Shembulli i Timoteut

“Por shpresoj, në Zotin Jezus, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem, sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua, që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja. Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit. Por ju e njihni provën e tij se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit. Shpresoj, pra, t’jua dërgoj atë, posa të kem sistemuar kompletisht gjërat e mia. Dhe kam besim te Zoti që edhe unë vetë do të vij së shpejti” (Filipianëve 2:19-24).

Parathënie

Ky pasazh na tregon se ç’zemër pastori kishte apostulli Pal. Ai u kujdes së tepërmi për të gjithë anëtarët e kishës së Filipianëve dhe për problemet e tyre, ndaj edhe zgjodhi njeriun më të mirë, për ta kryer detyrën e udhëheqjes dhe të inkurajimit të besimtarëve në Filipe.

I vërteti

Timoteu u dërgua jo vetëm për t’iu shërbyer Filipianëve, por edhe për të dëgjuar vetë me veshët e tij se si po iu shkonin punët atyre. Pali e konsideronte Timoteun si një njeri me të vërtetë të përkushtuar ndaj Zotit dhe ndaj mirëqënies së popullit të Tij. Fjala “sinqerisht” do të thotë “me të vërtetë”, d.m.th. Timoteu nuk ishte me dy fytyra, egoist apo ziliqar. I vetmi pikësynim i tij ishte t’i shërbente Perëndisë. “Do t’ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t’ju kullosin me dije dhe dituri” (Jeremia 3:15)… “Do të caktoj mbi to barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre,” thotë Zoti” (Jeremia 23:4). Timoteu ishte pikërisht ai tip njeriu, të cilin Perëndia dëshiron ta shohë të drejtojë kishat e sotshme. “Ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën” (1 Pjetrit 5:2-3).

S’është për t’u habitur, pra, që Pali e konsideronte Timoteun të ishte i një mendjeje me të, sepse edhe ai ia kishte përkushtuar veten predikimit dhe mësimit të Fjalës dhe shërbesës ndaj besimtarëve. Shprehja “i një mendjeje” mund të përkthehet edhe si “i përzemërt”. Timoteu ishte shoku besnik i Palit, bashkëpunëtori i tij, i cili pranonte më mirë që të shërbente, sesa t’i shërbenin. Thjesht vetëm një fakt i tillë na vërteton se të jesh gjithnjë i pari, nuk do të thotë se Perëndia është gati të të përdorë. “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Marku 9:35). Timoteu i ishte përkushtuar kauzës së Krishtit. Kujdesej për të tjerët me një shpirt vëllazëror dhe, në sytë e Palit, s’kishte punëtor tjetër si Timoteu. Çfarë lavdërimi! Timoteu ishte gjithashtu edhe një student i mirë dhe i bindshëm i fjalës së Perëndisë (2 Timoteut 3:15), një shërbëtor ngulmues dhe i denjë i Krishtit (1 Thesalonikasve 3:2), një burrë me reputacion të mirë (1 Korintasve 4:17), që kujdesej me të vërtetë për të tjerët (Filipianëve 2:20), që mund t’i zihej besë (2 Timoteut 4:9, 21), i përkushtuar ndaj Palit dhe ndaj ungjillit (Romakëve 16:21).

Timoteu ishte një vegël e vlefshme për Palin dhe për kishën, ngaqë kishte udhëtuar shumë bashkë me Palin gjatë vizitave të tij misjonare. E kishte shoqëruar Palin edhe më parë në Filipe (Veprat e Apostujve 16), në Selanik dhe në Berea (Veprat e Apostujve 17),  në Korint (Veprat e Apostujve 18), në Efes (Veprat e Apostujve 19) dhe tani në Romë (Kolosianëve 1, Filipianëve 1). E kishte ndihmuar gjithashtu apostullin në shkrimin e letrave drejtuar Thesalonikasve, Kolosianëve dhe Korintasve. Prandaj, pra, Pali e njihte mirë Timoteun dhe e dinte se ai ishte punëtor besnik, i fortë dhe i pakompromentueshëm.

Lakmitarët

Si dikur në kohën e apostullit Pal, ashtu edhe sot ka nga ata pastorë e mësues të Biblës që thjesht e përdorin pozitën e tyre për t’i shërbyer vetvetes e për t’u pasuruar. Të tillë njerëz nuk janë si Timoteu, por janë lakmitarë, që nuk e dinë ç’do të thotë të jesh vetëmohues. Të tillë njerëz janë ambicjozë, që duan të duken, ndaj edhe kujdesen për kishën vetëm kur ajo iu sjell të ardhura të bollshme. Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij, që të mos bëheshin të tillë. “Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron” (Luka 12:15). Edhe profeti Ezekiel i përshkruan mirë pastorë të tillë: “Kështu vijnë te ti ashtu si bën njerëzia, ulen para teje ashtu si bën populli im dhe dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë; me gojën e tyre, pra, tregojnë dashuri të madhe, por zemra e tyre shkon pas fitimit të tyre të padrejtë” (Ezekielit 33:31). S’është për t’u habitur, pra, që Timoteu ishte kaq i çmuar për Palin!

Pavarësisht se ç’mund të thonë pastorët e sotshëm lidhur me dëshirën e tyre për ta parë kishën e tyre tek pasurohet, njerëz të tillë nuk janë shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë, por profetë të rremë. “Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korintasve 11:13-15). Pali na thotë se mësues të tillë të rremë “kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit”. Jo të gjithë ishin të tillë, siç e shohim këtu me Timoteun, por më vonë do të prezantohemi edhe me një njeri tjetër besnik, Epafroditi (Filipianëve 2:25-30). Ky fakt na tregon se korrupsjoni shpirtëror kishte filluar të zinte rrënjë në kishë. P.sh. të shumtë ishin ata që e braktisën apostullin, kur atë e hodhën në burg. “Dema më la, sepse deshi këtë botë… Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj…” (2 Timoteut 4:10, 16). Mund të themi se këta predikues të ungjillit nuk e kishin vënë Krishtin, por vetveten në plan të parë në jetën e tyre. Ndoshta qëllimisht e kishin harruar faktin se secili prej nesh një ditë do të japë llogari para Fronit të Gjykimit. “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). 

 Përfundim

Pali, edhe pse po e dërgonte Timoteun si përfaqësues të vetin në Filipe, prapëseprapë donte të ishte vetë aty prezent me kishën. Donte të ishte i çliruar prej zinxhirëve, me qëllim që t’iu transmetonte atyre vetë personalisht të vërtetat e mëdha të fjalës së Perëndisë. Po priste ta thirrnin për t’u paraqitur para perandorit romak, Çezarit, por e dinte se kishte edhe një detyrë tjetër edhe më të rëndësishme prej Perëndisë jashtë mureve të burgut dhe mezi priste ta kryente atë.

Na duhen edhe më shumë Timotenj të tjerë në kishat e sotshme. Ai ishte vërtet një shembull i një jete të perëndishme. Jeta dhe puna e tij na nxitin që të jemi edhe më besnik ndaj Zotit. A jemi gati ta pranojmë një pozitë më të ulur sesa të tjerët, me qëllim që të shërbejmë ashtu siç na thotë Perëndia? “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58)… “Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar” (2 Timoteut 2:3-4).

Mbrapa

Advertisements