Shoqeria e krishtere

“Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë. Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë. Sikur të thoshte këmba: “Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit”, mos për këtë nuk është pjesë e trupit? Dhe sikur veshi të thoshte: “Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit”, mos për këtë nuk është pjesë e trupit? Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit? Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur. Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm. Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju”. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat; dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut, që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç” (1 Korintasve 12:12-27).

Parathënie

I krishterë është ai, që është pasues i vërtetë i Krishtit, jo thjesht një njeri, që frekuenton një vend adhurimi. I krishterë është dikush, që i zbaton mësimet e Biblës dhe jo thjesht fjalët e një drejtuesi, apo të një organizate fetare. I krishteri imiton Krishtin dhe ka si pikësynim që t’i jetë Atij gjithmonë besnik. Prandaj, pra, një i krishterë është pjesë e trupit të Krishtit, ka si qëllim që t’i bindet plotësisht Kreut të vet dhe kërkon që ta lartësojë Zotin në çdo aspekt të jetës. Bibla dhe Fryma e Shenjtë na shfaqin karakterin e vërtetë të Krishtit, i Cili është metri me të cilin duhen matur të gjithë ata, që e quajnë veten të krishterë. Nëse ndonjëri nuk e shfaq asnjërën prej atyre karakteristikave të Kreut të Kishës, atëherë ai person është, në fakt, tradhtar dhe pasuesit e vërtetë të Krishtit nuk duhet të kenë shoqëri me një njeri të tillë.

Anëtarësia

Me përjashtim të Zotit, askush tjetër nuk ka njohuri rreth gjithçkaje. Ndaj edhe Perëndia nuk do që askush të bëhet “i pari” i kishës (Mateu 20:25). Apostulli Pal na vë në dukje se çdo pjesë e trupit të njeriut luan një rol të rëndësishëm për shëndetin. Po kështu ndodh edhe me trupin shpirtëror të Krishtit. Ai që kujton se është më inteligjent sesa anëtarët e tjerë të kishës dhe kërkon që ta nderojnë e ta respektojnë më shumë, në fakt është mendjemadh dhe i mungon besimi. Zakonisht, njerëz të tillë shpikin doktrina të reja, të pabazuara në të vërtetën biblike, ngaqë kujtojnë se iu ka folur Perëndia me anë ëndrrash dhe vegimesh. “Duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit” (Mateu 15:9). Duke vepruar kështu, ata i shtojnë ose i heqin fjalë Biblës dhe e mallkojnë veten. “Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë” (Ligji i Përtërirë 4:2)… “Nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër” (Zbulesa 22:18). E shohim, pra, se është gabim të shoqërohemi me ata, që e shtrembërojnë me qëllim Biblën. Nuk mund t’i kompromentojmë të vërtetat themelore lidhur me faktin se kush është Krishti dhe cila është natyra e Tij. Njerëzit i heqin ose i shtojnë diçka Atij ose fjalës së Tij, për ta bërë më të pranueshëm mesazhin e ungjillit, por kjo nuk është mënyra e drejtë e të mësuarit së rrugës së vërtetë të shpëtimit.

Shoqëria jonë e krishterë ka vlerë vetëm atëherë, kur të gjithë anëtarët e kishës janë të përkushtuar ndaj Kreut të kishës (d.m.th. ndaj Krishtit) dhe janë të vendosur për të jetuar në përputhje me fjalën e Tij. “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” (Amosit 3:3). Ajo që na lidh, është vetëm Krishti. “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). Vetëm në këtë mënyrë mund të funksjonojmë mirë si kishë.

Kuptimi

Çdo anëtar i trupit duhet konsideruar i rëndësishëm për rritjen e kishës dhe, në të njëjtën kohë, çdo anëtar duhet të funksjonojë gjithashtu për të mirën e të gjithë trupit. Nuk kemi të gjithë të njëjtat aftësi, por kjo nuk do të thotë se disa prej nesh janë më të vlefshëm sesa të tjerët. Përkundrazi, secilit prej nesh i është dhënë një rol i veçantë për të luajtur në kishë. Zoti nuk pret që ne thjesht të vijmë në kishë e të ngrohim karriget! Ai na ka dhënë Frymën e Shenjtë, me qëllim që t’i vëmë në përdorim talentet tona.

Secili anëtar i trupit të Krishtit duhet të bëjë gjithçka për lavdinë e Tij, jo për t’u ngritur në pozitë në kishë. “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). Ndoshta mund të themi se një kishë e shëndetshme përbëhet prej anëtarësh, të cilët e lavdërojnë Zotin dhe nuk mundohen t’ia kalojnë njëri-tjetrit. Sa herë që na sëmuret trupi ynë fizik, përpiqemi ta shërojmë. Nganjëherë kanceri përhapet në trup dhe duhet hequr menjëherë me operacion, me qëllim që trupi të funksjonojë prapë siç duhet. Po kështu edhe gabimet në kishë e vënë në rrezik shëndetin e anëtarëve të saj. “Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi, dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë” (2 Timoteut 2:16-17). Është e rëndësishme që ky lloj kanceri të hiqet sa më shpejt, që të jetë e mundur. “Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë, duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten” (Titit 3:10-11). Është për të të ardhur keq, që shumica e kishave të sotshme e kanë neglizhuar zbatimin e këtij urdhërimi dhe vazhdojnë akoma të mbajnë shoqëri me ata, që jetojnë në kundërshtim me të vërtetën e që mësojnë ato gjëra që nuk janë në Bibël.

   Përfundim                      

Shoqëria e krishterë është e kufizuar vetëm për ata, që i përkasin Krishtit. “Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjonit 1:3). Një shoqëri që bazohet në diçka, apo në dikë tjetër, nuk është as shoqëri e krishterë, as shoqëri e vërtetë. Na duhet mençuri, guxim dhe vendosshmëri për të zënë e për të mbajtur shoqëri sipas parimeve të caktuara në fjalën e Perëndisë. Nëse nuk i kushtojmë rëndësi kësaj çështjeje, por, përkundrazi, adhurojmë me ata që nuk ia kanë përkushtuar jetën Krishtit, atëherë besimi dhe shoqëria jonë kanë për të na u dobësuar.

Mbrapa