Shëruesi i mrekullueshëm dhe dora e tharë

Parathënie

Marku na e paraqet Birin e Perëndisë të preokupuar gjithmonë me punën e të Atit, duke bërë mirë, duke shëruar të sëmurët, duke dëbuar demonë dhe duke predikuar ungjillin. Jezusi, as nuk i fshehu veprat e Tij, as nuk pati kurrë frikë nga talljet e atyre, që e kritikonin. Si besimtarë që jemi, ne duhet ta imitojmë Mjeshtrin: “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21).

Urrejtja e spektatorëve

Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë. Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin” (Marku 3:1-2).

Armiqtë e ruanin vazhdimisht me sy Zotin. Ia kishin ngulur sytë e tyre të ligë Atij dhe pritnin të gjenin rastin për ta dënuar. E dinin se Jezusi do ta shëronte njeriun me dorë të tharë. Kjo vërteton se sa të ligë ishin farisenjtë, sepse, në vend që të vinin në sinagogë për të adhuruar Perëndinë, ata kishin ardhur për të kurdisur komplote kundër Jezusit. Ata kishin një urrejtje keqdashëse dhe djallëzore për Jezusin. Nuk ishin të gatshëm për të ngritur as gishtin e vogël për ta ndihmuar këtë njeri të sëmurë, por nga ana tjetër, nuk e kishin problem t’i ngrinin të dyja duart kundër Krishtit.

Edhe besimtarët ruhen me sy nga bota. Si pasojë, ne jemi epiqendra e talljeve, shakave dhe inatit të tyre. Armiqtë tanë presin që ne të gabojmë, e pastaj të na derdhin helm mbi krye. Edhe kur e shohin se nuk jemi fajtorë, ata prapëseprapë i shtrëmbërojnë fjalët dhe veprimet tona, për të na turpëruar. Ka shumë rëndësi që të  mos i japim asnjë shkak armikut, për ta marrë nëpër gojë emrin e Perëndisë. Për këtë arsye, duhet të heqim dorë madje edhe nga “dukja (d.m.th. ajo që duket) e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22) dhe “duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin. Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq” (1 Pjetrit 3:16-17).

Dora e tharë       

Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Çohu në mes të të gjithëve!”. Dhe u tha atyre: “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?”. Por ata heshtnin” (Marku 3:3-4).

Në këtë pasazh, ashtu si edhe më parë, Zoti na mëson se është e ligjshme që të bësh mirë ditën e shtunë. A do të ishte mirë apo keq, që ta lesh një të sëmurë të vuajë, duke e ditur se ka shërim për të? A nuk po bënin keq farisenjtë, tek kurdisnin vdekjen e Zotit në këtë ditë të shenjtë? A nuk e kuptonin dot ata se ligësia e zemrës së tyre e kishte bërë të pavlefshëm respektimin, që iu bënin riteve fetare të së shtunës? Ndoshta e kuptonin këtë gjë, por refuzonin që t’i jepnin përgjigje Jezusit.

Të krishterët kurrë nuk duhet të hezitojnë për t’u bërë mirë të tjerëve ditën e shtunë, sepse shenjtëria e kësaj dite nuk zvogëlohet, por përkundrazi, rritet, për shkak të së mirës së bërë në emër të Krishtit dhe për kauzën e Tij. Ky lejim për të bërë mirë nuk na jep lirinë, që të shtunën të shkojmë e të bëjmë qejf nëpër argëtimet e kësaj bote, apo që të shkojmë e të bëjmë pazarin. Zoti na ka lejuar vetëm që “të bëjmë mirë”, se përndryshe do ta gjejmë veten në një situatë, ku po e përdorim për keq bekimin, që na ka dhënë Ai.

Zemrat e liga

“Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!”. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra. Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin” (Marku 3:5-6).

Jezusi u inatos me ligësinë e farisenjve. Zemërimi i Tij ishte me vend, sepse ata menjëherë thurën plane për ta hequr qafe. Farisenjtë dhe herodianët ishin armiq të betuar të njëri-tjetrit, por prapëseprapë, ishin gati për të bashkëpunuar, ngaqë e urrenin Jezusin, më shumë sesa ç’e urrenin njëri-tjetrin. Nganjëherë, zemërimi i drejtë është e vetmja mënyrë për t’u marrë vesh me ata, që e kundërshtojnë vazhdimisht Krishtin dhe fjalën e Tij: “Era e veriut e largon shiun, fytyra e indinjuar gjuhën që shpif tinëz” (Fjalët e Urta 25:23). E megjithatë, duhet të tregojmë kujdes që të mos mëkatojmë: “Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit” (Efesianëve 4:26-27).

Në anën e kujt ishte Jezusi? Kujt iu përgjigj Ai: njeriut me dorë të tharë, apo farisenjve me zemër të ligë?

Shërimet e mrekullueshme

Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea; dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai. Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte. Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin. Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: “Ti je Biri i Perëndisë!”. Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai” (Marku 3:7-12).

Në vend që t’i futej diskutimeve me drejtuesit fetarë, Jezusi shkoi dhe kreu ato punë, për të cilat ishte dërguar (prej Atit). Turmat e njerëzve u mblodhën për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej Tij. Të sëmurët dhe ata, që kishin frymërëra të ndyra (ose demonë), donin të ishin në praninë e Jezusit. Në asnjë vend të Biblës nuk lexojmë se turmat e njerëzve grumbulloheshin për të dëgjuar farisenjtë tek flisnin, apo për të marrë ndonjë lloj ndihme prej tyre. Duket qartë, pra, se farisenjtë ishin më të ligë sesa demonët, sepse, demonët, të paktën, e deklaronin Jezusin si Bir të Perëndisë. 

Përfundim

Ata që i dalin për zot së vërtetës, do të kritikohen menjëherë nga armiqtë shpirtërorë dhe ata njerëzorë: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Ka nga ata që, kur afrohet vuajtja dhe persekutimi, kompromentohen me botën dhe ia zbusin efektin fjalës së Perëndisë. Por ata që jetojnë për Krishtin, qëndrojnë të fortë e të palëkundur. Askush nuk do të shpëtohet, po qe se bëhemi frikacakë dhe e kompromentojmë të vërtetën. Nëse do të kishte vepruar kështu edhe Jezusi, atëherë sot nuk do të egzistonte një gjë e tillë si krishtërimi.  

Mbrapa

Advertisements