Shpengimi nëpërmjet Gjakut

“Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak; as i huaji që banon midis jush nuk ka për të ngrënë gjak”. Dhe në qoftë se ndonjë prej bijve të Izraelit ose të të huajve që banojnë midis jush zë në gjah një kafshë ose një zog që mund të hahet, do të derdhë gjakun e tij dhe do ta mbulojë me dhe; sepse është jeta e çdo mishi; gjaku i tij mban jetën e tij. Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: “Nuk do të hani gjakun e asnjë mishi, sepse jeta e çdo mishi është gjaku i tij; kushdo që do ta hajë do të shfaroset”” (Levitiku 17:11-14).

Parathënie
Apostulli Pal e thotë qartë se shpengimi i besimtarit është blerë dhe paguar përmes vdekjes sakrifikuese të Zotit tonë Jezus Krisht (1 Pjetrit 1:18-19). Në këtë studim do të shqyrtojmë më thellë arsyen pse mëkatari nuk mund të shpëtohet nëpërmjet asnjë lloj mënyre tjetër.

Fuqia e gjakut, që kryen punë të mrekullueshme
Gjaku është jeta e trupit, prandaj është e pamundur të egzistojmë pa të. Dhiata e Vjetër i vë rëndësi të madhe gjakut, madje edhe gjakut të kafshëve (Levitiku 17:11-14; 4:3, 14, 27). Oferta që i solli Abeli Perëndisë u pranua prej Tij, por sakrifica pa gjakderdhje e Kainit u refuzua (Zanafilla 4:1-6). Kjo histori vërteton, krahas shumë gjërave të tjera, se njeriu nuk mund t’i sjellë shpëtim vetvetes nëpërmjet bimëve, apo arit, argjendit, apo ndonjë lloj mjeti tjetër. Fuqia shpëtuese gjendet tek gjaku. Qengji i Dhiatës së Vjetër duhej të blihej me para, për të treguar se shlyerja e gjakut nuk ishte falas, por kushtonte shtrenjtë. Nga ana tjetër, Qengji i Dhiatës së Re është i paçmuar (asnjë njeri nuk mund ta paguajë çmimin e lartë të këtij Qengji, d.m.th. asnjë njeri nuk mund ta blejë Jezusin). 

Disa përkthime moderne të Biblës i hedhin poshtë fjalët e vargut tek Veprat e Apostujve 20:28, që thotë: “…kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e Tij”. Këto përkthime thonë: “…me gjakun e të Vetit”. Ky varg i referohet gjakut të Krishtit, por pa ta ndryshojmë tekstin, atëherë e kemi hedhur poshtë fuqinë hyjnore të gjakut. Shprehja “me gjakun e Tij” tregon se Triniteti (Ati-Biri-Shpirti i Shenjtë) e kishin planifikuar me kohë këtë lloj mënyre të shlyrjes së fajit. 
Mëkati gjithmonë barazohet me vdekjen, por gjaku i Krishtit është jeta (Romakëve 6:23; 3:23). Meqënëse mëkatari nuk mund ta shlyente dot vetë mëkatin e vet, atëherë u desh dikush tjetër që ta bënte këtë gjë për mëkatarin, d.m.th. të vdiste në vendin e tij. Ishte mëkati ynë ai që shkaktoi vdekjen e Krishtit, por vdekja e Tij nuk do të ishte e mjaftueshme nëse nuk solli si rezultat jetën e përjetshme (Hebrenjve 2:9). Fuqia e gjakut të Jezusit vihet re tek mëkatari, që merr jetën e përjetshme nëpërmjet besimit në emrin e Tij. 

Prova e fuqisë së gjakut
Dhiata e Re na zbulon me saktësi se çfarë ka arritur të bëjë gjaku i Shpëtimtarit për mëkatarin. Çdo besimtar duhet të dëshmojë për këtë fuqi në jetën e tij. Më poshtë do t’i hedhim një sy tre aspekteve të faktit se çfarë ka bërë gjaku për ne.

1. Vdekja e ka humbur gjëmbin (1 Korintasve 15:55-56). Varri nuk mund ta mbante Jezusin brenda (Hebrenjve 13:20). Vërtet gjaku i Tij ishte i çmuar, por, po të mos ishte ringjallur Ai prej së vdekurish, askush nuk do ta kishte marrë jetën e përjetshme (1 Korintasve 15:14). Kur mëkati u mund mbi Kryqin e Kalvarit, atëherë vdekjes iu desh që ta lëshonte Krishtin. Ai “shijoi vdekjen” për ne, prandaj tani mëkatari i penduar mund ta shijojë shpëtimin (Romakëve 6:6-13; Galatasve 2:20; Kolosianëve 2:12-13, 3:1).
2. Parajsa – shtëpia e përjetshme (Gjoni 14:2-3). Para se Jezus Krishti të vdiste në kryq, parajsa ishte e mbyllur për të gjithë. Hyrja e Tij në parajsë përmes gjakut të Tij i hapi portat, në mënyrë që të gjithë ata që besojnë, të mund të hyjnë brenda (Hebrenjve 9:12).
3. Jetë të ndryshuara (të transformuara), 1 Pjetrit 1:18-19): Besimtarët janë të shpenguar (të çliruar) prej mëkatit, djallit dhe vdekjes së përjetshme. Vetëm ata që kanë ardhur tek Perëndia nëpërmjet fuqisë së gjakut të Krishtit, transformohen dhe bëhen të zgjedhurit e Perëndisë (1 Pjetrit 1:2). Prova e një transformimi të tillë vihet re tek një jetë e shenjtëruar (në shenjtërim). 

Përfundim
Nuk mund ta kënaqim Perëndinë, po qe se nuk vijmë tek Ai nëpërmjet rrugës së drejtë, vetëm nëpërmjet besimit (Hebrenjve 11:6). Besimi është i rëndësishëm, nëse duam që fuqia e gjakut të jetë e dukshme në jetën tonë. Pavarësisht se çfarë thonë Kalvinistët, askush nuk është i shpëtuar në mënyrë automatike, sepse të besuarit është një veprim i vullnetshëm, që kryhet nga ata që e pranojnë se gjaku është e vetmja mënyrë shpëtimi. Vetëm ata që kanë besim tek sakrifica e Krishtit, mund të thonë se janë të shpëtuar. Po qe se zgjedhja automatike do të ishte e vërtetë, (d.m.th. mendimi se Zoti zgjedh se kush do të shkojë në parajsë apo në ferr), atëherë nuk do të ishte nevoja që të vdiste Krishti. 

Andre Murraj ka shkruar se gjaku i Jezusit “vepron akoma me një fuqi jete të pashterrur, në shpirtin e dorëzuar para Tij”. Nuk ka fuqi më të madhe në qiell apo në tokë, sesa fuqia e gjakut të Krishtit, që shpengon, shlyen mëkatin dhe transformon jetën.

Mbrapa

Advertisements