Shkatërrim dhe Mashtrim

“Davidi qëndroi në vendin e Filistejve një vit e katër muaj. Davidi dhe njerëzit e tij niseshin dhe bënin plaçkitje në vendin e Geshuritëve, të Girzitëve dhe të Amalekitëve; këto popullata banonin prej kohëve të vjetra në këtë vend duke u shtrirë nga Shuri deri në vendin e Egjiptit. Davidi e shkretonte vendin dhe nuk linte gjallë as burra as gra; pastaj merrte dele, lopë, gomarë, deve dhe rroba, dhe kthehej dhe shkonte tek Akishi. Kur Akishi e pyeste: “Ku keni plaçkitur sot?,” Davidi i përgjigjej: “Kundër jugut të Judës, kundër jugut të Kenejve”. Davidi nuk linte gjallë as burra as gra, sepse mund të çonin lajme, dhe thoshte: “Mund të japim njoftime mbi ne dhe të thonë: “Kështu ka bërë Davidi””. Kështu veproi ai gjatë gjithë kohës që qëndroi në vendin e Filistejve. Kështu Akishi i besonte Davidit dhe thoshte: “Ai u bë i urrejtshëm nga populli i Izraelit dhe kështu do të jetë gjithmonë shërbëtori im”” (1 Samuelit 27:7-12).

Parathënie

Ka dy çështje, që duhen marrë në konsideratë në këtë pasazh biblik. Së pari, shkatërrimi që i solli Davidi banorëve të vendeve të lartpërmendura dhe së dyti, mashtrimi i Davidit dhe gënjeshtrat e tij përpara Akishit.

Shkatërrimi

Davidi ia mbushi mendjen Akishit se do të ishte më mirë që ai dhe njerëzit e tij të jetonin larg popullsisë së Gathit. Jo se Davidi po shqetësohej shumë për banorët e Gathit, përkundrazi, ai kishte tjetër qëllim. Akishi pranoi dhe i dha Davidit Tsiklagun si vend banimi. Tsiklagu s’kishte shumë vlerë si vend, në sytë e filistenjve, ngaqë ishte thjesht një fshat i vogël, që dikur kishte qenë i populluar prej izraelitëve, pasardhësve të fisit të Simeonit (shiko Jozueu 19:5), por që ndodhej tani i pushtuar prej filistenjve. Duhet theksuar këtu se, ashtu siç e pamë edhe në studimin e kaluar, Davidi nuk po vepron sipas vullnetit të Perëndisë, ndaj edhe gjithçka që bën e gjithçka që thotë në praninë e filistenjve, duhet gjykuar në këtë kontekst.

Davidi, kur Akishi nuk e shikonte, fillon të pushtojë popujt e vendeve të tjera rreth e rrotull. I vrau të gjithë, burra, gra e fëmijë, me qëllim që të mos e merrte vesh Akishi se ku kishte qenë. Është e vërtetë se popujt e larpërmendur ishin armiqtë e Perëndisë dhe duhej të ishin vrarë me kohë prej Jozueut dhe Saulit. Por Davidit nuk i kishte dhënë urdhër akoma Perëndia, që të kryente sulme të tilla, edhe pse shkatërrimi i këtyre popujve paganë kishte qenë plan i Perëndisë që nga fillimi. “Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt” (Ligji i Përtërirë 20:16-17). Arsyeja e këtij shkatërrimi na jepet qartë tek Ligji i Përtërirë 20:18, “Me qëllim që ata të mos ju mësojnë të imitoni tërë ndyrësirat që bëjnë për perënditë e tyre, dhe ju të mos mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj”. Edhe mbretit Saul i ishte dhënë urdhër, që t’i shkatërronte Amalekitët, por ai nuk e vuri në zbatim një urdhër të tillë (shiko 1 Samuelit 15). Nuk ka të ngjarë se Davidi po i vriste këta banorë, ngaqë donte ta vinte në zbatim këtë udhër të Perëndisë, në një kohë që Ai as që e kishte urdhëruar fare Davidin të vepronte kështu.

Ndoshta Davidi po angazhohej me diçka, për t’u dukur se po i bindej Perëndisë, por, në fakt, ai po e përdorte këtë situatë për ta fshehur mëkatin e vajtjes dhe të banimit në vendin e filistenjve. “Kur shërbëtorët e Perëndisë i prek ndërgjegja se e kanë gabim, apo se kanë mëkatuar diku, atëherë një nga taktikat që përdorin për ta mbuluar fajin, është kjo: fillojnë e merren me punë të shenjta” (B.W.Njutën). Nuk ka aktivitet fetar, që të mundet ta largojë mëkatin, apo ndëshkimin. Fakti se Davidi ishte i suksekshëm nuk vërteton se veprimet e tij ishin të aprovuara prej Perëndisë. Bekimet e Perëndisë nuk varen nga suksesi ynë, por nga bindja që tregojmë ndaj vullnetit dhe fjalës së Tij.

Mashtrimi

Davidi ndoshta ishte rehat në vendin e filistenjve, sepse banoi atje për 16 muaj. Por çdo ditë që kalonte, vetëm sa e zgjaste mëkatin dhe më në fund, do të sillte pasoja të padëshirueshme për të.

Davidi nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër, veçse ta mashtronte Akishin, duke e bërë atë të mendonte se e urrente aq shumë mbretin Saul dhe Izraelin, saqë po sulmonte Judenë dhe armiqtë e tjerë të filistenjve.

S’ka dyshim se filistenjtë e dinin se dikush ishte përgjegjës për shkatërrimin e këtyre popujve. Nxorrën si konkluzion, pra, se ishin izraelitët ata, që po sulmonin. E po të mos ndërhyjë Perëndia, Davidi shumë shpejt ka për ta parë veten, duke luftuar kundër popullit të vet. “Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: “Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu”. Davidi iu përgjegj Akishit: “Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt”. Atëherë Akishi i tha Davidit: “Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë” 1 Samuelit 28:1-2). Ndoshta mosbindja e Davidit ndaj vullnetit të Perëndisë u bë, qoftë edhe sadopak, një shkak për betejën që pasoi, në të cilën vdiqën si mbreti Saul, ashtu edhe Jonathani.

Përfundim

Më në fund, Davidi do ta shikonte se sa shumë kishte për t’i kushtuar mëkati, që kishte bërë. Davidi, i cili më përpara i ishte lutur Perëndisë që ta drejtonte, tani po vepronte sipas mendjes së vet. Disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se Davidi nuk kompozoi asnjë këngë gjatë gjithë kohës që ishte mes filistenjve. Ndjenja e fajit ia kishte shkatërruar gëzimin, por ka mundësi që më vonë ai të ketë shkruar Psalmin 119:28-29, si reagim ndaj këtij episodi në jetën e tij. “Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate. Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd”. Të ashtu-quajturës siguri të Davidit në Gath po i vinte fundi.

“Sa shumë të këqija vijnë si pasojë e mosbesimit! Kur i harrojmë mëshirat e mëparshme të Zotit dhe bekimet e Tij plot hir, atëherë e shohim veten të pushtuar nga frika dhe ndoshta fillojmë e përdorim disa metoda të pandershme, me qëllim që t’i heqim qafe problemet, që kemi. Vetëm mbështetja e patundur në premtimet e Perëndisë në Krishtin Jezus është në gjendje të na drejtojë drejt veprimeve të shenjta dhe të na ruajë prej vështirësive” (Mateo Henri).

Mbrapa

Advertisements