Shenjtërimi nëpërmjet Shlyerjes së Fajit

“Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen” (Hebrenjve 10:14).

Parathënie
Gjaku i Zotit Jezus Krisht jo vetëm që na pajton me Perëndinë, por na jep gjithashtu fuqinë për të jetuar jetë të shenjta dhe të perëndishme. Ata që i kanë mëkatet e tyre të lara me gjakun e Krishtit, duhet të jetojnë jetë të shenjtëruara.

A e turpërojmë ne Zotin?
“Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër” (Hebrenjve 2:11). Ky tekst na tregon se ata që janë të shpenguar përmes gjakut të Krishtit, janë vëllezër (të të njëjtit gjak) me Krishtin. Kjo do të thotë se ata duhet të shfaqin çdo ditë natyrën (karakterin) e Tij. Zoti nuk turpërohet prej atyre që me të vërtetë janë larë me gjakun shenjtërues dhe faj-shlyes të Krishtit. Por, ah, sa herë e bëjmë Atë me turp nëpërmjet veprimeve që kryejmë dhe fjalëve që themi! Ne e turpërojmë Perëndinë atëherë kur nuk jetojmë sipas Fjalës së Tij (Marku 8:38; Romakëve 1:16), kur vazhdojmë të jetojmë në mëkat (Romakëve 6:21-23; Filipianëve 1:20-22), si edhe kur nuk qëndrojmë në Të (1 Gjonit 2:28-29; Hebrenjve 10:29).

Gjaku i Tij na ka përsosur
“Ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen” (Hebrenjve 10:14). Disa komentatorë (të Biblës) e ndryshojnë këtë varg, duke e vendosur foljen në kohën e ardhshme, me qëllim që ta mënjanojnë mëkatin e dukshëm në jetët e tyre. Barnes, p.sh. në librin e tij, ‘Shënime mbi Dhiatën e Re” shkruan kështu: “Për t’u bërë të përsosur në një periudhë kohe në të ardhmen”. Është e qartë se vargu Hebrenjve 10:14 është në kohën e shkuar, ngaqë “oferta e vetme” u ofrua mbi kryqin e Kalvarit. Tek Hebrenjve 10:10 Pali thotë: “Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë”. Po ta vëmë këtë aspekt të punës faj-shlyese dhe shenjtëruese të Krishtit në kohën e ardhshme, atëherë do t’i bëjmë dëm efikasitetit (vlefshmërisë) së gjakut të Tij. Shenjtërimi është i vazhdueshëm, por ai filloi atëherë kur Zoti derdhi gjakun e Tij për ne. Ata që janë të shenjtëruar, janë të ndarë (të veçuar) për shërbesën (punën) e Perëndisë. 

A jemi të gatshëm?
Çdo pauses i vërtetë i Krishtit duhet të ecë në rrugën e shenjtërisë, pavarësisht se çfarë beson ai nga ana teologjike lidhur me shenjtërimin (d.m.th. shenjtërim të vazhdueshëm, të menjëhershëm, apo shenjtërim që arrihet në momentin e vdekjes). Kjo do të thotë se ne duhet ta marrim kryqin dhe ta mbartim poshtërimin që mund të na sjellë ai… “Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit). Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij” (Hebrenjve 13:12-13). Nëse Zoti ka zgjedhur këtë lloj rruge për të na shenjtëruar, atëherë, s’ka dyshim që kryqi është mënyra për të ruajtur një jetë të shejtëruar. Jezusi e inkurajon besimtarin që ta “mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23). Ta “bartësh poshtërimin e Tij” është njëlloj sikur ta japësh jetën për Krishtin… “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç’dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje? Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë” (Luka 9:24-26). Si mund të shpresojmë ne se do t’i shijojmë bekimet e shlyerjes së fajit, nëse nuk jemi të gatshëm të hedhim hapin e parë në rrugën kryesore të shenjtërisë? Pse ka kaq pak veta që janë gati për t’iu bindur vullnetit dhe fjalës së Tij? 

Përfundim
Është për të ardhur keq që shumë të krishterë, në vend që ta vënë besimin e tyre tek Zoti, gjaku faj-shlyes i të cilit pagoi çmimin për shpëtimin e mëkatarit, përkundrazi e vënë besimin e tyre në të ashtu-quajturën ‘lutjen e mëkatarit’, të cilën e kanë thënë në të kaluarën. Ata e besojnë se gjaku i Tij i ka larë nga mëkatet, por kjo gjë nuk vihet re në jetët e tyre. Ai vdiq që, jo vetëm të na shpëtojë nga mëkati, por edhe që të na japë mundësinë për të jetuar një jetë të shenjtë.

Mbrapa

Advertisements