Shpëtimtari i Fuqishëm dhe Fara e Sinapit

Parathënie

Shëmbëlltyra e farës së sinapit është, edhe analogji, edhe profeci, sepse bën fjalë për rritjen e kishës së Krishtit. Fara, që ishte spërkatur në tokë në shëmbëlltyrën e kaluar (Marku 4:26-29), bënte fjalë për punën e hirit në zemrën e besimtarit, kurse fara e sinapit na tregon përparimin e krishtërimit kiblik, deri në ardhjen e dytë të Shpëtimtarit.

Fara e vogël 

Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim? Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe” (Marku 4:30-31).

Fara e sinapit u përdor si ilustrim për Judenjtë, për të shpjeguar një gjë të vogël e të parëndësishme. Fara e zezë e sinapit (brassica nigra) ishte fara më e vogël, e mbjellë nga bujku në Lindjen e Mesme. Jezusi e përdori atë për të treguar se, edhe një besim sado i vogël, mund të japë rezultate të mrekullueshme: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: “Zhvendosu nga këtu atje,” dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20)… “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t’i thonit këtij mani: “Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det,” dhe ai do t’ju bindej” (Luka 17:6).

Fara e sinapit bën fjalë për historinë e kishës që duket. Në fillim, kjo kishë ishte e dobët dhe e vogël. Madje edhe Mbreti i Mbretërve erdhi në këtë botë si bebe i pafuqishëm, i lindur në një grazhd, pa pasuri apo ushtri. Ishin peshkatarët dhe tagrambledhësit ata, që Jezusi i zgjodhi si pasuesit e Tij. Ishin këta pasues ata, që e bënë “rrëmujë botën” (Veprat e Apostujve 17:6). Themeli i kishës bazohet tek gjaku sakrifikues i Shpëtimtarit, i cili është “skandal” për Judenjtë dhe “marrëzi” për botën (1 Korintasve 1:23). E megjithatë, vdekja e Zotit sjell jetë të përjetshme për të gjithë ata, që duan të besojnë. T’ia nisësh një feje të re në një mënyrë të tillë, duket e çuditshme për mendjen njerëzore (mishërore). Por, kjo farë, nga një pozitë e dobët dhe e papërfillshme, duke përfshirë këtu edhe urrejtjen e botës, u rrit e fuqishme, derisa e mbuloi botën me praninë e saj.

Suksesi i papritur

Por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj” (Marku 4:32).

Fara e sinapit rritet dhe bëhet më e madhja (më e larta) nga të gjitha erëzat, sepse, në Izrael, ajo mund të arrijë një lartësi prej 3,7 metrash, duke u bërë aq e madhe dhe e fortë, sa të mbajë një fole zogjsh në degët e saj. Kisha, e cila lindi në ditën e Pentikostit, u rrit me kaq shpejtësi, saqë u habitën të gjithë Judenjtë, Romakët dhe Grekët. Ditën e parë të saj, 3,000 shpirtra iu shtuan numrit të pasuesve të saj (Veprat e Apostujve 2:41), kurse, pas disa ditësh, 5,000 vetë të tjerë u shpëtuan (Veprat e Apostujve 4:4). Mesazhi i shpëtimit u përhap në Antioki, Efes, Filipi, Korint dhe Romë dhe shumë besimtarë u bënë pjesëtarë të kishës. Ky mesazh ka arritur të shkojë deri në Afrikë, Europë dhe madje edhe në vende më të largëta, pavarësisht se atje ka persekutim dhe opozitë ndaj këtij mesazhi.

Rritja e kishës ka qenë një nga mrekullitë më të mëdha, që ka parë bota, që prej ringjalljes së Krishtit; një mrekullie, të cilës nuk do t’i vijë fundi, pa u kthyer Zoti për të marrë të Tijët. Pavarësisht nga parashikimet e ateistëve dhe të filozofëve, kisha vazhdon të egzistojë akoma dhe vazhdon që t’i thërrasë shpirtrat për në Mbretërinë Qiellore.

Historitë shpirtërore

Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë” (Marku 4:33-34).

Jezusi i mësoi njërëzit në atë nivel, ku ata mund ta kuptonin atë që iu thoshte, duke përdorur shembuj nga njohuria e tyre mbi objektet e jetës së përditshme. Historitë i kishin qejf të gjithë, prandaj edhe Ai i përdori ato si mjete, me qëllim që ata që e dëgjonin, ta përvetësonin të vërtetën shpirtërore. Për këtë gjë e kishte fjalën Ai, kur iu tha dishepujve: “Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani” (Gjoni 16:12). Edhe Pali bën fjalë për të njëjtën gjë tek 1 Korintasve 3:2, “Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo”. Gjithmonë do të ketë nga ata predikues, që kujtojnë se është një gjë shumë shpirtërore të predikosh mbi kokat e njerëzve (d.m.th. më shumë se sa ç’mund të mbajnë njerëzit). Por Jezusi tha: “Ki kujdes për delet e mia” (Gjoni 21:16), dhe jo “Ki kujdes për xhirafat e mia” (që e kanë qafën e gjatë dhe me zor përkulen për të dëgjuar).

Ishte e rëndësishme që dishepujt të merrnin një instruksion më të plotë, sesa ai që ofronin shëmbëlltyrat. Prandaj edhe Jezusi iu dha atyre mësim privatisht. Ai gjithmonë iu jep më shumë mençuri atyre, që dëshirojnë të dinë më shumë rreth fjalës së Tij.

Përfundim

Zoti kurrë nuk i ka përbuzur gjërat e vogla (Zakaria 4:10), ndaj edhe ne nuk duhet t’i përbuzim ato. Fara që ka mbjellë Ai, vazhdon të shpërndahet në të gjithë botën. Një ditë, kjo farë e fjalës së Perëndisë do të penetrojë edhe në shtetet kokëforta islamike dhe në qeveritë ateiste: “Sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur. Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre. Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët; për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve, për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri, për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja” (Psalmi 149:4-9). Ka me miliona njerëz, që janë të destinuar për të gjetur strehë nën hijen e degëve të kishës. Mjafton vetëm shpëtimi i një shpirtri, që të nisë një rilindje dhe të shkaktojë një të korrur të shpirtrave të tjerë.

Mrapa

Advertisements