ta pranojnë si mbret, nga ana tjetër kërkojnë ta mohojnë plotësisht!

Konkubinat

Davidit i duhej të merrej jo vetëm me kryengritjen e Shebës, por edhe me çështjen e konkubinave, me të cilat kishte fjetur vetë Absalomi. Davidi dha urdhër që këto gra të mbaheshin nën mbikqyrje gjatë gjithë jetës. Disa shkrimtarë judenj thonë se mbretëreshave vejusha të Izraelit nuk iu lejohej të martoheshin për së dyti, por ishin të detyruara të jetonin një jetë të izoluar. Kjo nuk do të thotë se ato ishin si të burgosura, por thjesht se nuk iu lejohej që t’i afroheshin mbretit, apo të martoheshin me dikë tjetër. Mateo Henri na sugjeron se Davidi ndihej i ofenduar prej këtyre konkubinave, sepse prania e tyre i sillte atij ndërmend ligësinë e Absalomit. “Ato që ai i kishte dashur dikur, tani i duhej t’i urrente”.

Urdhëri

Davidi i dha urdhër komandantit të ushtrisë, Amasës, që ta shkatërronte Shebën dhe ta shtypte kryengritjen. Amasa nuk ishte personi i duhur për këtë punë, ngaqë ai vetë kishte luajtur një rol të rëndësishëm si komandant gjatë kryengritjes së Absalomit kundra Davidit. Për më tepër, e kishte vërtetuar se nuk mund të korrte dot fitore. Davidi kishte pranë Joabin, por zgjodhi Amasën në vend të tij. Ky do të ishte një gabim me pasoja të rënda, siç do ta shohim edhe në studimin e ardhshëm. Amasa nuk u nxitua fare për ta grumbulluar ushtrinë e për ta bërë gati atë për luftë kundra Shebës, gjë që na tregon se populli nuk donte të udhëhiqej prej tij. Fiset e Judës vërtet që i ndenjën afër Davidit (shiko 2 Samuelit 20:2), por ato nuk ishin aspak të kënaqura me vendimin e tij lidhur me Amasën si komandant ushtrie. E kishin kërcënuar më parë Izraelin (2 Samuelit 19:43), kurse tani nuk kishin më dëshirë të luftonin.

Davidi atëherë urdhëroi Abishain, që ta merrte nën kontroll situatën ushtarake dhe të shkonte sa më shpejt kundra Shebës, para se ai të grumbullonte më shumë njerëz rreth vetes. Joabit nuk iu dha urdhër të shkonte në luftë, por ai grumbulloi vetë një ushtri të vogël dhe u nis drejt betejës. Ka të ngjarë, pra, që tre ushtri u nisën për të luftuar kundër Shebës: ushtria e Abishait, ushtria e Amasës (ndonëse pak me vonesë) dhe ushtria e Joabit. E shohim, pra, se si Davidi e neglizhoi Joabin për së dyti, gjë që na shpjegon sadopak mënyrën, me të cilën ai u soll ndaj Amasës (në studimin e ardhshëm).        

Përfundim   

Davidi e gjeti veten përsëri në mes të një kryengritjeje tjetër. Izraelin e shohim tek e braktis mbretin në favor të një përçarësi. Ndoshta Sheba përfitoi nga rasti, në një kohë kur dhjetë fiset e Izraelit ishin të përçara kundra Davidit. Ndoshta Sheba kujtoi se ishte në gjendje të themelonte një shoqëri më demokratike sesa mbretëria e Davidit. Ndoshta ai nuk kishte si qëllim për ta rrëzuar Davidin nga froni (ashtu siç dëshironte Absalomi), e megjithatë kryengritja e Shebës ishte po aq e rëndësishme sa ajo e Absalomit.

Mbrapa

Advertisements