Shimei gojështhurur

“Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime, dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit. Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: “Shko, pra, shko, njeri gjakatar dhe i kobshëm! Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar”. Atëherë Abishai, bir i Tserajahut, i tha mbretit: “Pse ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë time? Të lutem, më lër të shkoj t’i pres kokën!”. Por mbreti iu përgjigj: “Ç’kam të bëj unë me ju, bijtë e Tserujahut? Prandaj lëreni të mallkojë, sepse Zoti i ka thënë: “Mallko Davidin!”. Dhe kush mund të thotë: “Pse silleni kështu?” Pastaj Davidi i tha Abishait dhe tërë shërbëorëve të tij: “Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më heqë jetën aq më shumë dhe ky Beniaminit! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti. Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që më drejton sot”. Kështu Davidi dhe njerëzit e tij e vazhduan rrugën e tyre; edhe Shimei ecte anës së malit, përballë Davidit, dhe rrugës e mallkonte atë, i hidhte gurë dhe pluhur. Mbreti dhe tërë njerëzit që ishin me të arritën në vendin e caktuar të lodhur, dhe aty e morën veten”(2 Samuelit 16:5-14).

Parathënie

Davidi me shokët udhëtuan drejt një vendi, të quajtur Bahurim, jo shumë larg Malit të Ullinjve, diku në anën perëndimore të Jordanit, brenda territorit të fisit të Beniaminit. Ky ishte pikërisht vendi, në të cilin Mikali iu kthye përsëri Davidit, d.m.th. një vend, që Davidi e njihte mirë (2 Samuelit 3:16). Disa thonë se Bahurimi është qyteti i sotshëm me emrin Ras et-Tmim, në lindje të Malit Skopus.

Mallkimi dhe gurët

Shimei, njëri prej anëtarëve të fisit të Saulit, e përshëndet Davidin me mallkime. Fjala “mallkim” në pasazhin e mësipërm ka gjithashtu edhe kuptimin e sharjes me fjalë të këqija. Shimei, pra, po e thërriste Davidin me emra nga më të ndyrët, duke përdorur një gjuhë të neveritshme. Sa herë që emri i Shimeit na përmendet në këtë pasazh, e shohim se ai na përshkruhet, duke përdorur fjalë të pista. Më vonë, në shtratin e vdekjes, Davidi i tregoi Salomonit se si Shimei i “shqiptoi një mallkim të tmerrshëm” (1 Mbretërve 2:8), ndaj edhe kjo ngjarje, pra, duhej t’i ketë shkaktuar Davidit hidhërim të madh në zemër.

Shimei, nga njëra anë i mallkoi dhe i shau, nga ana tjetër iu hodhi gurë dhe pluhur Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të tij. Davidin e akuzoi si diktator të egër, me duar të lara me gjak të pafajshëm. I tha se nuk ishte i mirëpritur në Bahurim, ndaj edhe të shkonte e të gjente vend tjetër, për t’u fshehur prej Absalomit. Shimei kishte qenë një nga rojet e vjetër të Saulit dhe, sipas tij, gjithçka kishte shkuar mirë e bukur, përsa kohë që Sauli kishte qenë mbret. Ai i kishte harruar qëllimisht vuajtjet dhe vështirësitë, që kishte kaluar populli. Ndoshta Shimei iu kishte besuar gënjeshtrave, që kishte dëgjuar rreth Davidit, që gjoja donte ta rrëzonte Saulin me forcë nga froni mbretëror. Në sytë e Shimeit, Davidi kishte derdhur shumë gjak, që të bëhej mbret. Davidi ishte me të vërtetë fajtor për derdhjen e gjakut të pafajshëm, por jo siç kujtonte Shimei i ligë. Sipas tij, Davidi nuk ishte mbreti i ligjshëm i Izraelit, por ndoshta Mefiboshethi e kishte të drejtën për t’u bërë mbret. Shimei kujtonte se rrethanat, në të cilat ndodhej Davidi tani, vërtetonin se Perëndia po e gjykonte, ngaqë e kishte rrëzuar Saulin nga froni.

Vrasja dhe mëshira

Abishai, nipi i Davidit, donte ta hiqte Shimein njëherë e mirë qafe. Por Davidi, përkundrazi, donte të tregohej i mëshirshëm, jo hakmarrës. Abishai ishte hidhëruar shumë, kur i kishte dëgjuar të sharat e liga dhe të padrejta të Shimeit ndaj Davidit, të cilat, sipas tij, iu ishin drejtuar gjithashtu të gjithë atyre, që ishin bashkë me Davidin. Abishai i kërkoi leje Davidit, që t’ia priste kokën Shimeit, ngaqë ishte i përkushtuar ndaj mbretit dhe nuk i dridhej dora aspak, për ta kryer këtë detyrë. “Abishai, vëlla i Joabit dhe biri Tserujahut, ishte prijës i një treshe tjetër. Ngriti ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm në mes të treve” (2 Samuelit 23:18).

Davidi qe në gjendje ta frenonte Abishain, me qëllim që të mos hakmerrej kundra Shimeit. Davidi kishte një zemër të gjerë, plot dhembshuri, pavarësisht se, për vite me rradhë, e kishin ofenduar të tjerët. Ndoshta ai kishte marrë mësim prej mëshirës së Abigailit, kur ajo vetë e frenoi mbretin, që të mos e vriste Nabalin (1 Samuelit 25). Sa për Abishain, kjo ishte hera e dytë që atë e frenoi dikush, që të mos kryente një sulm hakmarrës ndaj armikut, ngaqë edhe më parë Davidi i kishte rezistuar kërkesës së Abishait për ta vrarë Saulin (1 Samuelit 26:8-9).

Mëshira që tregoi Davidi, kishte ardhur si rezultat i faktit se ai e kishte kuptuar se Perëndia po e qortonte vërtet, lidhur me mëkatin, që kishte kryer me Bathshebën. I tha Abishait se mallkimi i Shimeit as që mund të krahasohej me mënyrën, me të cilën po e trajtonte i biri. Kjo na tregon se Davidi kishte një zemër të përulur dhe ishte i gatshëm për ta pranuar çdo lloj ndëshkimi, që t’i jepte Perëndia.

Rezistenca dhe çlodhja

Shimei vazhdoi të hidhte gurë e pluhur ndaj Davidit, me qëllim që ta detyronte atë të largohej prej Bahurimit. Dhe, nga pamja e jashtme, u duk sikur ia arriti qëllimit. Të gjithë shokët e Davidit ishin të lodhur prej ngjarjeve të asaj dite. Por, pavarësisht se Shimei u përpoq, që t’i bënte të largoheshin, prapëseprapë ata arritën të gjenin çlodhje në Bahurim. “Le të të mallkojnë. Ti bekoji. Davidi qëndron në Bahurim, ku edhe gjen çlodhje dhe mbrojtje prej kësaj goje të inatosur” (Mateo Henri). Disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se Bahurimi ishte një oaz i famshëm, që frekuentohej prej udhëtarëve të ndryshëm.

Përfundim

Davidi kishte nevojë për shokë besnikë, por ishte i gatshëm për t’i dëgjuar gjithashtu edhe ata, që e kritikonin. Në atë moment, ai nuk ishte i sigurtë, nëse ky i marrë në majë të kodrës ishte apo jo një lajmëtar i Perëndisë. Davidi nuk donte të bëhej si mbreti Saul, i cili kërkonte që njerëzit, që i rrinin afër, t’i thonin vetëm fjalë të mira. Përkundrazi, Davidi iua vinte veshin edhe mendimeve dhe fjalëve të secilit prej shërbëtorëve të tij. Pa dyshim, ne e dimë se Shimei nuk ishte i dërguari i Zotit, ngaqë “Nuk ishte Zoti Ai, që ia futi Shimeit të ligën në zemër. Ai e kishte vetë zemrën të mbushur me urrejtje ndaj Davidit. Perëndia thjesht e la Shimein të vepronte sipas ligësisë së vet” (Gjon Uesli).

Mbrapa

Advertisements