Shpëtimtari dhe Ringjallja

Ndoshta saducenjtë kujtuan se do të kishin më shumë sukses (sesa farisenjtë dhe herodianët) për t’ia hedhur Jezusit me pyetjet e tyre. Saducenjtë nuk besonin se egzistonte ringjallja. Për ta, nuk kishte më jetë pas vdekjes apo pas gjykimit. Gjithashtu, ata nuk besonin as në ëngjëj, as në demonë. Për këtë arsye, saducenjtë ishin si bota dhe e kishin mendjen tek zbatimi pikë për pikë i ligjit. Në Jeruzalem, ata ishin nën kontroll të Sanhedrinit dhe të Tempullit deri në vitin 70 pas Krishtit. Saducenjtë ishin të famshëm për ekstremizmin e tyre. Flavius Josephus, në librin e tij “Luftërat Çifute”, në faqen 2166, shkruan: “Saducenjtë sillen si të marrë me njëri-tjetrin; bisedat e tyre me ata, që i përkasin të njëjtin grupi si edhe vetë ata, janë aq barbare, saqë ata duken sikur nuk e njohin fare njëri-tjetrin”.

Incidenti

Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i lindur pasardhës vëllait të tij. Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë. E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti. Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja. Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua” (Marku 12:18-23).

Saducenjtë erdhën tek Jezusi me një histori, që ndoshta nuk është e vërtetë nga ana historike. Gruaja e gjëagjëzës së tyre jetoi më gjatë sesa shtatë bashkëshortët e saj, ndaj kujt do t’i përkiste ajo si grua, kur të ringjalleshin të vdekurit?

Ata, që janë të vendosur për ta hedhur poshtë Biblën, fjalën e Perëndisë, gjithmonë flasin rreth të ashtu-quajturave ‘kontradiktave’ të saj. Shumica e këtyre njerëzve nuk e vrasin mendjen fare për ta lexuar vetë Biblën, ndaj, ashtu si papagalli, përsërisin ato që kanë dëgjuar prej të tjerëve. Kujtojnë se do të na turpërojnë me pyetjet e tyre të vështira! Nuk duhet të hymë në debate me ata që kanë ide të gabuara rreth Biblës, por duhet t’iu prezantojmë faktet dhe provat e qarta të krishtërimit. Duhet të besojmë se çdo njeri ka një ndërgjegje, të cilës duhet t’i drejtohemi edhe ne. Në këtë mënyrë, iu kërkojmë këtyre njerëzve që ta lexojnë vetë Biblën, para se të nxjerrin konkluzione të njëanëshme. Ka shumë ish-ateistë të flaktë, si edhe shumë nga ata që besonin në idenë e evolucionit, që e kanë lexuar Biblën vetë dhe kanë gjetur hir shpëtimi.

Padituria

 “Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?” (Marku 12:24).

Mosbesimi e ka rrënjën tek padituria rreth asaj që thotë Bibla. Reformat e mbretit Jozia erdhën si rezultat i ri-zbulimit të fjalës së Perëndisë. Bota ishte në errësirë gjatë periudhës së Mesjetës, ngaqë njerëzve iu ndalua ta lexonin Biblën. Por, në momentin kur Bibla u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës dhe filloi të shpërndahej kudo, drita e saj depërtoi në zemrat e njerëzve. Ato kombe që i kanë shijuar bekimet e shumta të Perëndisë, janë kombe që e kanë nderuar fjalën e Tij. Kjo është e vërtetë edhe për individët, familjet dhe kishat.

Duhet të tregojmë kujdes, që të mos jemi injorantë rreth asaj që na mëson Bibla. Përndryshe, do të biem në gabim fatal. Le të këmbëngulim për ta patur Biblën si ligj, në të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me besimin dhe praktikën. Le të punojmë për ta përhapur kudo fjalën e Perëndisë. Duhet të përpiqemi që t’ia mësojmë këtë Fjalë fëmijëve, familjeve dhe miqve tanë. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë për dikë tjetër, është kjo: ta vëmë atë në dijeni të asaj që thotë Perëndia.

Udhëzimi    

Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit”? Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë” (Marku 12:25-27).

Saducenjtë i nderonin ligjet e Moisiut dhe mburreshin se jetonin sipas këtyre ligjeve. E megjithatë, ata nuk arrinin ta kuptonin se Perëndia, që i foli Moisiut nga ferrishtja, ishte Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit, edhe pse këta patriarkë kishin kohë që kishin vdekur. Perëndia, të cilit i shërbejmë, nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.

Vetëm një i marrë e hedh poshtë atë, që thotë Bibla rreth jetës pas vdekjes: “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27). Saducenjtë, po ta kishin studiuar ndonjëherë Biblën, do ta kishin ditur këtë gjë. Gjatë gjithë Biblës, lexojmë se ata që vdesin si besimtarë, do të ringjallen në jetën e përjetshme në Parajsë, kurse ata që vdesin në mëkat, do të ringjallen në vdekjen e përjetshme në Ferr. Fetë e rreme të kësaj bote e kanë shumë të vështirë për t’i pranuar këto dy të vërteta. Katolikët shpresojnë tek Purgatori, myslimanët presin me padurim një parajsë epshore e të degjeneruar, kurse besimtarët e fesë hindu besojnë tek ideja e ritrupëzimit.

Edhe pse Bibla nuk e përshkruan plotësisht egzistencën tonë të përjetshme, prapëseprapë, e dimë se kjo egzistencë do të jetë e mrekullueshme: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së Tij” (1 Korintasve 2:9-10)… “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4)… “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë Meje, që aty ku jam Unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:2-3). Ashtu si ata që kanë shkuar para nesh, edhe ne do të kënaqemi me praninë e plotë të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë. Në Parajsë, nuk do ta ndjejmë nevojën për martesë, apo për marrëdhënie të tjera njerëzore.

Për momentin, psherëtijmë, “duke qenë të rënduar” me dobësitë dhe gabimet e jetës së përditshme (2 Korintasve 5:4). Por në botën tjetër, do të jetë ndryshe. Asgjë nuk do ta shkatërrojë gëzimin tonë të përjetshëm. Por, para se të vijë ajo ditë, duhet të sigurohemi se jemi të rilindur dhe se po shkojmë “në ringjallje të jetës”, jo “në ringjallje të mallkimit” (Gjoni 5:29). A mund të themi me Jobin: “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra”? (Jobi 19:25-27). Vdekja na çon drejt e në praninë e vetë Perëndisë: “Ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:8).

Përfundim   

Si njerëzit fetarë, ashtu edhe ateistët, i kanë qejf gjëegjëzat, sidomos kur kujtojnë se, nëpërmjet tyre, ata mund ta shkatërrojnë besimin tonë në Krishtin. E kemi për detyrë që ta mësojmë atë që thotë Bibla, me qëllim që të jemi gati për t’iu përgjigjur atyre, që e kundërshtojnë të vërtetën: “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës. Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi” (2 Timoteut 2:15-16). “Madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje” (1 Pjetrit 3:15).

Mbrapa

Advertisements