Shembulli personal i Palit

“Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush, dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me mundim e cfilitje ditë e natë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush. Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t’ju dhënë ne vetë një shëmbull që ju të na imitonit” (2 Thesalonikasve 3:7-9).

Parathënie

Një mësues i mirë i Biblës nuk iu thotë të tjerëve: “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. Përkundrazi, një mësues i mirë i Biblës e vë në praktikë atë, që predikon vetë. Apostulli Pal dhe grupi i tij misionar jetuan një jetë, që nuk kishte të sharë. Ndaj edhe për këtë arsye, armiqtë e tij përpiqeshin të gjenin pika të tjera të dobëta të apostullit, që ta sulmonin. Besimtarët e Thesalonikut kishin përpara syve të tyre një shembull të mirë, vetë apostullin Pal.

Sjellja e perëndishme

Këta besimtarë e kuptonin se ku e kishte fjalën Pali, ngaqë ai iu kishte shkruar atyre edhe më parë, lidhur me sjelljen e tij personale. “Sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj…Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë” (1 Thesalonikasve 1:5, 2:1). Sjellja e tij e perëndishme ishte shembull për ta. “Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë” (1 Thesalonikasve 4:1). Të qënit i perëndishëm është një pjesë përbërëse me shumë vlerë, kur vjen puna tek të predikuarit e Biblës, sepse shumica e njerëzve influencohen nëpërmjet një shembulli të mirë, që shohin tek pastori i tyre. “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre” (Hebrenjve 13:7). Predikuesit e vërtetë të fjalës së Perëndisë nuk ishin të çrregullt si mësuesit e rremë, të cilët i trajtonin njerëzit si mallra tregu. “Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit” (2 Pjetrit 2:2-3).

Të përfituarit në emër të Krishtit

Fatkeqësisht, ka shumë pastorë, qëllimi i vetëm i të cilëve është që të fitojnë sa më shumë para e të pasurohen, duke shfrytëzuar popullin e Perëndisë. Pali do të tmerrohej, po ta shikonte pasurinë, që kanë mësuesit e ditëve të sotme, që përfitojnë në emër të Krishtit. “Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju. Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni” (1 Thesalonikasve 2:9-10). Pali edhe predikoi fjalën e Perëndisë, edhe e siguroi vetë bukën e gojës, duke punuar me duart e veta. I përveshi mëngët dhe iu fut vetë punës. Nuk e konsideroi të predikuarit e ungjillit si mjet jetese, për të paguar faturat e dritave e të ujit, apo për të blerë ushqime për të ngrënë, apo veshje për t’u veshur. Por sot, të shumtë janë ata kllounë cirku, që janë të veshur si mbretër e që i bien botës rrotull me avionët e tyre privatë, duke iu kërkuar besimtarëve para e duke i lënë namin e keq kauzës së Krishtit.

Autoriteti hyjnor

Nuk do të bënin gabim besimtarët, po ta mbështetnin financiarisht grupin e misionarëve, duke përfshirë këtu edhe Palin. Por ky grup vendosi, që të mos u binte në qafë thesalonikasve. “Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit” (1 Thesalonikasve 2:6). Duke vepruar në këtë mënyrë, Pali dhe grupi i tij nuk i la asnjë arsye kundërshtarëve të Ungjillit, që të sugjeronin se po predikonin për t’u pasuruar. Por kjo nuk do të thotë se Pali nuk mori kurrë gjë prej atyre, të cilëve iu predikonte: “Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson” (Galatasve 6:6)… “Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim. Sepse Shkrimi thotë: “Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë,” dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij” (1 Timoteut 5:17-18). Me pak fjalë, pra, Pali dhe grupi i tij misionar kurrë nuk i kërkuan lëmoshë njeriu, kurrë nuk i lypën askujt para, ushqim, apo strehë.

Përfundim

Një shembull i mirë ka më shumë peshë, sesa fjalët. Perëndia gjithmonë i ka bekuar ata pastorë, që e kanë vënë në praktikë atë, që kanë predikuar vetë në kishë. Përkundrazi, Ai  i ka gjykuar ata, që kanë predikuar për përfitime. “Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianëve 3:17-19)… “Duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri, një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju. Shërbëtorët t’u binden zotërinjve të tyre, të mundohen t’i kënaqin në të gjitha gjërat, të mos i kundërshtojnë me fjalë, të mos përvetësojnë gjënë e huaj, por të tregojnë një besnikëri të plotë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë” (Titit 2:7-10)… “Dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën” (1 Pjetrit 5:3).

Mbrapa

Advertisements