Shpërblimi

Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t’u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte. Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës. Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin. Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi. Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe. Njerëzit e Izraelit thonin: “E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t’i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael”. Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: “Çfarë do t’i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?” (1 Samuelit 17:20-26).

Parathënie

Fjalia e parë e tekstit të mësipërm na tregon diçka rreth karakterit të Davidit. Në vend që të nisej me ngut drejt fronit të betejës, ai u sigurua se delet e tij do të ruheshin prej dikujt tjetri, përsa kohë që ai ishte larg. “I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij” (Fjalët e Urta 12:10). Edhe pse Davidi s’ishte i përkryer (një fakt, të cilin e shohim tek mëkati i tij me Bathshebën), prapëseprapë, gjatë gjithë sundimit të tij si mbret i Izraelit, ai e drejtoi kombin me përgjegjësi të madhe.

Para për jetën

Davidi iu bind urdhërit të të atit dhe arriti në kamp pikërisht në momentin, kur ushtarët po bisedonin rreth filistenjve. Ushtarët iu dukën Davidit vëzhgues sikur ishin të zellshëm e gati për luftë. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Të dyja ushtritë ndodheshin ballë për ballë njëra-tjetrës në luginë, por, izraelitët, sado trima të ishin, vraponin nga frika, sapo shikonin Goliathin.

Edhe mbreti Saul kishte frikë të luftonte kundër Goliathit, prandaj edhe i premtoi një shpërblim të madh cilitdo, që do të luftonte kundër tij. Ndoshta ai kujtonte se nuk do t’i duhej të harxhonte asnjë qindarkë, ngaqë ushtari që do të luftonte kundër Goliathit, do të vdiste. Asnjë s’ishte aq trim, apo aq i marrë, sa ta pranonte ofertën e mbretit. Sauli mund t’ia kishte premtuar edhe vetë mbretërinë atij, që do të ishte gati të ballafaqohej me gjigandin, por askush nuk doli përpara.

Shiko, si vrapojnë!

Davidi “vrapoi” drejt kampit, për t’u takuar me vëllezërit e tij, gjë që na tregon guximin e tij të jashtëzakonshëm. Pa dyshim që i dëgjoi thirrjet dhe kërcënimet e ushtrisë izraelite, prandaj edhe u habit pa masë, kur e pa se ata po iknin me vrap. Davidi vrapoi me besim, kurse ata vraponin prej frikës. Të shumtë janë ata besimtarë sot, të cilët pushojnë së vrapuari drejt Zotit dhe përfundojnë në shkatërrim. “Një filiste i vetëm do të mund të ndiqte 1000 izraelitë e do të mund të luftonte kundër 10000 të tjerëve, vetëm ngaqë Shkëmbi i Izraelit, të Cilin e kishin tradhtuar dhe e kishin braktisur, i kishte dorëzuar izraelitët tek armiku” (Mateo Henri). “Si do të mundte një person i vetëm të ndiqte një mijë e dyqind veta dhe, dy persona të bënin të iknin dhjetë mijë veta, po të mos i kishte shitur Shkëmbi dhe po të mos i kishte dorëzuar Zoti tek armiku?” (Ligji i Përtërirë 32:30). “Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?” (Galatasve 5:7).

Shpërblimi

Davidi nuk e kuptonte dot arsyen pse ushtarët nuk po turreshin për të marrë shpërblimin e madh. Këtu shohim besimin i tij, d.m.th. ai besonte se Goliathi do të mundej prej dikujt, që ishte gati t’i besonte Perëndisë dhe ta pranonte sfidën. Davidi, tek dëgjonte talljet dhe sharjet e gjigandit, pyeti edhe një herë, për t’u siguruar më mirë, sesa ishte shpërblimi. Ishte e vërtetë: ai që do ta vriste Goliathin, do të merrte një shpërblim gjigand. Goliathi u mund, që në momentin kur vuri këmbët mbi tokën e shenjtë. “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31).

Zemërim i drejtë

Me një zemërim të drejtë, Davidi i bëri pyetje ushtrisë së stërvitur mirë të Izraelit se ç’do të bënin për ta ndaluar filisteun pagan prej së shari e prej së talluri Perëndinë dhe popullin e Tij. Ushtarët duhet të jenë ndjerë shumë të dobët shpirtërisht, tek dëgjonin një djalë bari, që po mundohej t’i inkurajonte në besim. Fjalët e para, që tha Davidi në Bibël, vënë në dukje faktin se ai me të vërtetë e donte Perëndinë e Gjallë dhe i shërbente Atij.

Davidi e pa se gjigandi ishte thjesht një xhuxh përpara Krijuesit Perëndi. Ai nuk kishte frikë nga një jobesimtar i fryrë, ngaqë Perëndia ishte me të. Davidi e dinte se askush nuk kishte të drejtë ta tallte Zotin. Ai besonte se Izraeli po luftonte, për të mbrojtur nderin e Perëndisë, prandaj edhe fitoren e kishin të garantuar. Ai iu tha, gjithashtu, ushtarëve se i përkisnin ushtrisë së Perëndisë, se po i shërbenin Atij e jo Saulit, prandaj edhe nuk duhej ta kishin mendjen tek bakshishi i mbretit.    

Përfundim

Fjalët e para të folura prej Davidit, janë fjalë të vajosura dhe të frymëzuara. Ndoshta si mbreti Saul, ashtu edhe ushtarët e tij u habitën me këto fjalë të mençura të një të riu. Por nuk kishin pse të habiteshin. Davidi njihej si një “gojëtar i hijshëm” (1 Samuelit 16:18). Edhe një gjigand dy herë më i madh sesa Goliathi nuk mund të fitonte dot kundër Davidit, nga dashuria dhe besimi, që kishte ky bari për Perëndinë. Por, nuk ishte fuqia e besimit të Davidit, që solli fitoren. Përkundrazi, ishte fuqia e Perëndisë, në të Cilin i vari shpresat edhe Davidi. Besimi, në vetvete, është i pafuqishëm, kurse besimi në Perëndinë e gjallë është i papërcaktuar, sepse Perëndia lëviz malet. “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: “Hiqu andej dhe hidhu në det,” kjo do të ndodhë” (Mateu 21:21). Kur besimtarët e kanë mendjen tek lavdia dhe nderi i Perëndisë, atëherë ata janë në gjendje të kryejnë vepra të mëdha për Të. 

Mbrapa

Advertisements