Shkule të keqen!

Po t’i hedhim një sy kombit tonë, do ta shohim se sa mëkatarë dhe të paperëndishëm janë nënshtetasit e tij. E liga nuk është më e fshehur në një qoshe, por shfaqet haptas kudo. Nëpër shkolla, fëmijët mësojnë se si të kryejnë veprime mëkatare, kurse kishat e sotshme nuk e kanë problem fare që t’i lejojnë predikuesit liberalë të flasin prej podiumit. Kështu ishte dikur edhe Izraeli. Popullit të tij iu ishin dhënë parime të larta jetese, por izraelitët vendosën të mos i bindeshin Zotit, duke ndjekur fenë pagane të kombeve të tjera rreth e rrotull. Sa më shumë që e distancuan veten nga Perëndia, aq më shumë të liga bënë. Ajo që dikur konsiderohej mëkat, shumë shpejt u kthye në një sjellje të pranueshme prej shoqërisë. Sa herë u dërgoi Zoti gjyqtarë dhe profetë të ndryshëm, për t’iu bërë thirrje që ta shkulnin të keqen prej vendit?

Shkule profetin e rremë!

Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli, dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: “Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t’u shërbejmë,” ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt. Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të. Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t’ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t’ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt” (Ligji i Përtërirë 13:1-5). Sa keq që të krishterët e sotshëm nuk janë aq të mençur, saqë t’i vënë re “ujqërit grabitqarë” që shtiren si dele! (Mateu 7:15) Duhen larguar fare profetët e rremë dhe mësimet e tyre të liga.

Hiqe shkelësin e besëlidhjes!

Në rast se gjendet midis teje, në një nga qytetet që Zoti, Perëndia yt, po të jep, një burrë apo një grua që bën atë që është e keqe për sytë e Zotit, Perëndisë tënd, duke shkelur besëlidhjen e tij, dhe që shkon t’u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar, dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurtë se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael, do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin. Ai që duhet të vdesë do të dënohet me vdekje me deponimin e dy apo tri dëshmitarëve, por nuk do të dënohet me vdekje askush me deponimin e një dëshmitari të vetëm. Dora e dëshmitarëve do të jetë e para që do të ngrihet kundër tij për t’i shkaktuar vdekjen; pastaj do të ngrihet dora e të gjithë popullit; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga gjiri yt” (Ligji i Përtërirë 17:2-7). Popullit i ishte dhënë Ligji, me qëllim që ata të mos mëkatonin, por, prapëseprapë, kishte nga ata që kujtonin se, ngaqë Perëndia ishte një Zot i dashur, Ai nuk do t’i ndëshkonte po të mëkatonin. Në të njëjtën gjendje është edhe shoqëria e sotshme. Ungjilli i Zotit merret nëpër gojë, kurse ata që e predikojnë atë, konsiderohen si idiotë fanatikë. E megjithatë, gjykimi ka për t’u zbatuar një ditë: “Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t’i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli; tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi” (Ligji i Përtërirë 17:12-13).

Largoje kokëfortin!

Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe me gjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre, i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon, dhe do t’u thonë pleqve të qytetit: “Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel; nuk do t’i bindet zërit tonë; është grykës dhe pijanec”. Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë dhe ai ka për të vdekur; kështu do të shrrënjosësh të keqen nga mesi yt, tërë Izraeli do ta mësojë dhe do të ketë frikë” (Ligji i Përtërirë 21:18-21). Në Bibël nuk na thuhet nëse një urdhërim i tillë u zbatua ndonjëherë në praktikë, e megjithatë e shohim sesa i ashpër është Perëndia ndaj mëkatit. Shumica e krimeve dhe veprave të tjera anti-shoqërore sot kryen prej të rinjve, që nuk disiplinohen fare prej prindërve të tyre në shtëpi. Të jesh qytetar i mirë do të thotë fillimisht të jesh pjesëtar i mirë i familjes. Sot fëmijët konsiderohen si zotër. Llastohen tej mase prej prindërve dhe rrallë herë ndëshkohen, kur sillen keq, ngaqë vetë prindërit janë të pafuqishëm për t’i disiplinuar. “Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj” (Fjalët e Urta 22:15). Fëmijët e llastuar të së sotshmes bëhen kriminelët e së ardhshmes.

Përfundim

Na duhet besnikëri dhe vendosshmëri e madhe për ta shkulur të keqen. Duhet t’ia fillojmë së pari me familjen tonë, me kishën tonë, me kombin tonë, pastaj me të tjerët, sepse si mund t’i gjykojmë të tjerët, kur vetë nuk po i bindemi Zotit? “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin…!” (Gjoni 8:7). Qeveria, drejtuesit fetarë dhe familjet e ndryshme në shoqëri e bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, kur vjen puna për ta ndëshkuar mëkatin. Arsimi dhe edukimi shoqëror nuk mund t’i zgjidhë dot problemet – vetëm një kthim i menjëhershëm drejt standarteve biblike mund ta nxjerrë kombin tonë prej gropës. Kalbëzimi duhet hequr prej rrënjëve! Nuk janë politikanët, as policët, as mësuesit ata, që mund t’i zgjidhin problemet e rrugës, por të krishterët! Neve na është dhënë përgjegjësia për ta shkulur të ligën dhe për t’i sjellë çlirim të humburve. “Le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh” (Jakobi 5:20).

Mbrapa