Shiko punën tënde!

“Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar. Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.” (2 Thesalonikasve 3:11-13).

Parathënie

A nuk është për t’u habitur se ata, që nuk janë në rregull për vete, përpiqen t’i vënë në rregull të tjerët dhe, si rezultat, shkaktojnë më shumë konfuzion, grindje e çrregullime? Në vargjet e mësipërme, Pali iu thotë atyre, që merren me gjëra të kota, që të shohin punën e tyre. Shprehja “të merresh me gjëra të kota” e ka prejardhjen nga dy fjalë greke: “allotri”, që do të thotë “i të tjerëve” dhe “episkopos”, që do të thotë “mbikqyrës”, pra “allotriepiskopos”, ai që nuk shikon punën e vet, por mbikqyr të tjerët, duke ndërhyrë në punët e tyre. “Është një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to” (Fjalët e Urta 20:3).

Ata, që merren me gjëra të kota

Pali kishte dëgjuar lajme të mrekullueshme, lidhur me besimin dhe dashurinë e besimtarëve thesalonikas. Por, ai edhe ishte hidhëruar, gjithashtu, kur kishte marrë vesh rreth ca besimtarëve, që po shkaktonin probleme në kishë. Njerëz të tillë, që nuk pranonin të merreshin vetë me punë të dobishme, kishin filluar të përziheshin në punët e të tjerëve. Gjon Uesli shkroi kështu rreth këtyre njerëzve: “Njerëz, që nuk bëjnë asgjë, që merren me punë të kota, që e kanë si natyrë dembelizmin”. Ai, që merret me punë të kota, më në fund, shkatërron jo vetëm veten, por edhe të tjerët, po qe se nuk e ndalon kush. “Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen” (Fjalët e Urta 26:17).

Në një nga vargjet e një kënge të vjetër për fëmijë thuhet kështu: “Jemi shumë të zënë me punë, duke bërë gjëra të kota; po mundohemi të gjejmë punë, që të mos i bëjmë”. Një këngë e tillë iu shkon përshtat atyre, që nuk bëjnë asgjë. Nga njëra anë, njerëz të tillë kurrë nuk kanë kohë për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, por, nga ana tjetër, e gjejnë kohën për të bërë gjëra pa vlerë. “Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota” (1 Timoteut 5:13). Autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun shkruajnë kështu: “Askush s’e ka qejf boshllëkun. Prandaj, njeriu  që nuk merret me punët e veta, është më i prirur për t’u ngatërruar në punët e të tjerëve. Përtacia është prindi i atyre, që merren me gjëra të kota”. Apostulli Pjetër i krahason njerëzit e tillë me vrasësit dhe hajdutët, për të treguar sesa serioze është kjo çështje. “Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve” (1 Pjetrit 4:15).

Të punuarit qetë e shtruar

Ka ilaç për ata, që merren me gjëra të kota. Problemit të tyre i gjehet zgjidhje. Njerëz të tillë të çrregullt duhet të bëjnë dy gjëra, që ta vinë në vijë jetën e tyre. Së pari, duhet të punojnë shtruar e pa zhurmë. “Dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar” (1 Thesalonikasve 4:11)… “Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë” (Efesianëve 4:28). Së dyti, njerëz të tillë nuk duhet t’i varin shpresat tek mirësia dhe bujaria e të tjerëve, por, përkundrazi, duhet të punojnë për ta siguruar vetë bukën e gojës. “Është më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje” (Fjalët e Urta 17:1)… “Vlen më tepër një grusht me pushim se sa dy grushte, me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën” (Predikuesit 4:6). Pali e shpreh hapur pikëpamjen e tij lidhur me ata, që nuk duan të punojnë. “Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar” (1 Timoteut 5:8).

Përfundim

Gjithmonë do të ketë nga ata besimtarë në kishë, të cilët janë vërtet nevojtarë dhe, si të tillë, duhen ndihmuar. “Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?” (Jakobit 2:15-16). Megjithatë, ka nga ata besimtarë të çrregullt, të cilët presin t’iu japin lëmoshë të tjerët e për vete nuk angazhohen kurrë me punë të dobishme në kishë. Duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na japë mençuri e të na drejtojë, kur të vijë puna për t’u ballafaquar me njerëz të tillë.

Le ta përmbledhim, pra, këshillën e Palit. Në vend që të jemi përtacë e të merremi me gjëra të kota, le të merremi me punën, që na ka ngarkuar Zoti. Do të bëjmë punë të mirë, vetëm kur t’iu bindemi urdhërimeve të Tij. “Do të punohet gjashtë ditë” (Levitikut 23:3)… “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21).

Mbrapa

Advertisements