Shlyerja e pakufizueshme e fajit

“Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Parathënie
Për disa njerëz, doktrina e ‘shlyerjes së pakufizueshme të fajit’ është e njëjtë me idenë e rreme të ‘universalizmit’ (d.m.th. që të gjithë njerëzit do të shpëtohen). Por kjo tregon një kuptim të gabuar të shlyerjes së fajit. Ne besojmë se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”, por në të njëjtën kohë, ne besojmë gjithashtu se “kushdo që beson në të, nuk do të humbasë, por do të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Në këtë studim, do t’i hedhim një vështrim të shkurtër arsyes se përse shlyerja e fajit është e pakufizueshme (nuk njeh kufi). 

Të gjithë apo vetëm ca?
Sipas kalvinistëve, shpëtimi iu takon vetëm atyre që janë të zgjedhur (nga Perëndia), kurse pjesa tjetër e njerëzimit është e dënuar me shkatërrim, ngaqë Krishti nuk iua shleu atyre mëkatet. Nuk thuhet kurrë në Bibël se njeriu nuk ka vullnet të lirë (të bëjë ç’të dojë), d.m.th. se njerëzit nuk janë në gjendje ta zgjedhin apo ta praktikojnë besimin në Krishtin. Ngaqë ishte avokat, Xhon Kalvini nuk arrinte ta kuptonte se si Perëndia i ftonte mëkatarët e ndëshkuar të vinin tek Krishti. Ky lloj arsyetimi është problematik për mendjen ligjore, por jo për Perëndinë.

Shlyerja e fajit ishte e domosdoshme për pak, apo ca, apo për të gjithë ata njerëz, që ishin gati ta pranonin Krishtin nëpërmjet besimit. Gjaku i Krishtit ka fuqi të mjaftueshme si për të shpëtuar milliona njerëz, ashtu edhe për të larë mëkatin e një njeriu të vetëm. Ftesa për të ardhur tek Krishti, apo vlera e gjakut të Tij nuk kanë lidhje fare me numrin e atyre që e pranojnë apo e refuzojnë Atë. 

Prova biblike
Mesazhi i Ungjillit gjithmonë ka qenë: “Dhe ai që ka etje, le të vijë” (Zbulesa 22:17). Është për t’u habitur që, edhe pse kjo është thënia e fundit e Perëndisë në Bibël, shumë veta kanë vendosur ta refuzojnë këtë mësim dhe të pranojnë në vend të tij ‘shlyerjen e kufizuar të fajit’.

Pali na mëson se Jezus Krishti, i vetmi ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, “e dha veten si çmim për të gjithë” (1 Timoteut 2:5-6). A nuk thotë të njëjtën gjë edhe vargu i shumë-përmendur i Gjonit 3:16? Sa e trishtueshme është, pra, të besosh se gjaku i Jezus Krishtit mund të shpëtojë vetëm ca, në një kohë kur “është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës” (1 Timoteut 2:3-4)! A nuk e thotë qartë vargu i 2 Pjetrit 3:9 se Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.”?
Perëndia, në hirin e Tij sovran, dëshiron që të gjithë njerëzit ta pranojnë mesazhin e shpëtimit… “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19); “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15), apo siç thotë Pali tek Titit 2:11: “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve”. Perëndia e kishte në mendje të gjithë racën njerëzore, kur dërgoi Birin e Tij për të vdekur për mëkatin… “Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës” (1 Gjonit 4:14). Një hir i tillë iu jepet të gjithëve… “por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit” (Hebrenjve 2:9), apo siç thuhet tek 2 Korintasve 5:15: “ai ka vdekur për të gjithë”.

Përfundim
Ka plot vargje të tjera biblike që vërtetojnë faktin se Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të vijnë tek Krishti, dhe se gjaku faj-shlyes i Birit të Tij është i vlefshmë dhe gati për çdo mëkatar. Po qe se ky nuk ishte vullneti i Perëndisë, atëherë Zoti Jezus i dërgoi dishepujt e tij të bëjnë punën e të marrit, kur iu tha atyre ta përhapnin të vërtetën: “Do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). 

Shlyerja e fajit është e mjaftueshme për të gjithë, por ajo shfaqet vetëm tek ata që e praktikojnë besimin e tyre në Krishtin. Gjaku i Tij ishte çmimi që u pagua për shpengimin e njerëzve. Fakti se shumica vendosin ta mohojnë Atë, nuk ia ul vlerën fuqisë apo sovranitetit të Perëndisë. 
“Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni” (Jozueu 24:15).

Mbrapa

Advertisements