Shembulli i Epafroditit

“Por m’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar si shërbenjës në nevojat e mia, sepse kishte shumë mall për ju të gjithë dhe ishte shumë i vrarë sepse kishit dëgjuar se ishte i sëmurë. Edhe vërtetë ai qe i sëmurë, gati për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim. Për këtë arsye jua dërgova me aq më shumë ngut, që ju, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe unë të kem më pak trishtim. Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai, sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje” (Filipianëve 2:25-30).

Parathënie

Epafroditi ishte një anëtar besnik i kishës në Filipe. Emri i tij ka kuptimin “i derdhur për të tjerët”. Kur Pali ishte i burgosur në Romë, Epafroditi iu bind menjëherë drejtuesve të vet, të cilët e urdhëruan për t’u nisur për në Romë e për t’i shërbyer atje apostullit Pal. Ka të ngjarë gjithashtu që ai të ketë qenë edhe vetë një prej pleqve (ose drejtuesve) të kishës. Ishte me të vërtetë trim dhe jetën ia kishte përkushtuar plotësisht shërbesës së Perëndisë, sepse, po të kishte qenë dikush tjetër në vend të tij, nuk do ta vinte kurrë jetën në rrezik, për t’i shërbyer apostullit Pal, tek ai priste ta ndëshkonin me vdekje. Përkundrazi, Epafroditi nuk hezitoi fare, por iu gjend afër Palit, edhe pse një veprim i tillë mund t’i sillte pasoja negative. Në vargjet e mësipërme, pra, mësojmë diçka rreth besnikërisë dhe shembullit të Epafroditit.

Luftëtari

Pali e quan Epafroditin “bashkëluftëtar”, por vini re gjithashtu edhe pesë titujt e tjerë që i jep ai këtij besimtari:

  1. Vëllai – S’ka dyshim se Pali do ta quante të tillë vetëm atë, që ishte me të vërtetë i rilindur prej Perëndisë. Vini re se ai nuk thotë thjesht “një vëlla”, por “vëllai im”. E shohim, pra, se këto fjalë të ngrohta e hedhin poshtë idenë e disa teologëve, që mundohen ta përshkruajnë Palin si një njeri të ashpër dhe strikt, në një kohë që këtu atë e shohim si një njeri të dashur dhe plot dhembshuri.
  2. Bashkëpunëtori – Epafroditi i shërbente Perëndisë dhe apostullit Pal me gjithë dashuri. Nuk ishte thjesht një mik i Palit, por edhe e mbështeste, e inkurajonte dhe e ngushëllonte shumë atë. Mes tyre nuk kishte grindje. Epafroditi ishte gati t’i qëndronte afër Palit, madje edhe në situata të vështira. Nuk ishte frikacak dhe nuk e linte shokun në baltë. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13)… “Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24).
  3. Bashkëluftëtari – Ky titull i referohet besnikërisë së Epafroditit ndaj punës së Perëndisë. Të shumtë ishin ata të ashtu-quajtur ‘shokë’, të cilët e braktisën Palin, atëherë kur ai kishte më shumë nevojë për ta (2 Timoteut 4:16), por Epafroditi nuk ishte njëri prej tyre. Ai qëndroi i patundur edhe në momente rreziku. “Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar” (2 Timoteut 2:3-4).
  4. Lajmëtari – Kjo fjalë rrjedh nga fjala ‘apostull’ dhe do të thotë ‘ambasador’, ose ‘përfaqësues’, d.m.th. dikush që dërgohet me një misjon të veçantë. Epafroditin e kishte dërguar vetë Perëndia.
  5. Shërbenjësi – Në greqisht (‘leitourgon’) kjo fjalë ka kuptimin e një njeriu të famshëm, që e donte shumë qytetin, kulturën dhe vendin e vet. Pali, pra, kërkon të na thotë se Epafroditi ishte një njeri i jashtëzakonshëm, që ishte gati të shërbente edhe më shumë sesa ç’ishte nevoja. “Por kjo s’duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve” (Marku 10:43-44).

Sëmundja

Ndërkohë që ishte në Romë, Epafroditi u sëmur aq keq, saqë të gjithë kujtuan se do të vdiste. Pa dyshim që besimtarët e Romës dhe të Filipeut po luteshin që ai të shërohej sa më shpejt. Epafroditi, pra, kishte mundësi të kthehej në shtëpi dhe askush nuk do ta kritikonte për këtë veprim. Por, përkundrazi, në vend që t’i vinte keq për veten, ai ishte më i shqetësuar për të tjerët, që ishin të merakosur për të. Kaq i jashtëzakonshëm ishte, pra, ky djalosh, sa që edhe një sëmundje vdekje-prurëse nuk e bënte dot që t’i linte shokët në baltë.

Më në fund, Epafroditi u kthye në Filipe, por jo për t’iu shpëtuar rreziqeve, por për t’iu treguar bashkëbesimtarëve të tjerë se tanimë ishte shëruar plotësisht dhe ishte në gjendje t’i shërbente prapë Zotit. Pali donte që hidhërimi i Filipianëve të kthehej në gëzim. Në fakt, ai ishte tej mase i gëzuar thjesht kur mendonte sesa shumë do të gëzohej kisha, kur ta shihte Epafroditin të shëruar. Duhet theksuar këtu se jo gjithkush e kishte dhuntinë e shërimit, d.m.th. jo gjithkush ishte i vajosur për t’i shëruar të tjerët. Për më tepër, mrekulli të tilla nuk ishin të përditshme në kishë, sepse atëherë Pali do ta shëronte vetë shumë shpejt Epafroditin. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Trofemin, të cilin Pali e la të sëmurë në Milet (2 Timoteut 4:20). Sëmundjet shëroheshin sipas vullnetit të Perëndisë dhe si rezultat i lutjeve plot besim, e jo sipas qejfit dhe dëshirës së disave. “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen” (Jakobi 5:14-15). Ka nga ata që thonë se dhuntitë e Frymës së Shenjtë nuk egzistojnë sot, por ne besojmë se Perëndia mundet t’i shërojë të sëmurët, sipas vullnetit të Tij sovran. “Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:7-11).

“Perëndia pati mëshirë” – kjo fjali i referohet faktit se Perëndia ndërhyri drejtpërsëdrejti për ta shëruar Epafroditin, d.m.th. shërimi i tij ishte një mrekulli prej Perëndisë, jo thjesht një shërim i ngadalshëm.

Njeri i jashtëzakonshëm

Pali po iua bënte të qartë Filipianëve se askush nuk kishte arsye pse ta vinte në dyshim besnikërinë dhe shërbesën e Epafroditit. Pali i kishte dhënë urdhër vetë atij, që të kthehej në Filipe, edhe pse Epafroditi nuk donte të kthehej. Shprehja “nderoni të tillë njerëz si ai” do të thotë “nderojini me një çmim të çmuar”. Pali iu shpjegon Filipianëve sesi ishte sëmurur Epafroditi, “duke e vënë në rrezik jetën e vet” për kauzën e Krishtit. Të paktë ishin ata, që ishin gati ta bënin një gjë të tillë. Është më mirë të digjesh për Krishtin, sesa të ndryshkesh kot!

Mund të mendojmë se Epafroditi e pati gabim që nuk u çlodh pak, por punoi aq shumë sa u sëmur. Misjonarët, pastorët dhe anëtarët e kishave të sotshme i kanë qejf pushimet, por kisha e hershme do të na kritikonte për një zemër të tillë të vakët! Vërtet që është e pranueshme nga ana biblike që të kalojmë kohë, duke u çlodhur në praninë e Perëndisë, me qëllim që ta inkurajojmë veten, por nuk duhet të çlodhemi thjesht, ngaqë kujtojmë se e meritojmë pushimin! “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak”. Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë” (Marku 6:31). Epafroditi punoi në mënyrë sakrifikuese për Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj edhe Pali tha se kisha e Filipianëve duhej ta konsideronte si privilegj të madh që kishte si anëtar një njeri të tillë plot besim të vërtetë.

Përfundim

Kisha e Filipianëve e mbështeti punën e Palit, nëpërmjet ofertave dhe lutjeve, por Epafroditi ishte gati t’i qëndronte atij afër dhe të punonte bashkë me të, jo për të marrë lavdi për vete, por si shërbëtor. Ai është shembull i një sakrifice vetëmohuese, një temë kjo për të cilën bën fjalë edhe letra drejtuar Filipianëve. Epafroditi i bën sfidë krishtërimit të vakët të sotshëm. Jeta e tij na tregon se jeta e krishterë është e vështirë dhe kërkon sakrificë, besnikëri dhe përkushtim. Mos harroni se Bibla nuk e lavdëron kurrë lluksin personal! “Pastaj u tha të gjithëve: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” (Luka 9:23-24)… “Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij” (Galatasve 5:24)… “Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:8). 

Mbrapa

Advertisements