Shpëtimtari dhe Sirofenikasja

E kemi parë se si u soll Jezusi me njerëzit e kombit të Tij. Por si, vallë, do t’i përgjigjej Ai një gruaje, që konsiderohej si një johebre? Gruaja sirofenikase (ose kananease tek Mateu 15:21-28) ishte me prejardhje greke dhe paraardhësit e saj kishin qenë banorët e parë të Izraelit. Për këtë arsye, ajo urrehej prej Judenjve. Kjo grua nuk pretendoi gjëra të mëdha prej Krishtit, e megjithatë, lutja e saj u dëgjua prej Tij, sepse ajo ishte një lutje këmbëngulëse dhe plot me pasion.

Lutja me pasion

Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur. Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija; por Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve” (Marku 7:24-27).

Kjo grua i kërkoi ndihmë Zotit, sepse e dinte se nuk kishte asnjë njeri tjetër, që të mund ta çlironte vajzën e saj prej frymës së ndyrë. Me përulësi dhe dëshpërim, ajo ra para këmbëve të Jezusit dhe iu përgjërua Atij, që të bënte diçka për të. Kjo grua, edhe pse ishte johebre, e pranoi faktin se Jezusi ishte Mesia, “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit!” (Mateu 15:22). Ajo po lutej për dikë, që nuk ishte në gjendje të lutej për veten e saj. Nuk pushoi, derisa lutjes së saj iu dha përgjigja dhe vajza iu çlirua.

Edhe pse ky pasazh bazohet tek çlirimi i vajzës së gruas, Marku, në të vërtetë, po na jep mësim rreth lutjes ndërhyrëse, d.m.th. të luturit për të tjerët. Edhe Jakobi ka këtë lutje në mendje, kur shkruan: “Lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakobi 5:16). Prindërit, ashtu si edhe në këtë histori, duhet të vazhdojnë të luten, derisa fëmijët e tyre të besojnë në mënyrë personale tek Krishti. Ata mund t’iu japin fëmijëve të tyre jetë, por nuk mund t’iu japin dot kurrë një zemër të re. Mund t’i edukojnë e t’i inkurajojnë, por fëmijët nuk duhet t’i varin shpresat tek shpëtimi i prindërve të tyre, por duhet të jenë vetë të shpëtuar. Gjëja më e mirë, që mund të bëjnë prindërit e krishterë për fëmijët e tyre të vegjël, është që të luten për ta, derisa ata të jenë në gjendje që të luten vetë për veten e tyre. Lutje të tilla do të gjejnë gjithmonë përgjjigje dhe do të marrin bekime.

Lutja këmbëngulëse

Por ajo u përgjigj dhe i tha: “Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!” Atëherë ai i tha: “Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!”. Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë” (Marku 7:28-30).

Tek Mateu 15:23-24, lexojmë se si Jezusi pretendoi se nuk e kishte dëgjuar lutjen e gruas, dhe kur vendosi t’i përgjigjej, fjalët e Tij u dukën, në fillim, si fjalë dekurajuese. Por, prapëseprapë, ajo as nuk hoqi dorë, as nuk u largua e dëshpëruar: “Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh”. Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Në përgjërim e sipër, ajo e adhuroi Krishtin për faktin se kush ishte Ai: “Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!” (Mateu 15:25). Edhe pse nuk ishte çifute dhe nuk i kishte shijuar bekimet e shumta, që Perëndia i kishte dhënë kombit hebre, ndoshta asaj mund t’i lejohej që të merrte qoftë edhe një thërime prej mëshirës së Tij. Komenti që bëri Jezusi, shërbeu edhe si sprovë besimi për gruan, edhe si provokim për mendjet e atyre që e rrethonin. Judenjtë do ta kishin rrahur e hequr qafe gruan, tamam si një qen, por Jezusi e pranoi atë si dikush, që i thirri me gjithë shpirt Perëndisë. Ajo ishte shembull për ata, që duhej të kishin patur besim të vërtetë në zemër. Prandaj, në vend që të binte dakort me idetë e pamëshirshme të epokës së Tij, Jezusi vuri në dukje besimin e madh të kësaj gruaje: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron” (Mateu 15:28).

Sa shpejt e lëmë mënjanë të luturit, kur nuk marrim atë, që mendojmë se e meritojmë! Satanai do të na ofrojë arsye të shumta, duke na thënë se është budallallëk dhe humbje kohe që të lutesh me këmbëngulje për diçka, që duket sikur është kauzë e humbur. Është e lehtë të dekurajohesh, sidomos kur lutesh për shpëtimin e një miku, apo të një të afërmi. Por duhet t’i forcojmë “duart e kapitura dhe gjunjët e këputur” (Hebrenjve 12:12). Nëse tundohemi, me qëllim që të pushojmë së luturi për ata, zemrat e së cilëve janë të ngurtësuara prej mëkatit, duhet t’ia kujtojmë vetes gruan sirofenikase, që nuk hoqi dorë, edhe kur u ballafaqua me dekurajim të madh. Ajo u kthye në shtëpi e gëzuar dhe e gjeti të bijën të çliruar prej demonit. Na duhet hir dhe vendosshmëri, që ta ndjekim shembullin e saj. Kjo grua na sjell në mendje Jakobin, i cili i tha ëngjëllit, me të cilin po luftonte: “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!” (Zanafilla 32:26).  

Përfundim                      

Shpeshherë, lutja mund të bëhet monotone, fetare dhe egoiste. Mund të lutemi për të tjerët, por a janë lutjet tona këmbëngulëse dhe plot pasion? Duhet të lutemi për ata, që janë më mosbesues nga të gjithë, zemrat e të cilëve janë nga më të ngurtësuarat. Dhe, edhe po të na duhen vite të tëra, prapë duhet të vazhdojmë të lutemi, derisa ata të pendohen dhe të besojnë tek Krishti. Të luturit është akti më i madh i mirësisë, që mund të bëjmë për të tjerët, sepse po i sjellim problemet e tyre përpara Zotit Jezus Krisht. Do të vijë dita, kur do ta shohim se ç’vlerë kanë patur lutjet tona, ndoshta jo në këtë jetë, por patjetër, në Qiell.

Mbrapa

Advertisements