Shpengimi është i plotë

U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve” (Isaia 53:8-12).

Parathënie

Kapitulli i 53-të i Isaias ka të bëjë me vuajtjen, vdekjen dhe ringjalljen e Zotit tonë Jezus Krisht. Atë e hodhën poshtë, e lënduan, e shanë dhe e goditën për hatrin tonë. Për ne, Ai pagoi çmimin më të madh, për të na shpëtuar prej mëkatit. Prandaj, pra, nuk mund të ketë asnjë Shpëtimtar tjetër.

Ringjallja

Vuajtja dhe vdekja e Krishtit në kryq ishte plan i Perëndisë për të shpëtuar mëkatarët. Edhe pse e dimë se Atit Perëndi iu desh që ta kthente kokën mënjanë, kur i Biri tha: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46), prapëseprapë ky s’ishte një gabim nga ana e Perëndisë, sepse “i pëlqeu Zotit ta rrihte“. Përkundrazi, kryqi ishte plani i Perëndisë, që e dinte se Mesia do të përçmohej dhe do të hidhej poshtë (shiko Isaia 53:3). Jezusi e dha Veten e Tij për të shpenguar botën.

Por kjo histori nuk mbaron me vdekjen e Krishtit. Prandaj edhe ne nuk mbajmë të varur në qafë një kryq me Shpëtimtarin në të. Vdekja e Tij nuk tregon se plani i Perëndisë ka dështuar, por, përkundrazi, kjo vdekje është fitorja më e madhe në botë. I pëlqeu Atit, që ta ngrinte Krishtin prej së vdekuri në ditën e tretë dhe t’i zgjaste ditët (Isaia 53:10). Si vdekja, ashtu edhe ringjallja e Tij ishin përmbushje e planit të Perëndisë, për ta kthyer njeriun mëkatar prapë tek Krijuesi i tij. Ky është, pra, ungjilli i vërtetë i Krishtit. “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve” (1 Korintasve 15:3-4).

Shfajësimi

Njerëzimi meriton vetëm zemërimin e plotë të Perëndisë ndaj mëkatit. Por Zoti Jezus Krisht i plotësoi Vetë të gjitha kërkesat e drejta të ligjit. Vdekja e Tij në kryq është e mjaftueshme për shpëtimin e cilitdo, që vjen tek Ai. “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë” (Hebrenjve 7:25).

Drejtësia ka triumfuar. Nuk mund ta paguanim vetë çmimin për mëkatet tona. Prandaj edhe nuk mund të shfajësoheshim dot kurrë në sytë e Perëndisë. Sakrifica e Krishtit na tregon jo vetëm se Perëndia është i drejtë, por gjithashtu edhe se Ai i shfajëson e i bën të drejtë të gjithë ata, që i besojnë Atij. “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit” (Romakëve 3:24-26). Përmbushja e planit u vulos atëherë, kur Zoti thirri: “U krye!” (Gjoni 19:30). Shpengimi është i plotë dhe ai mëkatar, që i beson Jezusit, tani konsiderohet i pafajshëm prej Perëndisë. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Ai jeton!

Nuk ka lajm më të mirë se ky, d.m.th. Jezusi nuk është i vdekur, por përkundrazi, Ai “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë” për ne (Hebrenjve 7:25). Ai “e zbrazi veten e tij” (Filipianëve 2:7) dhe, duke iu bindur Perëndisë Atë, shkoi në kryq (Filipianëve 2:8). Tani Ai mbretëron përgjithmonë si Zot, si Shpëtimtar dhe si Perëndi. “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:9-11).

Kjo është, pra, arsyeja pse besojmë se Krishti është “avokati” ynë “te Ati” (1 Gjonit 2:1). Besojmë se Ai ndërmjetëson për ne. “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne” (Romakëve 8:34). Nuk është për t’u habitur, pra, që Stefani pa “Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 7:55). Nuk kërkojmë një Shpëtimtar mbi kryq, apo në varr. Përkundrazi, Ai është i gjallë dhe mbretëron në Fronin e Lavdisë si “Mbret mbi mbretër dhe Zot mbi zotër” (Zbulesa 19:16).

Përfundim

Borxhi është larë. Shpëtimtari i ringjallur është gati ta shpëtojë cilindo, që e pranon Atë vetëm me anë të besimit. Vetëm në këtë mënyrë, Ai na përfaqëson në Qiell.

Mbrapa