Shpëtimtari dhe Sektarizmi

Sot, ka shumë gjëra, që i ndajnë besimtarët nga njëri-tjetri. Por, në të shumtën e rasteve, kjo ndarje ndodh për shkak të doktrinave apo aktiviteteve të ndryshme, që nuk janë pika themelore të besimit të krishterë. Pa dyshim, nuk mund të jemi në unitet me ata, që e mohojnë se Krishti është Shpëtimtar dhe Zot. Por kisha nuk duhet të përçahet për shkak të çështjeve të tilla, si p.sh. mënyrës së të veshurit, apo formës që duhet të ketë shërbesa e kishës. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy asaj që na mëson Krishti, lidhur me sektarizmin (ose ndarjen në sekte).

Mbraktisja e tolerancës

Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: “Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek”. Por Jezusi tha: “Mos ia ndaloni, sepse s’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua. Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. Në fakt, kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet” (Marku 9:38-41).

Njeriu, për të cilin bëhet fjalë në këtë pazazh, po kryente diçka të mirë për kauzën e Krishtit. Pse duhet të ndalohej ai, atëherë, nga kjo punë? Gjoni e kishte hedhur poshtë punën e këtij njeriu, ngaqë ai nuk i përkiste shoqërisë së apostujve. Jezusi mendonte ndryshe nga Gjoni dhe nga shumë sektarë të tjerë të ditëve të sotme. Në çdo lloj dege (apo sekti) të kishës së vërtetë të krishterë, ka besimtarë, që kujtojnë se Perëndia mund të veprojë vetëm nëpërmjet sektit të tyre. Këta besimtarë janë aq mendje-ngushtë e me horizont aq të kufizuar, saqë nuk arrijnë ta kuptojnë se Perëndia është në gjendje të përdorë edhe dikë tjetër. Sektarët krijojnë një idhull me anë të llojit të makinerisë së tyre fetare. Ata i ngjasojnë Jozueut, i cili, kur mori vesh se Eldadi dhe Medadi po profetizonin, tha: “Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!” (Numrave 11:28). Për shekuj me rradhë, kjo lloj mungese tolerance ka çuar në persekutimin e pasuesve besnikë të Krishtit.

Të gjithëve, herë pas here, iu mungon toleranca. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos e lejojmë mungesën e tolerancës sonë, që të na e turbullojë të parit e besimtarëve të tjerë të Perëndisë. Ndoshta besojmë se dikush e ka gabim diku në një pikë, por nuk kemi të drejtë ta ndëshkojmë apo ta pengojmë atë besimtar në rrugën e tij në Krishtin. Duhet të veprojmë ashtu si edhe Moisiu: “Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!” (Numrave 11:29). Edhe apostulli Pal kështu mendonte: “Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem” (Filipianëve 1:18). 

Tundimi i frikshëm

Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det” (Marku 9:42).

Edhe pse Zoti këtu po i referohet mësimit të Tij të mëparshëm, lidhur me të qënit shërbëtor edhe ndaj më të vegjëlve, prapëseprapë, Ai thotë se ky lloj mësimi duhet të vihet në zbatim nga të gjithë ata që e ndjekin, pavarësisht se ç’moshë kanë. Ndoshta nuk na pëlqejnë veprimtari apo besime të caktuara të ca të krishterëve, por kjo nuk duhet të bëhet shkak për t’i skandalizuar ata. Duhet t’i shmangemi tundimit e të mos i hedhim poshtë të tjerët, ngaqë nuk veprojnë, apo nuk flasin si ne.

Sektarët kujtojnë se e kanë përkrah Perëndinë. Por një mendim i tillë është karakteristikë e terroristave fetarë, që kryejnë ‘xhihad’ (luftë në emër të Zotit), për t’i shfarosur ata, të cilët i konsiderojnë si jo-besimtarë. Ata që i japin të drejtë vetes, nuk e quajnë gjë të keqe shkatërrimin e atyre me pikëpamje të ndryshme nga të tyret. Por Perëndia nuk i del krah sektarit. Përkundrazi, Ai iua mban anën atyre, që shkelen me këmbë dhe tallen prej njerëzve, që iu mungon toleranca. Nuk duhet të përçahemi për shkak të doktrinave apo veprimtarive, që nuk janë themelore, apo që nuk kanë lidhje me çështjen e shpëtimit. Ata që i besojnë Krishtit dhe Fjalës së Tij, janë me ne, pavarësisht nëse janë Kalvinistë, të Reformuar, apo Arminë. Patjetër që duhet të vishemi në mënyrë të përshtatshme e siç duhet, por debate të tilla, që kanë lidhje me veshjen, apo me gjatësinë e flokëve, apo nëse gratë duhet të vënë kapele në kishë apo jo, janë debate të parëndësishme, kur ka me miliona njerëz, që po shkojnë në Ferr, ndërkohë që ne merremi me debate të tilla. Duhet t’i mënjanohemi të shoqëruarit me besimtarë të tjerë, vetëm atëherë kur ata besojnë doktrina komplet të ndryshme nga doktrinat themelore të Biblës: “Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh” (Mateu 12:30).

Vuajtja e frikshme

Tani nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh dy duar dhe të shkosh në Gehena, në zjarrin e pashueshëm, atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket. Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, se sa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në Gehena, në zjarrin e pashueshëm, atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket. Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në jetë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në Gehenën e zjarrit, atje ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket. Sepse gjithkush duhet të kripet me zjarr, dhe çdo fli duhet të kripet me kripë. Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhet e amësht, me se do t’i jepni shijen? Kini kripë në vetvete dhe jetoni në paqe njëri me tjetrin!” (Marku 9:43-50).

Këto fjalë shërbejnë si një paralajmërim serioz për sektarët. Me zemër, ata mallkojnë jo vetëm të tjerët, por edhe shpirtin e vet drejt një përjetësie të humbur. Janë vetë ata e jo të tjerët, që janë të padobishëm për Zotin. Pasuesit e vërtetë të Krishtit janë shërbëtorë të të gjithëve. Ata janë gati ta japin jetën, vetëm e vetëm që ta shohin tjetrin të shpëtuar. Të mos debatojmë se kush ka të drejtë për të qenë elita shpirtërore, por t’i bindemi Udhëzimit të Madh (shiko Mateu 28:19-20). Nëse e kemi hirin shpëtim-dhënës të Perëndisë në zemër, atëherë e kemi edhe paqen: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14).      

Përfundim

Dhe ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko” (Jeremia 45:5). Le të mos e ngremë lart veten, e të mos kërkojmë që të na mburrin. Mishi (natyra mëkatare) mund të dalë i pari, vetëm atëherë kur i ka shkelur me këmbë të gjithë të tjerët. Fryma e Perëndisë vepron aty ku ka përulësi, jo mendjemadhësi. Kurrë nuk do të bekohemi prej Perëndisë, po të kërkojmë poste të larta për vete: “Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira. Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin” (Psalmi 75:6-7)… “Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend” (Fjalët e Urta 3:35).

Mbrapa

Advertisements