Shkaku i tradhtisë bashkëshortore të Davidit

“Me fillimin e vitit të ri, në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Davidi dërgoi Joabin me shërbëtorët e tij dhe me tërë Izraelin për të shkatërruar vendin e bijve të Amonit dhe për të rrethuar Rabahun; por Davidi mbeti në Jeruzalem. Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në taracën e pallatit mbretëror. Nga taraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur” (2 Samuelit 11:1-2).

Parathënie

Ngjarjet e jetës nuk janë thjesht aksidente. Përkundrazi, çdo veprim, i mirë a i keq, e ka një shkak. Davidi ishte vetë fajtor për tradhtinë bashkëshortore. Ia hapi derën të ligës dhe kjo derë ndenji hapur për një kohë të gjatë. Nuk mund të thoshte dot: “E pati fajin djalli”. Davidi vetë ishte shkaktar i mëkatit. Prej 2 Samuelit 11-të mund të mësojmë shumë gjëra, ndaj edhe do ta shtjellojmë edhe më tej këtë kapitull në studimin e ardhshëm.

Kur mbretërit shkojnë të luftojnë

Davidi ishte mbreti, që nuk “shkoi të luftonte”. U mund, jo në fushën e betejës, por në shtëpinë e vet. Mund të ketë disa arsye pse nuk shkoi të luftonte së bashku me ushtarët e tij. Por sidoqë të ketë qenë punët, ai nuk e kreu detyrën e tij si udhëheqës i kombit të Izraelit. Ky qe edhe shkaku i mëkatit të Davidit, sepse, po të kishte shkuar të luftonte, nuk do të kishte kryer as tradhti bashkëshortore me Bath-shebën, as nuk do të jepte urdhër për vrasjen e Uriahut. “Satanai iu gjen punë duarve dembele” (Isak Uats).

Beteja po zhvillohej kundër Amonitëve, siç përmendet edhe në kapitullin e mëparshëm. Shprehja “kur mbretërit shkojnë të luftojnë” mund ta ketë kuptimin “kur kushtet e motit janë më të favorshme”. Nuk ka të ngjarë që kohë të caktuara luftimi të ishin planifikuar gjatë gjithë vitit mes mbretërve të kombeve të ndryshme. Ushtritë dhe pajisjet e tyre ushtarake mund të ngelnin në baltë në kohë me shi, ndaj edhe koha për betejë ka mundësi të ketë qenë në muajt e pranverës, ose të verës. Fjalët “me fillimin e vitit të ri” kanë kuptimin e muajit prill, sipas kalendarit të judenjve. “Kur mbaroi një vit e filloi një tjetër, d.m.th. në pranverë; kur mbretërit shkojnë në luftë, d.m.th. kur dheu është i përshtatshëm për ecjen e ushtarëve mbi të dhe kur toka fillon e prodhon ushqime si për njeriun, ashtu edhe për kafshën” (Gjon Uesli).

Davidi mbeti

Davidi mbeti në Jeruzalem, ndërkohë që ushtarët e tij po luftonin kundër Amonitëve. Ndoshta kujtoi se, ngaqë i kishte shkaktuar humbje armikut vitin e kaluar, nuk ishte më e nevojshme që ta humbiste kohën, duke u marrë me këtë betejë të lehtë. Për vite me rradhë, ai kishte qenë udhëheqës dhe ushtar i mirë. Por tani Davidin e shohim tek heq dorë prej rutinës së tij të zakonshme. Mund të themi me siguri se ai ndodhej në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Ky veprim do t’i shkaktonte më vonë më shumë probleme, sesa ç’mund ta imagjinonte dot.

Jeruzalemi njihej si vendi i fitoreve të Davidit ndaj feve pagane, por ai e ktheu atë në një vend të disfatës më të madhe. I pruri korrupsion qytetit të Perëndisë. Më vonë Davidit kishte për t’i ardhur shumë keq, që kishte mbetur në Jeruzalem, në një kohë që ushtarët e tij po luftonin për ta mbrojtur kryeqytetin dhe të gjithë kombin. Kur na vjen neve neveri për mëkatin e kryer prej këtij heroi të besimit, aq më shumë do t’i ketë ardhur atij vetë neveri, kur e kuptoi se sa mëkatar ishte treguar në sytë e Perëndisë!

Pagjumësia e Davidit

Davidi ishte në shtrat, në vend që të ishte në fushën e betejës. E ndoshta, për shkak të s’kishte ç’të bënte, nuk e zinte dot gjumi. Ndaj edhe vendosi që të merrte pak ajër të pastër. Disa komentues të Biblës sugjerojnë se Davidi kishte qëndruar shtrirë në shtrat gjatë gjithë ditës dhe ky dembelizëm ishte shkaku i pagjumësisë së tij. “Shtrati i përtacit shpeshherë bëhet edhe shtrat i lakmisë” (Mateo Henri). Në vendet mesdhetare, njerëzit shpeshherë pushojnë pas dreke, ndaj edhe është e mundur që Davidi të mos e ketë vrarë mendjen për t’u ngritur nga shtrati, derisa erdhi mbrëmja. “Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur” (Fjalët e Urta 6:10-11). Të tjerë thonë se e kishte mendjen të turbulluar, ngaqë e vriste ndërgjegja që vetë flinte i mbuluar me çarçafë mëndafshi, ndërkohë që ushtarët e tij po luftonin në një betejë të përgjakshme. Po ta kishte zënë gjumi, atëherë nuk do ta kishte parë kurrë gruan, që bënte banjo.

Davidi vuri re diçka, që po ndodhte në shtëpinë e tjetërkujt. Mos vallë, Bath-sheba po tregohej imorale, duke bërë banjo në këtë mënyrë? Shtëpia e saj ka të ngjarë të ketë qenë e rrethuar me mure, ashtu si edhe shtëpitë e tjera rreth e rrotull, ndaj vetëm dikush prej një ndërtese më të lartë mund ta vinte re se ç’po ndodhte në oborrin e saj. Por pse po lahej kaq haptas – ndoshta ngaqë s’kishte njeri në shtëpi? Pa dyshim, Davidi nuk e priste që të shikonte dikë, që po bënte banjo, ndaj edhe në një farë mënyre, Bath-sheba është pjesërisht fajtore për atë që ndodhi më pas. Megjithatë, Davidi pa padashje me sytë e tij, por s’kishte pse t’i fiksonte sytë më tej. Mund t’i ishte lutur Zotit, që t’i jepte fitore ndaj këtij tundimi, por nuk veproi kështu. “Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua” (Psalmi 119:37). Duhet ta ketë ditur thënien e Jobit, por nuk e zbatoi atë parim. “Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?” (Jobit 31:1). 

Përfundim                      

E gjithë kjo ngjarje po zhvillohej, në një kohë që Uriahu po luftonte për Davidin në fushën e betejës. Jezusi tha se “drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!” (Mateu 6:22-23). Gjon Bunjani e përshkruan syrin si “porta e shpirtit të njeriut”: “Kështu pra, ata e hapën portën, si atë të veshit, ashtu edhe atë të syrit, dhe e lanë djallin që të hyjë brenda me gjithë ushtrinë e tij, duke e harruar kështu fare Zotin e tyre” (marrë nga libri “Lufta e Shenjtë”). Dembelizmi i Davidit ishte shkaku i mëkatit të tij. Mund ta kishte fajësuar djallin, Bath-shebën, apo shumë e shumë të tjerë, por në fakt, vetë e pati fajin. Në të ardhmen, ky mëkat “privat” do të kishte një ndikim negativ në jetën e shumë të tjerëve. Mëkati i Davidit filloi fshehtas në tarracën e pallatit mbretëror, ndaj edhe drejtësia kërkonte që ai të bëhej publik përpara të gjithëve. “Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që nuk do të zbulohet, as sekret që të mos njihet dhe të dalë në dritë” (Luka 8:17). 

Mbrapa

Advertisements