Shkëmbi i ndarjes

“Pastaj Zifejtë shkuan te Sauli në Gibeah dhe i thanë: “A nuk rri Davidi i fshehur në fortesa në pyll, mbi kodrën e Hakilahut që ndodhet në jug të shkretëtirës? Prandaj, o mbret, zbrit, sepse gjithë dëshira e shpirtit tënd është të zbresësh; do të mendojmë ne ta dorëzojmë në duart e mbretit”. Sauli tha: “Qofshi të bekuar nga Zoti, sepse ju ka ardhur keq për mua! Shkoni, ju lutem, dhe sigurohuni më mirë për të njohur dhe për të parë vendin ku strehohet, dhe kush e ka parë atje, sepse më thonë që ai është shumë dinak. Përpiquni të njihni të gjitha vendet e fshehta ku strehohet; pastaj kthehuni tek unë me lajme të sigurta dhe unë do të vij me ju. Kështu, në qoftë se ai është në atë vend, unë do ta kërkoj midis të gjithë mijërave të Judës”. Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës. Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit. Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t’i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t’i kapur, arriti te Sauli një lajmëtar që tha: “Shpejtohu të vish, sepse Filistejtë kanë pushtuar vendin”. Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë Filistejtë; prandaj ky vend u quajt “shkëmbi i ndarjes”. Pastaj që andej Davidi shkoi për t’u vendosur në fortesat e En-Gedit” (1 Samuelit 23:19-29).

Parathënie

Pa humbur kohë, mbreti Saul u nis përsëri në kërkim të Davidit. Davidi po largohej nga shkretërira në shkretëtirë. Por Sauli e zuri mat në Maon. Perëndia ishte me Davidin dhe Ai ndërhyri, duke ia hequr mendjen Saulit prej planit të tij vdekjeprurës. Kjo i dha mundësinë të arratisurit David të largohej për në Engedi.

Dyfytyrësia

Zifenjtë e tradhtuan Davidin, edhe pse ai i kishte ndihmuar. I treguan Saulit me saktësi se ku po fshiheshin Davidi dhe njerëzit e tij. S’mund ta imagjinojmë dot një akt të tillë të padrejtë e të pafalshëm, në një kohë që Davidi s’iu kishte bërë dëm zifenjve. Përkundrazi, ai i kishte çliruar ata prej armikut. Për më tepër, zifenjtë ishin prej fisit të Judës, ashtu si edhe Davidi (Jozueu 15:55). Por tani ata ishin gati t’i dilnin përkrah Saulit, si e si që të shpëtonin lëkurën e tyre.

Davidi e shkroi Psalmin 54 si kujtim të tradhtisë së zifenjve: “O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde. O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime. Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela). Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time. Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji. Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë; sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja”. Në studimet e ardhshme, do ta shohim se si zifenjtë e tradhtojnë po prapë Davidin.

Kënaqësia

Mbreti Saul u kënaq aq shumë, kur mori vesh lajmin, që i sollën zifenjtë, saqë i bekoi ata,  në mënyrë hipokrite, në emër të Zotit. Siç e ka vënë re edhe Mateo Henri, “Sauli Perëndinë e kishte në majë të gjuhës, por ah, sa larg zemrës!”. Saulit iu bë qejfi gjithashtu, kur e pa se kishte akoma njerëz, që ishin gati t’i qëndronin besnikë kauzës së tij, gati t’ia dorëzonin Davidin të gjallë. Tek 1 Samuelit 22:8, Sauli tha: “Nuk ka asnjë prej jush që t’i vijë keq për mua”. Donte që të tjerët të tregonin dhembshuri ndaj tij, por vetë nuk ishte gati t’iu tregonte të tjerëve (duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij) as edhe një pikë dhembshurie. Saulit i vinte aq shumë keq për vetveten, saqë nuk arrinte ta kuptonte dëmin, që po iu shkaktonte të tjerëve.

I rrethuar nga të gjitha anët

Sauli e pa se, me forcat e veta, ai nuk do të mund ta kapte dot Davidin të gjallë. Prandaj edhe iu dha urdhër zifenjve tradhtarë, që të bëheshin spiunët e tij dhe të siguroheshin mirë se ku po fshihej Davidi. Dhe, sapo mori lajm prej tyre, Sauli u nis për ta sulmuar Davidin. Ushtria e tij ndaloi në anën e malit, ku po fshihej i arratisuri. Por Davidi dhe njerëzit e tij ishin përgatitur për një rast të tillë. Ata, në vend që të luftonin, ia mbathën me të katra. Por, s’kaloi shumë kohë dhe e kuptuan se ishin të rrethuar nga të gjitha anët dhe nuk kishin nga të shkonin. “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë” (Psalmi 34:19). Nga ana e jashtme, Davidi dukej sikur e kishte humbur betejën dhe ishte gati për t’u shkatërruar.

Çlirimi

Është e vërtetë se i drejti ballafaqohet me vuajtje të shumta, “por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:19). Beteja sapo kishte filluar, kur Saulit i vjen lajm se filistenjtë po pushtonin Izraelin. Ndaj atij s’i mbetej gjë tjetër, veçse ta linte pas dore të ndjekurit e Davidit. Perëndia, pra, ia bëri përsëri lëmsh Saulit planet e tij të liga. Është e vërtetë se Perëndia mund t’i çlirojë të Tijët pikërisht në momentin e fundit, por çlirimi i Tij nuk vjen kurrë me vonesë. Ai është gjithmonë i përpiktë! Ai është në gjendje të na çlirojë, pavarësisht sesa e vështirë mund të jetë situata, në të cilën ndodhemi. Mateo Henri thotë se “Perëndisë kurrë nuk i mungon mënyra, apo mjeti, me anë të së cilit, Ai e mbron popullin e Tij”. Ka të ngjarë, që Sauli të ishte bërë vetë shkak i sulmit të filistenjve, sepse spiunët e tyre e dinin se Izraeli ishte i pambrojtur, ndërkohë që mbreti dhe ushtria e tij ishin të angazhuar diku tjetër.

Përfundim

Pa dyshim që Davidi dhe njerëzit e tij u gëzuan pa masë, kur e panë Saulin të largohej. Për ta përkujtuar këtë mrekulli çlirimtare, ata e quajtën atë vend, “Shkëmbi i ndarjes”, “ngaqë aty ata u ndanë prej Saulit, pikërisht në momentin, kur ai ishte aq afër” (Gjon Uesli). Davidi shkoi në Engedi, që ndodhet pranë Detit të Vdekur, sepse “ky vend është i mbushur nga të gjitha anët me shpella, të cilat mund të kenë shërbyer si vende strehimi për Davidin dhe njerëzit e tij, ashtu siç janë edhe për të arratisurit e sotshëm” (nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Si Davidi, ashtu edhe ne, duhet t’i besojmë Perëndisë për faktin se Ai ka për të na çliruar dhe ka për t’i përmbushur planet e Tij për jetën tonë. “Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëheni të qëndrueshëm” (Isaia 7:9).

Mbrapa

Advertisements