Shpëtimtari dhe e Shtuna (Dita e Shabatit)

Parathënie

Përsëri i shohim drejtuesit fetarë, tek e kritikojnë Jezusin dhe dishepujt e Tij lidhur me një çështje të papërfillshme.Këta njerëz të ditur nuk arrinin dot ta kuptonin rëndësinë e vërtetë të Shabatit. Mençuria e Birit të Perëndisë i shkatërroi tërë idetë e tyre të rreme.

Formalistët dhe gabimi

Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj. Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?” (Marku 2:23-24).

Feja e formalistit ka të bëjë me ceremonitë, ritet dhe traditat, që nuk janë në Bibël. Formalistët kujtojnë se janë lutjet e gjata, agjërimi dhe rrobat e veçanta ato, të cilat i bëjnë ata të drejtë para Perëndisë. Ndoshta farisenjtë nuk do t’i kishin gjykuar dishepujt, po të ishte puna lidhur me një çështje morale, por thyerja e traditave konsiderohej herezi prej tyre. Udhëheqës të tillë “të verbër” nuk bëjnë gjë tjetër veçse “sitin mushkonjën” (Mateu 23:24).

Bota e krishterë është e mbushur plot e përplot me sekte fetare, të cilat shtiren me salltanet dhe ceremoni të madhe, por, në të njëjtën kohë, nuk kanë fare respekt për ato që na mëson Bibla. Këto sekte kanë qejf t’i festojnë ditët e shenjtorëve të tyre, datat dhe ritet e shenjta, por nuk kanë kohë për pendesë, besim dhe ndarje (largim) nga bota. Shpirti i formalistit është i vdekur, ngaqë ai lejon që ritet e krijuara nga njerëzit, t’ia zënë vendin fjalës së Perëndisë: “Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju” (Galatasve 4:10-11).

Fryma e Shenjtë dhe Bibla 

Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç’bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç’qenë me të?”. Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?” (Marku 2:25-26).

Farisenjtë i përdornin traditat, për t’i mbështetur pikëpamjet e tyre mbi to. Por Jezusi vazhdimisht iu drejtua Biblës, si të vetmit autoritet për besimin dhe praktikën. Ai iu solli në mend farisenjve sjelljen e Davidit, kur kishte qenë i uritur (1 Samuelit 21:1-6). Ata nuk kishin si ta gjykonin Davidin, sepse Perëndia e kishte quajtur “njeri sipas zemrës sime” (Veprat e Apostujve 13:22 dhe 1 Samuelit 13:14). Gjithashtu, Davidi i ishte bindur Perëndisë gjatë gjithë jetës, me përjashtim të rastit së Bathshebës. A do ta denonconin publikisht tani farisenjtë Davidin, ngaqë ai kishte ngrënë bukën e shenjtë? Veprimet e tij vërtetuan se disa nga kërkesat e ligjit të Perëndisë mund të zbuteshin në momente nevoje, për shembull: judenjtë gjithmonë iu kanë rezistuar (dhe kanë luftuar kundër) ushtrive pushtuese ditën e Shabatit. Fjalët e mençura të Jezusit, jo vetëm që ua mbyllën farisenjve gojën, por i bënë copa-copa edhe mësimet e tyre. “Shpata e Frymës” kishte goditur në shenjë (Efesianëve 6:17).

Besimtari e ka për detyrë, që të jetojë sipas asaj që thotë Bibla. Duhet ta lejojmë Biblën, që të bëhet udhërrëfyesi ynë, sidomos kur vjen puna për çështje të debatueshme. Bota dhe fetë e rreme kanë mendimet e tyre, por ne kemi themelin e fortë të fjalës së Perëndisë. Armiku gjithmonë do të mundet, me anë të shpatës të së vërtetës, por, nëse do ta përdorim këtë armë, atëherë duhet ta dimë se ç’thotë ajo. Duhet ta lexojmë dhe ta studiojmë me zell Biblën, duke u lutur dhe pa hequr dorë prej saj. Përndryshe, kurrë nuk do të gjejmë ndihmë në kohë vështirësish.

Bekim apo barrë?

Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës” (Marku 2:27-28).

Eksodi 20:11 na thotë: “Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (shiko gjithashtu Zanafilla 2:1-3). Jezusi e bën të qartë se Perëndia e krijoi ditën e pushimit për hir të Adamit, por drejtuesit fetarë e kishin kthyer këtë ditë nga bekim në barrë. Vini re se Shabati (e shtuna) u krijua për njeriun (për pasardhësit e Adamit), prandaj nuk është, (siç sugjerojnë disa), vetëm për judenjtë. E gjithë raca e Adamit mund të përfitojë nga ky bekim, nëse i bindet Perëndisë. Pushimi i Shabatit u themelua për të mirën e njeriut, d.m.th. për shpirtin, mendjen dhe trupin e tij. Urdhërimi që thotë: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8), nuk u dha me qëllim që të bëhej barrë, apo si rast për t’u treguar i pamëshirshëm dhe jo fort i dashur. Farisenjtë e kishin fshehur të vërtetën nën malin e traditave të tyre dhe të interpretimeve, që ata vetë ia kishin bërë Biblës.

Ka nga ata, që thonë se Jezusi e hodhi poshtë urdhërimin e katërt, por këta njerëz duken se janë shpirtërisht të verbër, ashtu si edhe farisenjtë. Zoti flet qartë rreth Shabatit si një privilegj dhe dhuratë nga Perëndia. Ai na tregon se veprat e mirësisë dhe të domosdoshmërisë ia shtojnë bukurinë Shabatit.

Përfundim

Në botën e sotme, e shtuna (ose më mirë, e diela) është thjesht si çdo ditë tjetër e javës. Por, ne duhet të jemi të bindur ndaj Perëndisë, nëse duam që të përfitojmë nga ky bekim. Gjithmonë egziston rreziku i të qënit ekstremist, kur vjen puna për tek gjërat e parëndësishme. Le të tregojmë kujdes, që të mos bëhemi as shumë strikt, por edhe as shumë dorë-lëshuar. Duhet ta distancojmë veten nga idetë e marra, që nuk i takojnë perëndishmërisë: “Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë, ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija, debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre” (1 Timoteut 6:3-5)… “Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje” (2 Timoteut 2:23).

Mbrapa

Advertisements