Shenjtërimi

“Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj” (1 Thesalonikasve 4:3a).

Parathënie

Çdo ditë, besimtarët thesalonikas ballafaqoheshin me lloj-lloj imoralitetesh, me të cilat krenohej kultura greke. Edhe ne në shoqërinë tonë, sidomos në media, shohim se si shthurja, fëlliqësia dhe mëkati konsiderohen si gjëra të ndershme. Mesazhi i Palit drejtuar kishës në Thesalonik mund t’i përputhet edhe epokës sonë.

Shenjtërimi

Fjala ‘shenjtërim’ ka si rrënjë fjalën greke ‘hagios’, që do të thotë ‘i shenjtë’. Kudo në Bibël, e shohim se Perëndia i bën thirrje popullit të Tij që të jetë i shenjtë: “Sepse Unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë; mos u infektoni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë. Sepse Unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qënë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë sepse Unë jam i shenjtë” (Levitiku 11:44-45)… “Por ashtu si është i shenjtë Ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse Unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:15-16).

Shenjtërimi i referohet dlirësisë (apo pastërtisë) absolute. Vetëm kur jemi të bindshëm ndaj vullnetit të Perëndisë, atëherë shenjtërimi bëhet realitet në jetën tonë. Gjithashtu, shenjtërimi është të qënit i ndarë veçant (mënjanë) prej Perëndisë dhe nga Perëndia: “Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët,” dhe: “Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit”. Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar. Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 2:19-21). Shenjtërimi nuk është njëlloj me të zbaturit pikë për pikë i ligjit, as me mendjemadhësinë. Shenjtërimi nuk na jep të drejtën për të kujtuar se jemi më të mirë sesa të tjerët. Jemi të shenjtë atëherë, kur i besojmë Zotit dhe e ndjekim Atë me bindje. Nuk mund të jemi më të shenjtë se kaq! Nëse jemi gati t’ia japim jetën shërbesës së Krishtit, atëherë Ai mund të na përdorë për lavdinë e Tij: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Perëndia kënaqet me një jetë, që është e përkushtuar ndaj Atij. E megjithatë, shenjtërimi nuk varet nga ajo, që mund të bëjmë ne për Perëndinë, por nga ajo, që ka bërë Ai për ne në Krishtin: “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë” (Hebrenjve 10:10). Ky quhet ‘Shenjtërimi Pozicional’.

Është vullneti i Perëndisë për ne

Asnjë besimtar nuk është i përjashtuar nga kjo domosdoshmëri e madhe në kishë. Ai besimtar që sillet si bota, nuk e ndjen se ka nevojë për shenjtërim personal, por, përkundrazi, i kritikon të gjithë ata, që flasin rreth kësaj çështjeje. Shumica e të krishterëve pyesin: “Cili është vullneti i Perëndisë për jetën time?”. Por ja, ku kemi një përgjigje direkte, që shpeshherë hidhet poshtë. Ky lloj shenjtërimi quhet ‘Shenjtërim Praktik’, sepse ka të bëjë me faktin se është një proçes, që vazhdon gjatë gjithë jetës, derisa të vdesim, apo deri kur të kthehet Krishti. Prandaj edhe duhet t’i rezistojmë mëkatit në jetën tonë, ashtu siç na e shpjegon edhe Pali në vargjet, që vijnë pas tekstit të studimit tonë të mësipërm. Mateo Henri ka thënë: “Nuk mjafton vetëm që të qëndrojmë në besimin e ungjillit, por duhet të teprojmë në punën (veprën) e këtij besimi. Rregulli, sipas të cilit duhet të ecim e të veprojmë të gjithë, është urdhërimi që na dha Zoti Jezus Krisht. Vullneti i Perëndisë përbëhet prej shenjtërimit, në ripërtëritjen e shpirtit nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, si edhe prej vëmendjes, që i duhet kushtuar detyrave të ngarkuara. Tek synojmë që ta ripërtërijmë shpirtin në shenjtëri, duhet t’i tregohemi striktë ndaj shijeve dhe kënaqësive trupore, si edhe ndaj mendimeve dhe imagjinatave të vullnetit, që na çojnë në rrugë të gabuar. Zoti nuk thërret asnjë në familjen e Tij, që të jetojë një jetë jo të shenjtë, por që të mësohet se si të ecë para Tij në shenjtëri. Ka nga ata njerëz, që i nënvleftësojnë urdhërimet lidhur me shenjtërinë, ngaqë i dëgjojnë këto urdhërime prej të tjerëve. Por, në fakt, këto janë urdhërimet e Perëndisë dhe të mos i zbatosh ato është njëlloj sikur ta përçmosh vetë Perëndinë”.

Është vullneti i Perëndisë që çdo besimtar t’i përkushtohet shërbesës së Tij: “Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Korintasve 7:1)… “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). E shohim, pra, se sa e rrezikshme është ta hedhësh poshtë këtë domosdoshmëri të madhe dhe, në fakt, hedhja poshtë e shenjtërimit është hedhje poshtë e punës së Frymës së Shenjtë në jetën e besimtarit: “Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën” (2 Thesalonikasve 2:13). Të jesh i shenjtë dhe i shenjtëruar do të thotë të imitosh cilësinë më të lartë të Perëndisë: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e Tij” (Isaia 6:3).  

Përfundim                      

Edhe pse mëkati dhe mungesa e perëndishmërisë janë të zakonshme sot në botë, është e rëndësishme që të synojmë për një standart më të lartë jetese, d.m.th. për standartin e Perëndisë. Shenjtërimi nuk është e drejtë zgjedhjeje, por urdhërim i Perëndisë. Ai pret nga ne që të jemi të shenjtëruar. Kisha është fajtore, ngaqë e ka ulur standartin, në mënyrë që t’i përshtatet imoralitetit të këtij brezi. Vetëm ne jemi ata, që përmes fuqisës së Frymës së Shenjtë të Perëndisë, mund ta ngremë përsëri këtë standart. Vetëm shenjtërimi dhe jetesa e shenjtë përputhen me krishtërimin e Dhiatës së Re.

Mbrapa

Advertisements