Shpëtimtari dhe Mbjellësi

Parathënie

Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit. Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij” (Marku 4:1-2).

Shëmbëlltyra e mbjellësit është ndoshta shëmbëlltyra më e njohur nga të gjithë të tjerat. Është e lehtë për t’i kuptuar të vërtetat e ilustruara prej Krishtit në këtë histori. Mësimi, që përmban kjo shëmbëlltyrë, ka vlerë për të gjithë ata, që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, pavarësisht nëse janë të shpëtuar apo jo. Kjo shëmbëlltyrë përshkruan katër lloj dëgjuesish dhe përgjigjet e tyre.

Rruga e ligë

Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë. Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën… Pastaj u tha atyre: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t’i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre” (Marku 4:3-4, 13-15).

Gjithmonë do të egzistojnë ata, që nuk e dëgjojnë me vëmendje fjalën e Perëndisë. Këta njerëz mund të jenë njerëz fetarë e të respektueshëm, por ata i mohojnë mësimet e qarta të Biblës dhe predikimin e konsiderojnë si “kodra pas bregut”, si dërdëllitje të budallenjve dhe të fanatikëve. Kur predikohet fjala e Perëndisë, ata e kanë mendjen tek gjëra të tjera dhe dalin nga kisha, duke ditur aq pak për Krishtin, sa edhe kur hynë brenda.

Nuk ka kishë në botë, që të mos përmbajë disa prej të tillë njerëzve. Çdo të djelë, ata e lejojnë Satanain që t’ua vjedhë të vërtetën. Nuk kanë në zemër, as besim, as ndjenja për Perëndinë. Duket sikur janë injorantë të faktit se Jezusi vdiq në kryq si sakrificë për mëkatin e tyre. Po qe se këta njerëz do të vdesin në këtë gjendje, do ta gjejnë veten përjetësisht të humbur (në ferr). Ky fakt është, sa për të ardhur keq, aq edhe i vërtetë.

Rruga me barërat e këqija

Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha… Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë” (Marku 4:5-6, 16-17).

Ka nga ata që i përgjigjen menjëherë të vërtetës, por besimi i tyre nuk ka thellësi të vërtetë. Këta njerëz emocionohen shpejt dhe shpesh, i vënë në pozitë ata që i shohin.  Por, sa shpejt mbijnë, aq shpejt edhe vyshken. Në këtë rast, Frymës së Shenjtë nuk i është lejuar që të kryejë punën e Tij të përsosur në jetën e këtyre njerëzve. Prandaj, kur vijnë problemet dhe vështirësitë, ata vyshken, aq shpejt, sa edhe vesa mbi bar: “Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt” (Osea 6:4)… “Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët” (Fjalët e Urta 24:10). Këtyre njerëzve iu pëlqen të duken, ashtu si buqeta e bukur e luleve në vazo, që vyshket shpejt, sepse s’ka rrënjë.

Ka shumë besimtarë, që janë të shkujdesur rreth gjendjes së tyre të vërtetë përpara Perëndisë. Ata mendojnë se janë në rregull, ngaqë shkojnë në kishë, këndojnë himne dhe thonë “Amen” gjatë predikimit të pastorit. Ia bëjnë qejfin vetes, duke menduar se kanë hir në zemrat e tyre. Por, po qe se “gjërat e vjetra” nuk “kanë shkuar”, atëherë ata thjesht sa mashtrojnë veten (2 Korintasve 5:17). Mund të kenë ndjenja, emocione, gëzim, shpresë dhe dëshira. Por këta njerëz janë akoma në mëkat dhe po shkojnë drejt rrugës së shkatërrimit, po qe se nuk i binden me të vërtetë fjalës së Perëndisë.

Rruga e botës         

Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt… Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbytin fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme” (Marku 4:7, 18-19).

Këta lloj njerëzish, në fakt, bëjnë përpjekje për t’iu bindur asaj që dëgjojnë. Janë të bindur në vetvete se Bibla është e vërtetë dhe përpiqen që të jetojnë sipas parimeve të saj. Ndërgjegjet e tyre ndikohen nga predikimi i pastorit, por ka diçka, që i ndalon së marri të një vendimi të plotë. Në shumicën e rasteve, është dashuria për këtë botë, ajo që i pengon këta njerëz: “Sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë” (2 Timoteut 4:10)… “Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim” (1 Timoteut 6:9). Kanë potencial të madh, por kurrë nuk arrijnë të japin fryte të përsosura.

Këta njerëz janë më të pikëlluarit nga të gjithë tipat e tjerë, që na paraqet Jezusi në këtë shëmbëlltyrë, sepse ata gjithmonë janë në prag të Tokës së Premtuar, por kurrë nuk arrijnë t’i marrin bekimet e Kananit, sepse nuk janë të gatshëm për ta kaluar Jordanin. Po nuk ndryshuan rrugë, këta njerëz nuk do të hyjnë kurrë në Mbretërinë e Qiellit: “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4).

Rruga e mrekullueshme       

Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind… Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind” (Marku 4:8, 20).

Ata, që e dëgjojnë dhe i binden plotësisht fjalës së Perëndisë, do të shohin rezultate të mëdha në jetën e tyre. Do ta urrejnë mëkatin, do të derdhin lot për të, do t’i rezistojnë atij dhe do të heqin fare dorë prej tij. Do ta duan Krishtin me të vërtetë, do ta vënë shpresën vetëm tek Ai, do ta ndjekin dhe do t’i binden. Shenjtërimi do të vihet re në çdo gjë që bëjnë dhe thonë këta njerëz. Një vepër e tillë e fuqishme e Frymës së Shenjtë nuk mund të fshihet. Jezusi tha: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5).

Në shumë kisha, ka ca që janë në një nivel të tillë përkushtimi ndaj Zotit, por, nëse e tërë bashkësia do të përpiqej të jetonte në të njëjtën mënyrë, atëherë në kishë do të kishte ringjallje. Njerëz të tillë do të bekohen fuqishëm. Aty ku egziston një pendesë e dukshme, një besim i dukshëm dhe një shenjtëri e dukshme, aty do të ketë edhe fryte të dukshme e me bollëk.  

Përfundim

Pastaj ai u tha atyre: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”. Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: “Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen“” (Marku 4:9-12).

Po ne, ç’lloj dëgjuesish jemi? Mos harroni se ka tre mënyra dëgjimi, që nuk i vlejnë aspak shpirtit. Por ka vetëm një mënyrë për të qenë një dëgjues i bekuar: “Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:25).

“Shumica e atyre që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, e pranojnë farën gjatë rrugës. Fara e të tjerëve, që nuk hahet nga zogjtë, pranohet në gurishte. Shumica e atyre që e pranojnë farën në tokë të mirë, shpesh lejojnë që ferrat të rriten e ta mbytin farën. Prandaj, vetëm pak prej këtyre rezistojnë deri në fund dhe japin fryte të përsosura. E megjithatë, në të gjitha këto raste, nuk është vullneti i Perëndisë ai, që i pengon këta njerëz, por është thjesht pabindshmëria e vullnetshme e tyre” (marrë nga Xhon Ueslli, Shënime mbi Dhiatën e Re).

Mbrapa

Advertisements